leoni

Isuf Ismaili

Isuf Ismaili: Një paqe që ka plot plagë

Kosova dhe çështja shqiptare përgjithësisht është në një gjendje të mjeruar. Faktori ndërkombëtar është duke e vështruar me njëanshmëri e pa realizëm Kosovën dhe çështjen shqiptare. Ky faktor e ka imponuar një paqe, por të rrethuar me shumë plagë. Vetë Kosova është një shtet i brishtë dhe shqiptarët e saj, si dhe shqiptarët të tjerë në trojet stërgjyshore, duke pasur plagët shekullore, luftërat, armiqtë shekullorë, nga ajo pjesë e madhe e politikave dhe regjimeve sllave e në veçanti armiqësia serbe, por edhe armiqësia greke, maqedonase dhe malaziase, pastaj intrigat, pabesitë, tradhtitë, interesat e ngushta, qofshin personale,  grupore a partiake, imponimet, kërcënimet, miqësia e shtirur e disa segmenteve të caktuara ndërkombëtare, dyshimet dhe injorimet, shtypja e tyre, mos-perspektiva ekonomike, lënia në mëshirën fatit të keq të arsimit , kulturës, infrastrukturës, bujqësisë, blegtorisë, gjyqësia e krimbur,  korrupsioni, e shumë të meta e faktorë negativ të tjerë, që mund t`i numërojmë, e kanë sfilitur popullin shqiptar dhe kanë prurë në një gjendje të mjeruar.

Ky mjerim ka sjellë pasoja të rënda të cilat na kanë kushtuar shtrenjtë, duke u rrudhur e tkurrur, duke u shpërndarë e duke krijuar kundërthënie të pakuptimta brenda organizimeve e përbërjeve të shumta politike, e shoqërore, duke cenuar shumë trupin të shenjtë të Shqipërisë Etnike. Edhe sot kësaj dite bëhen orvatje për tkurrje të më tejme edhe nga faktori ndërkombëtar. Por edhe disa vendës shqiptarë, bëjnë veshët e shurdhër dhe sytë e verbër para këtij faktori, duke bërë amin e madje ju buzëqeshin të huajve, duke u zhytur në zezonat e tyre, e duke mos mbajtur qëndrim atdhetar e njerëzor. Kjo kështu ndodh, sepse në të kundërt ju preken interesat. Por ka nga ata njerëz të gënjyer e të pavetëdijshëm, që ecin pas qerres të disa përbërjeve politike e institucionale, krerët  a disa pjesëtarë të të cilëve nuk kanë fare problem, të bëjnë tregti me interesat e atdheut, vetëm e vetëm që atyre t`ju shkojë  kungulli mbi ujë, të jenë të parët apo me të parët në vendet institucionale e shtetërore. Në vendet ku ka normalitet shtetëror, ku gjyqet veprojnë sipas ligjeve që kanë, këto do të dënoheshin e do të parandaloheshin. Por, ky mos-normaliteti ynë nuk do të thotë, se një ditë nuk do të shembet dhe zhvillimet tona nuk do të thotë, të mos shkojnë në rrugë të mbarë, atëherë kur kjo mbarësi të marrë fuqinë e saj, a thua ku do të futen keqbërësit, ata që tallen e shesin e dëmtojnë dhe përfitojnë nga rëndesa i që i bëjnë dheut e popullit të tyre?! Sigurisht, burgu, dënimi, përulja morale, injorimi, vuajtja do t`i presë.

Mosgatishmëria për t`i shërbyer atdheut dhe popullit, moskryerja e detyrave e obligimeve, institucionale e shtetërore në vijimësi me interesat kombëtare e njerëzore përgjithësisht, për më tepër tallja me to e injorimi i tyre dhe përgjithësisht të gjithë faktorët që i cekëm më sipër, kur ata varen nga vetë shqiptarët,  kanë sjellë një gjendje të rëndë, një pështjellim, një ngatërrim, një mos zhvillim, një pasiguri, një jetë të varfër, një kundërthënie brenda shumë familjeve e një cenim i atyre traditave të shkëlqyera shqiptare ndër shekuj, një imitim banal i disa gjërave të shëmtuara të botës së kamur evropiane e botërore dhe një shthurje morale, një mos-vëmendje e kulturës kombëtare e të bukurës artistike, një krekosje në shoqëri, por edhe një përulje e servilizëm para të huajve, duke u nënshtruar e duke deformuar kurrizin njerëzor, duke u vënë në udhëkryqin e theqafjes dhe për pasojë duke u thelluar në zhytjen e alarmit shpirtëror, duke vazhduar drejt një ikje në humbëtirën e vendeve të ndryshme të botës.

 Ne jemi dëshmitarë se ç`po ndodhë sot, se sa keq janë degraduar disa moralisht, se sa janë zhveshur shpirtërisht nga qenësia e karakteri i shëndoshë atdhetar e njerëzor.

 Në shume medie tona gjejnë vend aq shume shëmtitë dhe garat e shthurjes morale aq sa fitohet përshtypja se ato janë shtëpi publike.

 Një gjendje tillë erdhi gjithnjë e më shumë duke u përkeqësuar, sepse politikat e shtrembëruara, politikat e interesave të ngushta individuale, partiake e shoqërore, ata që janë falur te armiqtë, te djajtë e bijtë e tyre si armiq shekullor të shqiptarëve, duke falur te miqtë e shtirur e të tjera e të tjera, e kanë bërë Atdheun e tyre si leckë, interesin kombëtar e shoqëror si paçavure. Të gjitha këto e kanë degdisur një pjesë të madhe shqiptarësh në kundërthënie shpirtërore, por disa edhe në një gjendje pa-shtegdalje e pa vizion për të ardhmen, në një kredhje mjerimi, duke jua humbur shpresat se Shqipëria bëhet, se në trojet shqiptare ka perspektivë etj.,  Pra thënë më qartë, t`ia shthurës moralin atdhetar e njerëzor njerëzve tuaj ju ke bërë shërbim armiqve.

 Ne i theksojmë këto të meta, jo për të rënë në batakun e pesimizmit, e jo për të mos gjetur zgjidhje dhe jo për të futur huti e krijuar gjendje të pështjellimesh shoqërore, por pikërisht për të kuruar këto të meta, pikërisht për të dhënë ndihmesën tonë drejt rritjes së forcave shpirtërore kombëtare e njerëzore dhe shtimin të mundësive për evitimin sa më shumë të këtyre shëmtimeve që janë helmuese e të padurueshme.

 Kam bindjen se në të gjitha trojet shqiptare kudo ka damarë të shëndoshë atdhetarë e njerëzorë, ka njerëz që janë të lidhur me vendin si mishi e kocka dhe të lidhur fort po ashtu me idealet e shenjta të bërjes së Shqipërisë së Natyrshme  e të Bashkuar, për ta përmbledhur në një Shtet të përbashkët si dhe  me  vizionin e përparimit dhe begatinë Atdheut. Por këtyre forcave ju duhet vetë të jenë më shumë këmbëngulëse për të ngadhënjyer e për t`i shpërndarë mjegullat antishqiptare e për t`i shëruar plagët edhe të së kaluarës edhe të së sotmes. Bijtë dhe bijat më të mirë shqiptarë do të dinë të rreshtohen në krahët e njëri-tjetrit me një vendosmëri për t`ia arritur atyre qëllimeve të shenjta shqiptare në vijimësi me parimet e njerëzore padyshim. Vetëm atëherë mund të ketë paqe e gjendje normale pa plagë që kullojnë padrejtësi e imponime.

 10.3.2017

 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …