Intervistë për Radion Kosova e Lirë nga Marigona Çeta, bija e dëshmorit të kombit, Emrush Çeta
RKL: Marigona, mirë se erdhët në Radion-Kosova e Lirë!
Marigona Çeta: Mirë se ju gjej, është respekt për mua të jem pjesë e juaja. Gjithashtu përgëzime për punën qe bëni për vlerat tona si popull dhe gjithë puna e sakrifica të kujtohen.
RKL: Jeni vajza e dëshmorit të kombit, Emrush Çeta, jeni e nderuar dhe e respektuar që keni pasur një baba luftëtar i cili jetën ia kushtoi çlirimit të Kosovës. Si e kujtoni sot babanë Tuaj të dashur?
Marigona Çeta: Faleminderit së pari për këto fjalë, po unë jam vajza e dëshmorit Emrush Çeta e gjithashtu mbesa e një atdhetari të madh, Çaush Çeta, të jesh vajzë dëshmori e gjithashtu një vajzë qe rrjedh nga një familje me tradita dhe vlera sa është krenari dhe privilegj është edhe përkushtim dhe punë për të mbajtur dhe për të quar përpara amanetin e tyre. Aq sa rritem, kujtimet për babin janë me të plota, unë kam qenë në moshën katër vjeçare kur ai ndërroi jetë e ndoshta nuk kam pas edhe shumë kujtime për te, por për mua është njeriu që çdo moment e kam motiv për të vazhduar përpara, ai jo vetëm qe ishte liridashës i madh por edhe një punëtor dhe një burrë i urtë. Liria për të ka pas vlerë të madhe e këtë e ka dëshmuar edhe gjatë luftës.
RKL: Kush ju ka pagëzuar me këtë emër domethënës, dhe a mund të na thuash disa të dhëna biografike
Marigona Çeta: Me vjen mirë qe sot mbaj një emër kaq domethënës për mua e që këtë e kam dhuratë nga gjyshi i ndjerë, Çaush Qeta. Atëherë, unë jam Marigona Çeta nga komuna e Burimit, rrjedh nga një familje me tradita të mëdha të cilat në një mënyrë të veçantë mundohem ti ruaj. Kam përfunduar studimet në degën e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, e tani vazhdoj studimet Master po në të njëjtën degë. Gjithashtu punoj si zhvilluese e softuerit në një kompani prej me se një viti. Për momentin jetoj dhe punoj në Prishtinë.
RKL: Sa herë vjen Janari çfarë përshkon qenien tënde?
Marigona Çeta: Kur vitet kalojnë ndenja e dhembjes ndoshta zbehet nga krenaria e madhe, Janari jo vetëm përvjetorin e babit por në vete ngërthen plot tjera përvjetorë, e mund të them qe është një ndër muajt me të përgjakshëm e qe tani ndër vite bartë krenari e sakrificë të denjë. Në këtë muaj datat që ngjallin kujtime të mëdha janë datat 27, 28, 29 Janar, krenaria për atë çka babi im së bashku me shokët e tij të rënë ato ditë Janari është shumë e madhe. Natyrisht mungesa e tij tek unë ka qenë e pazëvendësueshme, por ajo çka ai dha për Kosovën ka vend të pashlyeshëm në historinë tonë. Prandaj Janari jo vetëm që zgjon kujtime por njëjtën kohë qartëson edhe me shumë atë se çka duhet bërë për shtetin tone dhe për ne si fëmijë të dëshmoreve kemi shumë për të bërë.
RKL: Marigonë e nderuar, Lufta, e cila natyrisht la gjurmët e saj, la plagët e saj, sa gjeni përkrahje nga shokët e babait Tuaj?
Marigona Çeta: Natyrisht, lufta ka lënë shumë kujtime e plagë tek të gjithë ne në një mënyre ose tjetër, por kujtimet dhe krenaria na mbanë të fortë, përkrahja mund të them se është një ndër elementet kyçe me çfarë ne ecim përpara kështu qe, shokët e babit kanë dhënë dhe prapë vazhdojnë të japin një përkrahje, e ndoshta shumë here janë ata qe ngjallin kujtime të bukura për të.
RKL: Sukseset e arritura janë rezultat i angazhimit Tuaj, kujt ia dedikon ato?
Marigona Çeta: Sukseset e mia dhe karriera ime e them me plotë krenari qe është meritë e familjes sime, natyrisht këtu hynë edhe puna ime e madhe për të arritur ku jam gjerë me tani. Babi im ka qenë duke ndjekur studimet në Universitetin e Prishtinës, por qe fati deshi ti mbetën në gjysmë, prandaj mendoj se ai ka qenë edhe motivi kryesor për arritjet e mia në këtë degë të studimeve. Andaj gjithë puna ime, sukseset e mia dedikohen të gjitha familjes e në veçanti nenës e cila pas vdekjes së babit kishte rol të dyfishtë në rritjen dhe edukimin tim dhe të vëllait.
RKL: A mendoni se Qeveria e Shteti i Kosovës ka bërë sa duhet për dëshmorët e në këtë mes edhe për familjet e tyre?
Marigona Çeta: Duke pasur parasysh vitet që kanë kaluar, dhe punët që janë bërë në këtë aspekt nuk mendoj që është bërë edhe shumë, sepse plot familje si ato të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve në ditët e sotme jetojnë në kushte jo të mira. Por sa i përket shkollimit e sidomos atij universitar, zbritjet e ofruara mendoj qe janë një ndihmesë e mire për ne. Prapë se prapë duke parë qe ne fëmijët e dëshmorëve tani me jemi pothuajse të gjithë të një moshe madhore dhe disa prej tyre edhe mund të jemi të punësuar është në dorën tonë se sa duam të bëjmë për vendin tonë apo të qojmë përpara amanetin e prindërve tanë të vazhdojmë rrugën e tyre, por e gjitha kjo arrihet me punë dhe përkushtim.
RKL: Në emër të stafit të Radios dhe dëgjuesve tanë Ju përshëndesim dhe iu falënderojmë përzemërsisht për intervistën!
Marigona Çeta: Ju falënderoj edhe juve shumë për rastin e dhënë, shpresoj që jo veten ju si radio të jeni zëri i luftës por edhe në plot mënyra tjera mos ta harrojmë të kaluarën, sepse vetëm duke mbajtur mend të kaluarën tone të lavdishme mund të ecim përpara.