Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Bashkimi i shqiptarëve siguron balanca politike e siguri në Ballkan

      Çështja shqiptare ka filluar që në kohën e Krizës Lindore (1875/78), dhe si e tillë ka ardhur deri në ditët tona.  Kjo çështje kaherë është shtruar për një zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme. Kjo çështje ishte e shtruar edhe në Kongresin e Berlinit, të filluar më 13 qershor 1878. Ku troje të pastra shqiptare ju dhanë Serbisë dhe Malit të Zi. Një zgjidhje të drejtë, por të pjesshme shqiptarëve ua siguroi lufta çlirimtare e organizuar nga Lëvizja Kombëtare për Çlirim (e Fshehtë) e udhëhequr nga SHP i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me Komandantin Legjendar Adem Jasharin.  E cila luftë, më shumë për çështje humanitare u mbështet nga SHBA-të, BE-ja dhe Aleanca Veriatlantike (NATO) dhe rezultoi me çlirimin e Kosovës në qershorin e vitit 1999. Pas tetë viteve të Administrimit ndërkombëtar, në koordinim me komunitetin ndërkombëtar më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj. Ky akt i arritur në koordinim me faktorin ndërkombëtar, i bëri një korrigjim padrejtësive historike që u ishin bërë shqiptarëve në vitin 1878 në Berlin dhe më 1913 në Londër.

       Çështje shqiptare (e Kosovës) dhe ajo e Maqedonisë Perëndimore, si problem më vete, na dalin sidomos pas viteve 1912-1913, mu atëherë kur përgjysmë qe ndarë Shqipëria. Shqipëria u nda më shumë se përgjysmë nga një Konferencë Ndërkombëtare (Konferenca e Ambasadorëve në Londër), shumë vendime të asaj Konference nuk u përfillën, përpos vendimit për copëtimin e Shqipërisë e të shqiptarëve. Ndodhi kështu se shqiptarët ishin të pa krah (mbështetje).  Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër arritën ta kufizojnë Shqipërinë londineze me shqiptarët në tërë kufirin e saj kontinental. Sigurisht që ky ishte një rast sui generis në historinë e përbotshme. Pasi Shqipëria në tërë kufirin e saj tokësor kufizohej “nis e sos” vetëm me shqiptarët. Para viteve të përmendura, për të gjitha trojet shqiptare në Ballkan, ka pasur vetëm një emër – Shqipëri. Këtë e vërtetojnë burimet historike si të lindjes ashtu edhe të perëndimit.

 

I kujt është termi “Shqipëri e Madhe”?

     Termi “Shqipëri e Madhe” është krijesë e shovinizmit serbomadh, i cili më 1912-1913 pushtoi e mbajti të okupuar Kosovën dhe trojet shqiptare në Maqedoninë Perëndimore deri në qershorin e vitit 1999. Ndërsa në vitet 1876/78 ata (serbët) kishin arritur ta pushtonin Shqipërinë e Toplicës nga e cila i patën dëbuar, banorët e mbi 500 fshatrave. Ky shovinizëm, me të tjerët përreth, çdo përpjekjeje të shqiptarëve për çlirim e bashkim kombëtar e quanin përpjekje për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Në të vërtetë shqiptarët as kanë kërkuar, as kanë luftuar e as kanë hartuar plane dhe elaborate për të rrëmbyer toka të huaja e as për të robëruar e shfarosur popuj të tjerë që ta krijonin “Shqipërinë e Madhe”. Nisur nga kjo, askush nuk ka të drejt që kërkesën e drejtë të shqiptarëve për bashkim kombëtar, për ruajtjen e tërësisë tokësore, t’i cilësoj si kërkesë a përpjekje për krijimin e  “Shqipërisë së Madhe”, veçse kërkesë për krijimin e një Shqipërie të shqiptarëve, aty ku shqiptarët ishin e janë shumicë edhe sot e kësaj dite. Jam i bindur se bashkimi i shqiptarëve në një union a federatë, jo vetëm që nuk do të prodhonte destabilizim e pasiguri në rajon dhe as do të ishte “kundër produktiv”, por do të siguronte balanca politike e siguri më të madhe në Gadishullin Ballkanik. Përkundrazi, ndarja e shqiptarëve do të nxitë apetite për agresion e konflikte të reja në Ballkan. Deklarimet kërcënuese që vijnë nga Serbia dhe gjendja në Maqedoni ku antishqiptarizmi është bërë armë për Presidentin e  Gruevskit e kompani, e konfirmojnë ketë që po e them. Vetëm bashkimi i shqiptarëve në një Union a Federatë, do t’i shuante apetitet për agresion mbi shqiptarët dhe trojet e tyre.

     Shpresoj që faktet që do t’i sjellim më poshtë e që janë kryesisht burime të jashtme, do ta vërtetojnë atë që ceka më lart. Historiani frëng, Edwin Jacque, në librin e tij Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme shkruan: “shqiptarët janë vazhdues autokton të popullsisë së lashtë ilire, të cilët as u asimiluan nga dyndjet e më vonshme”. Ndërsa historiani tjetër frëng, Philippe de Mezieres, në veprën të tij të shkruar pas Betejës së Kosovës (1389) shkruan: “Me mëshirën e Zotit u pengua shpata e Muratit. Në këtë vit (1389) sulltani pësoi disfatë plotësisht në Shqipëri.” Kjo do të thotë se shqiptarët jo vetëm morën pjesë dhe luftuan heroikisht në atë betejë, në Betejën e Kosovës, por ajo u zhvillua në trojet e tyre, ne Shqipëri.

