Asnjëherë kryeministri i Shqipërisë, që për më tepër ka edhe shumicën parlamentare, nuk ka qenë më i kërcënuar në jetën e tij se sa ndodh sot me Edi Ramën. Është diçka jashtë së zakonshmes në një botë pluraliste, në një vend normal me jetë normale, anëtar i aleancave të fuqishme ndërkombëtare; në fund të fundit është diçka që mendja e zakonshme e njeriut nuk e përtyp dot.
Edi Rama, vetëm në ditët e fundit është kërcënuar publikisht disa herë rradhasi nga shefi juridik i opozitës, Basha, deri me varje në litar, kokëposhtë, pas pushkatimit, si ka ndodhur me liderin fashist Duçe. Është kërcënuar se do të përfundojë në ujrat e lumit Lana. Nga ish shefi i qeverisë dhe kryetari de fakto i opozitës, Berisha është kërcënuar se do të tërhiqet zvarrë deri në fundin e tij. Nga gazetarë –analistë, shumë afër dhe të mirëpaguar nga opozita është kërcënuar se askush nuk do e dijë fundin e tij. Në fund, edhe nga gazetarë të afërt me aleatin e tij në pushtet u kërcënua se, nëse nuk e lëshon drejtimin e qeverisë, do të rrijë, jo vetëm pa dhëmbë, por edhe pa b..thë.
Në të vërtetë ky Rama, është ndër ato shefa qeveritarë që është rrahur shtazërisht kur ishte gazetar, pikërisht nga këto që e kërcënojnë sot brutalisht; është kërcënuar me vdekje me fjalimin më të bukur mortor kur ishte lideri i opozitës, pikërisht nga Berisha; janë nxitur turma njerëzish për të bërë linçimin e tij, jo thjeshtë politik, por edhe fizik. Në çadrën e ngritur përballë zyrave të tij, prej pesë javësh, kërkesa ultimative për largimin e tij shoqërohet me thirrjet halucionante që tentojnë të nxitin krijimin e ndjenjës së ankthit, të frikës dhe mandej të tërheqjes së shefit të qeverisë dhe liderit të partisë politike, historikisht dhe realisht më të madhe në vend, PS-së.
Jam i bindur se asnjëherë më parë dhe asnjëherë më pas nuk ka ndodhur e as nuk do të ndodhë një krisje e tillë delirante në rradhët e një partie si PD, e cila synonte të ishte thellësisht evropiane dhe moderne. Në vend të saj, një turmë linçuesish politikë e jo vetëm politikë, duke ngritur një çadër pikërisht në vendin ku kanë vrarë qetësisht , përballë zyrave , nga të cilat kanë kërcënuar mizorisht se janë të gatshëm të vrasin edhe 30 apo 300 të tjerë, tashmë e ka hapur krahun e goditjes; arsyeja është zevendësuar me dhunën, mendimi ia ka lënë vendin harbutërisë, dhe, mjerisht, përçohen sot thirrje kobzeza për shkatërrimin e vendit.
Është e vërtetë, pluralizimi ka lindur në dhjetorin e vitit 1990, por, njëkohësisht me të, pikërisht nga ata që menduan të përçonin idetë pluraliste, erdhi edhe dhuna mentigashe, e egër, e çjerrët dhe mizore.
Këtë frymë tani, 26 vite më pas, pa pyetur për qetësi e dashuri politike, ata po synojnë ta përcjellin edhe një herë. Ultimatumi politik për një qeveri teknike, i shoqëruar me kërcënimin për varje në litar e tërheqje zvarrë, si dy alternativat e vetme për zgjidhjen e çështjes së ngritur me artificin politik të frikës, nuk lënë shtegun e dialogut dhe, sado të ketë përpjekje nga larg të forcave të tjera politike për të qenë të arsyeshme, ata janë ende nën hijen e asaj që askush nuk e di se çfarë do të ndodhë.
Klima e krijuar ka një drejtim: largimin e Edi Ramës, krijimin e një qeverie teknike, shtyrjen e zgjedhjeve deri sa PD të bëhet gati, largimin e Vetingut, krijimin e një mjedisi të lëvizjeve amorfe, largimin e kryetarëve të bashkive dhe të drejtuesve në institucione të tjera, lëvizjet në policinë e shtetit, të cilën, ata që e bënë armë politike tani e quajnë tejet të politizuar; rigjallërimin e lëvizjeve militante, deri të armatosura si në vitin 1991, dhe, më pas, kur të jenë dhënë garancitë për të gjitha këto, të hidhen zaret e një loje më të madhe politike.
A duhet të largohet Edi Rama dhe të hapë rrugë një qeverie teknike, gjithë përfshirëse, me të mundurit e pandëshkuar, me asnjanës, me ato që qëndrojnë në dy karrike njëherësh, me teknicienë, e ndoshta edhe me ndonjë përfaqësues të zgjedhur nga shumica qeverisëse?
A do të mund të qetësohet vendi pas kësaj lëvizje, nëse Edi Rama bie dakord për këtë rrokadë politike?
Shqipëria e ka një shembull domethënës me krijimin e qeverive të tilla hibrid dhe ndodhitë pas rënies së saj. Pas kërcënimeve të këtij lloji , por jo të këtyre përmasave, qeveria e pas marsit të vitit 1991, e një shumice të majtë, lejoi krijimin e një qeverie të përbashkët, e quajtur Qeveria e Stabilitetit me një mandat të caktuar deri në zgjedhjet e vitit 1992.
Kërcënimet dhe bubullimat për krijimin e saj erdhën pikërisht nga ata që kërcënojnë sot me vdekje Edi Ramën. Mbi të gjitha nga ulërimat politike dhe keqndjellëse të Berishës.
Pak muaj më pas, pikërisht kjo qeveri, përsëri nën kërcënimin e Berishës, u shkatërrua. Ishte një natë tragjike, në të cilën, një ministër i devotshëm, i deleguar nga demokratikasit, profetizoi se, pas prishjes së qeverisë, ai sheh gjak. Qeveria u prish, Shqipëria hyri në rrugën e mjerimit paspluralist, i vetmi njeri që qeshi, fërkoi duart dhe “fitoi”, ishte Berisha dhe ustallarët e tij në Serbi që, përmes të deleguarve të tyre, i dërguan fjalë të prishë një qeveri që po stabilizonte vendin dhe që mund të dëshmonte se mund të kishte jetesë të përbashkët.
Pra, shembulli është. Një qeveri e prishur, kur nuk ka asnjë shkak për prishjen e saj, sjell kob.
Edi Rama edhe mund ta ketë idenë e një qeverie teknike, pavarësisht nga ajo që deklaron. Unë nuk e besoj se do të ndodhë, por trysnia mbi të ka treguar se mund të ketë ndikim. Trysnia nuk po bëhet vetëm nga opozita, por edhe brenda llojit, dhe kjo e fundit është edhe më e ndjeshme.
Tashmë, pavarësisht kohës, askush nuk e di se çfarë do të ndodhë me koalicionin e tashëm, kur liderët flasin tjetër gjë dhe krahët e liderëve flasin diçka tjetër. Nëse është për t’u prishur, le të marrë fund dyzimi i përnatshëm: do të prishet, nuk do të prishet; do të vazhdojë, nuk do të vazhdojë.
Nuk ka asnjë shkak që Edi Rama të tërhiqet dhe të lerë që rruga të vendosë mbi mendjen dhe mbi vullnetin e katër viteve më parë.
Çdo gjë e ngritur nga opozita, duke pasur një fillesë të vërtetë, është hiperbolizuar për të shkuar drejt synimit të shkatërrimit të zgjedhjeve, për dy arsye themelore: të bindur se humbin thellësisht, dhe se, vonesa e Vetingut prej mungesës së tyre është rruga e shpëtimit.
Sipas anketave të ndryshme, jo gjithnjë të sakta, rreth 30 përqind e njerëzve në Shqipëri , duan të ketë një qeveri teknike. Në vitin 2009 ishin më shumë se 50 për qind e njerëzve që kërkonin shumë më pak se kaq: rinumërimin e votave në disa zona. Qeveria Berisha iu përgjigj me një akt shemtaraq: djegjen e fletëve të votimit buzë një lumi, në natyrë, si të thonte se këto janë fletushka kot, që as marrim mundimin të bëjmë kujdes për to.
Por edhe nëse më shumë se gjysma e njerëzve të duan një qeveri teknike, ky nuk është shkak për krijimin e një precedenti politik e legjislativ:ndërprerjen e mandatit përmes ultimatumeve apo anketimeve publike. Kjo do të sillte ndërprerje të tjera në gjysmë të mandateve politike, pikërisht atëherë kur shpresa zë e lodhet dhe aspirata nuk duket.
Rama, si shef i qeverisë, është mandatuar nga PS, dhe kjo e fundit është votuar në shumicë dërmuese nga ai që quhet sovrani, me emrin e të cilit tallen të gjithë, siç po ndodh në Çadrën e bulevardit.
Si shef i qeverisë ai mund të tërhiqet, por nuk mund të tërheqë pas vetes edhe tërheqjen e së majtës, sepse nuk është as e drejta e tij dhe as forca e tij për të bërë këtë. Nëse ai lë vendin e tij si shefi i qeverisë, atëherë duhet të lërë edhe vendin si lider i socialistëve, të cilët mbijetojnë edhe pa të, por ai nuk bën dot pa to.
Në bilandin e qeverisjes së tij të deri tashme, Edi Rama, veç asaj që ka bërë mirë, ka lënë edhe shenja që nuk duheshin lënë, sidomos ndaj premtimit të tij kryesor: ndëshkimin e krimit dhe të zullumeve berishiane. Ndoshta për këtë ai do të gjykohet rreptësisht në zgjedhjet e 18 qershorit, por do të mbështetet fort nëse deri në fund rri në të njëjtin mendim ku është edhe shumica e njerëzve që besojnë tek ai.
Nëse Rama tërhiqet atëherë ai do të jetë edhe njeriu që do të mbajë peshën kryesore të situatës që do të rrjedhë pas saj, dhe ajo nuk do të jetë hiç e mirë. Çadra është fillesa e djallit që kërkon të dalë jashtë shishes. Largimi i Ramës do të ishte hapja e kësaj shisheje dhe nëse ndodh fajtore nuk do të jetë vetëm opozita, por edhe ai. (Dita)