Veprimtari i njohur, Bardhyl Mahmuti në shkrimin e tij titulluar: “‘Mendim i lirë’ apo ‘skizofreni politike’” nxori në shesh se akuzat e Fatos Lubonjës, Arben Idrizit, Halil Matoshit, Berat Buzhalës dhe Imer Mushkolajt kundër personaliteteve më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës, bazohen në dokumentin e përpiluar nga institucionet politike dhe të shërbimeve sekrete, civile e ushtarake të Serbisë, të titulluar; “Terrorizmi shqiptar dhe krimi i organizuar në Kosovë e Metohi”.
Reagimet e shumta kundër përpjekjeve të Fatos Lubonjës, Arben Idrizit, Halil Matoshit, Berat Buzhalës dhe Imer Mushkolajt që të na e “shesin” “vizionin serb” për Kosovën si gjoja “shprehje e mendimit të lirë të shkrimtarëve dhe intelektualëve” mobilizoi personat e lartpërmendur që t’u vërsulen kundërshtarëve të vet dhe mbrojtësve të “vizionit shqiptar” me një arsenal të llojllojshëm akuzash. Në shikim të parë, përmes kësaj forme akuzash ata përpiqen të krijojnë përshtypjen se janë “viktima të logjikës totalitare”, se gjoja janë “heretikët e mendimit unik” dhe në këtë mënyrë t’i përmbysin rolet: nga persekutorë në viktimë!