leoni

Komuna e Mitrovicës është e interesuar të mbështet HANDIKOS-in

Nënkryetari komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, ka biseduar me përfaqësuesit e HANDIKOS-it në Mitrovicë, Skender Demi dhe Afrim Peci, për gjendjen në këtë organizatë joqeveritare dhe mundësitë e mbështetjes nga komuna për projektet që i realizon ajo.

Përfaqësuesit e HANDIKOS-it i thanë nënkryetarit Mujka se shoqata e tyre funksion dhe vepron në kushte tejet të vështira dhe se për këtë arsye edhe nuk po mund të realizoj projekte me rëndësi për anëtarësinë e saj.

Ata thanë se HANDIKOS-i në Mitrovicë numëron 873 anëtarë, të cilët janë të angazhuar dhe presin realizimin e projekteve të ndryshme, me të cilat synojnë përmirësimin e kushteve të aktiviteteve dhe jetës së tyre.

Demaj dhe Peci i thanë nënkryetarit Mujka se aktualisht kanë nevojë për mbështetjen materiale të komunës së Mitrovicës për regjistrimin dhe zhdoganimin e një automjeti që është donacion i USAID-it e që është më se i domosdoshëm për veprimtarinë e shoqatës.

“USAID-i na ka dhurua një automjet që po na mundëson kryerjen e aktiviteteve dhe ofrimin e shërbimeve të nevojshme për anëtarësinë tonë e cila siç dihet ka nevoja të mëdha. Me këtë automjet ne transportojmë personelin mjekësor dhe të tjerët deri tek anëtarësia jonë me probleme të lëvizjes, pastaj këta persona i transportojmë për në institucione të ndryshme shëndetësore për ofrimin e shërbimeve dhe kryejmë edhe shumë punë të tjera. Mirëpo, ne nuk kemi mjete për regjistrimin dhe zhdoganimin e automjetit, andaj na duhet patjetër mbështetja e komunës”, thanë ata.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, tha se drejtuesit e komunës i mirëkuptojnë problemet dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet HANDIKOS-i, andaj edhe kanë vullnet dhe gatishmëri për të ndihmuar aq sa lejojnë mundësitë buxhetore.

“Ne do të angazhohemi për të bërë zgjidhje edhe sa i përket mbështetjes për regjistrimin dhe zhdoganimin e këtij automjeti, por edhe për sigurimin e një hapësire më të përshtatshme për veprimtarinë e shoqatës, si dhe mbështetje edhe për projekte të tjera me rëndësi për anëtarësinë e shoqatës”, tha ndër të tjera Mujka.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …