Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tre muaj para zgjedhjeve vendosi ndryshimin e kabinetit qeveritar jo me një, por me katër ministra. Të gjithë janë ministra të Partisë Socialiste, 2 prej të cilëve me postet më delikate në qeveri, Saimir Tahiri ministër i Brendshëm dhe Ilir Beqaj, ministër i Shëndetësisë. 2 te larguarit e tjerë janë Blendi Klosi i Mirëqenies Sociale dhe Bledi Çuçi i Ministrisë Antikorrupsion. Me shpjegimin që dha, kryeministri Rama u përpoq të shuajë zërat për konflikt brenda shumicës dhe mohoi se ndryshimet erdhën si rezultatet i protestës së opozitës. Ndryshimet nuk reflektojnë asgjë tjetër përveçse domosdoshmërinë që udhëheqësit tanë politikë të fushatës së qershorit të fokusohen dhe të furnizohen me energji të reja në përballimin e volumit të jashtëzakonshëm të kontakteve me njerëzit që kërkon kjo fushatë, tha Rama.