     Edhe një burim osman në fundit të shekullit XIV, tokat shqiptare i ndan në 10 sanxhaqe që i përfshinë trojet që edhe sot janë të populluara me shumicë nga shqiptaret, si: 1. Shkodra, 2. Ohri, 3. Vlora, 4. Janina, 5. Elbasani, 6. Delvina, 7. Shkupi, 8. Dukagjini, 9. Vushtrria, 10. Përzëreni. Pra si atëherë ashtu edhe sot ajo hapësirë është e banuar nga shqiptarët.

     Ketë që e thash më lartë e konfirmon edhe dëshmia e gjeografit dhe e udhëpërshkruesit osmane, Evlia Çelebiu, i cili në vitet 1660-1662 ishte për inspektim (udhëtim) në Elajetin e Rumelisë, ishte edhe në Shqipëri. Në veprën e tij Sejahatname (Libri i Udhëtimeve) shkruan:  “Lumi Llab (Llapi) që kalon nëpër fushën e Vushtrrisë, vjen nga Shqipëria (Arnavutlluku).” Nga kjo del se lumit Llap dhe fusha nëpër të cilën kalonte ai ishte Shqipëri. Po ashtu edhe një dokument anglez i fundit të shekullit XVII, ardhjen e gjeneralit austriak Pikolomin e përshkruan kështu: “Pikolomini, edhe pse nën ethe, vazhdon udhëtimin për Prezeren ku pritet nga arqipeshkvi i Shqipërisë dhe patriku i kelmendasve.” Këtu, me siguri, fjala ishte për Pjetër Bogdanin e famshëm. Edhe kufijtë që përshkruhen nga udhëtarët e shek XIX, J. G. Han dhe H. Bue, përfshijnë kryesisht tokat që ishin të banuara me shqiptarë edhe para shek. XIX, por që janë edhe sot. I solla këto fakte për të dëshmuar se para viteve 1912-13, Shqipëria ishte e pushtuar por s’ishte e copëtuar.

Kërkesa jonë për t’u bashkuar në një shtet shqiptar, ku shqiptarët do të përbënin shumicën e domosdoshme etnike nuk  duhet parë si kërkesë për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”,  por, vetëm si kërkesë për një Shqipëri të shqiptarëve. Për këtë, ne shqiptarët as duhet të skuqemi e as të kemi drojë se po gabojmë. Le të skuqen ata që na mohojnë  këtë të drejtë – TË DREJTËN E ÇLIRIMIT DHE BASHKIMIT KOMBËTAR.  Gjithashtu le të skuqen edhe ata shqiptarë që kërkojnë krijimin e identiteteve të “reja” nga  komb shqiptar. Ndarjen e shqiptarëve as si komb e as si gjuhë nuk arritën ta bëjnë shekujt e shumtë robërie  e as armiqtë e egër, madje as këta të fundit. Ndërsa disa shqipfolës që sot janë për globalizmin me gjithë të tjerët në Evropë e Botë, e kur është fjala për bashkimin e kombin shqiptar, ata nuk hezitojnë të dalin me idetë për copëtimin e kombit e të gjuhës shqipe?! Kërkojnë integrimin me të gjithë të tjerët dhe dezintegrimin e një kombi edhe ashtu të vigël numerikisht.

    Nëse të gjitha kombet e Evropës kanë të drejtë të jetojnë në shtetet e tyre etnike e demokratike, pse kjo e drejtë t’ju mohohet Shqiptarëve? Ndodh kështu se në mesin tonë ka shumë mohues!

    Politika më shumë se 100-vjeçare gjenocidale e Serbisë ka planifikuar e programuar për dëbimin dhe shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës dhe të trojeve tjera të pushtuara shqiptare, ka bërë të mundur që sot, jashtë trojeve shqiptare, në Anadoll (Turqi), në Evropën Perëndimore, SHBA etj., të jetojnë më shumë shqiptarë se sa që jetojnë në Kosovë, Shqipëri, e Maqedoni Perëndimore dhe trojet tjera etnike marrë se bashku. Jo vetëm ky fakt, duhet t’i bëjë shqiptarët kudo që janë, të mendojnë për një gjuhë e një shtet shqiptar. Prodhim i kësaj politike serbe ishte edhe lufta e viteve 1998/99 e cila kishte për qellim zhdukjen e tërësishëm ose të pjesshme të kombit shqiptar në Kosovë.

    Shekujt e ndarjes se shqiptarëve, veç robërisë, pasigurisë e varfërisë, nuk u kanë sjellë asnjë të mirë të vetme. Ndonëse shqiptarët, në një formë a tjetër disa herë u detyruan të pranojnë shkëputje territoresh e zgjidhje gjysmake, gjithnjë në dëm të tërësisë së tyre territoriale e kombëtare?! Një gjë është e sigurt, nga copëtimi i tokave dhe i kombit shqiptar, shqiptarët deri me sot asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë “produktivitet”! Për ketë jam më shumë se i sigurt.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …