Zëdhënësi në Policinë e Kosovës, Baki Kelani, ka konfirmuar se janë arrestuar dy persona të dyshuar lidhur me rastin e Azem Vllasit. M.J dhe A. Ll.
Ai ka thënë se “policia ka ndërmarrë një varg veprimesh për të sqaruar rrethanat me rastin”. “Në bashkëpunim me AKI-në kemi arritur të gjejmë të dyshuarit. Kemi arrestuar dy persona që dyshohet se kanë shtënë në Vllasin”, ka thënë Kelani. Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, Kelani ka thënë se policia ka bërë bastisjen e shtëpive të të dyshuarve dhe ata janë arrestuar në një vend nga Prishtina në drejtim të Ferizajt. “Jemi duke punuar me prokurorët për të kuptuar motivin e sulmit”, ka thënë Kelani. “Është herët të dihet nëse ka qenë rast i përgatitur”.
Kjo është komunikata e plotë e Policisë së Kosovës:
Sot rreth orës 08:00, policia ka marrë informacionin se në rrugën “Hajdar Dushi” në Prishtinë, ka pasur të shtëna me armë zjarri. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes. Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me rast të cilësuar si vrasje në tentativë, ku nga arma e zjarrit ka marrë plagë viktima: (A. V, mashkull, 68 vjeç), shtetas i Republikës së Kosovës, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, ku në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me AKI-në ka bërë lokalizimin e personave të dyshuar.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, lidhur me rastin në fjalë janë arrestuar deri tani dy (2) persona të dyshuar, ku njëri prej tyre (M. J. Viti 1956) dyshohet se është kryerësi i kësaj vepre, ndërsa personi i dyshuari i dytë është (A. LL. viti 1964). Po ashtu Policia e Kosovës ka arrite ta gjejë edhe armën (revole) e cila dyshohet se është përdorur në rast (së bashku me silenciator), e cila është sekuestruar si provë materiale. Njësitet policore janë në realizim e sipër të hetimeve intensive lidhur me rastin, ku kanë kryer bastisje në lokacione të ndryshme të rajonit të Prishtinës. Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar edhe disa dokumentacione dhe dëshmi tjera relevante që ndërlidhen me rastin. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e të gjitha detyrave dhe obligimeve të saja ligjore dhe kushtetuese.