Sot po përkujtojmë 18 vjetorin e rënies së dhjetë dëshmorëve të familjes Rama.
Në ato troje ku edhe sot vazhdojnë të jetojnë familja Rama, si sot e 18 vjet më parë, u barrikaduan në llogore lufte – përballje e përmasave të papara heroike qëndrese, bese, trimërie, dashurie për njerëzit e vendin, sakrificë e flijim. U përsërit epopeja e lavdishme e familjes Jashari të Prekazit.
E nderuara familja Rama, ju përshëndes nga kjo foltore shumë përzemërsisht dhe përulësisht, në këtë përvjetorë të 17-të.
Përvjetorët e dëshmorëve, përveç përkujtimit për atë vepër sublime që bënë për ne, vendin e popullin tonë, duhet të jetë edhe një mësim historie i paharruar për këtë brez, dhe për të gjithë brezat, në mënyrë që ta kenë parasysh se sa e shtrenjtë është liria. Të mësojnë brezat e tashëm dhe ata që do të vijnë, se kjo sakrificë mbinjerëzore e dëshmorëve Rama, por edhe e të gjithë dëshmorëve të luftës së fundit çlirimtare, dhe gjatë gjithë historisë, do të duhet të ruhen, të përkujtohen, por edhe të kërkojmë që jeta në liri të ketë kuptim dhe përmbajte, atëherë kur t’i ketë të plotësuara domosdoshmërish kushtet që garanton liria, si në të gjitha vendet që gëzojnë atë. Liri do të thotë të ketë jetesë të garantuar për njerëzit, punë, ekonomi, zhvillim, arsim, paqe, siguri. Këtë kanë pasur në mendje dhe zemër të gjithë dëshmorët, kur morën rrugën e çlirimit e të lirisë.
Është e pashtershme dëshira e të gjithëve që të mësojmë për dëshmorët, të dimë pra edhe për dëshmorët Rama që sot po i përkujtojmë në këtë tubim të 17 vjetorit të rënies së tyre.
Sigurish nuk është vetëm kureshtja, por dhe dëshira dhe obligimi të dimë, si për të gjithë dëshmorët tanë, edhe për dëshmorët Rama dhe familjen e tyre. Kush ishin, si jetuan, në cilat kushte punuan, u organizuan, vepruan, luftuan dhe u flijuan.
Të parët e Familjes Rama ishin njerëz të thjeshtë që vendosen të jetojnë në trevën e Gollakut, përkatësisht në fshatin Kolaj. Nezir Rama – stërgjyshi i dëshmorëve – ishte përfshirë në luftën për mbrojtjen e Shkodrës nga pushtuesi malazez, në vitin 1912. Që këtu shohim pikënisjen e Ramajve në shërbim të vatanit. Këtë traditë për liri e trashaguan edhe nipërit, stërnipërit e stërmbesat e tij – dëshmorët Ramajt që sot po i përkujtojmë.
Familja Rama ndërkohë u vendosen nga Kolaj për në Shkabaj të Obiliqit. Këtu jetojnë në një lagje, me shtëpitë afër njëra-tjetrës edhe sot e kësaj dite. Me veprimet, qëndrimin, sjelljen e familjarëve të kësaj familje, krijuan raporte e marrëdhnje shumë të mira me banorët përreth. Punuan dhe siguruan ekzistencën me punë të ndershme e të pastër. Me përkushtim e sakrificë arritën t’u jepnin edukatë e arsim bijve të tyre, për të qenë edhe më të përgatitur për familje e jetë.
Zhvillimet politike, sidomos pas demonstratave të filluara nga studentët më 1981, të përkrahur më pas nga nxënës, punëtorët e minatorët, do të ndikojë tek anëtarët e familjes Rama, e cila kishte traditë rezistencën e luftën kundër pushtuesit.
Ne fillim të viteve ’90 sidomos, filloi të komplikohej e të vështirësohej edhe më shumë jeta e popullit tonë. Dihet pra se si u krijuan kushtet e ekzistencës, rrethanat e pasojat e përndjekjeve, largimit nga puna, reprezaljet, burgosjet, vrasjet. Po ashtu u shfaq një defensive e politikës, të quajtur paqësore, e cila po krijonte iluzione për fitore me mjete paqësore. Për fat të keq të popullit, nuk kishin marrë mësime nga lufta çlirimtare e Sllovenise dhe sidomos e Kroacisë, apo e gabimeve të politikës së Bosnjës e Hercegovinës. Përkundrazi, vazhdohej me kokëfortësi në këtë rrugë të gabuar, çka kishte ndikim të madh në popull, në këtë periudhë. Njerëzit në fillim të viteve ’90 nuk ishin të shumtë në përkrahje të rrugës së armatosur. Kjo gjendje e vështirësonte edhe më shumë aktivitetin edhe të luftëtarëve e familjes Rama. Prandaj duhej kujdes dhe punë në fshehtësi të madhe në fshat e në qytet.
Ishin këto disa të dhëna, për të na njohur se në çfarë kushte e rrethana, vepruan e punuan djemtë e familjes Rama.
Për shkak të këtyre rrethanave, tre djem nga gjiu i fmiljes patriotike Rama, bënë lëvizje në drejtim të organizimit për kryengritje të armatosur kundër pushtuesit, si mjeti i vetëm për arritjen e lirisë.
Fillimisht, Dëshmori i Kombit, Agron Rama ishte ai që u aktivizua dhe udhëhoqi tërë aktivitetin politik e patriotik të kësaj ngjarjeje. Më vonë ai e pa të udhës edhe nga zelli e interesimi i treguar nga vet ata, angazhoi edhe Farukun dhe Albertin. Që të tre ishin veprimtarë të organizuar politik dhe ushtarak.
Padyshim që si familje me traditë të gjatë patriotike, nuk ka periudhë historike që nuk i ka dëshmorët e luftarët nga gjiu i kësaj familje, që nga koha e Pavarësisë së Shqipërisë, Lufta e Dytë botërore, persekutimet e më vonshme, e deri në luftën e fundit çlirimtare, domosdo që familja i frymëzoi e ndihmoi praktikisht veprimet e këtyre tre djemve tw tyre. Babai i Agronit e Albertit, Ismeti dhe babai i Farukut Izeti, dinin për veprimtarinë e tyre dhe i ndihmonin shumë bijt e vet. Më vonë, edhe anëtarë tjerë të familjes së gjerë do të bashkohen me ta, dhe si finale, në ditën flijimit nuk do hezitojnë të bien së bashku ashtu siç ishin tërë kohës, të bashkuar dhe të pandarë.
Agroni, Faruku dhe Alberti, që nga viti 1996, nuk do ti ndalin aktivitetet e tyre dhe deri në fund. Lufta, rezistenca dhe rënia e tregojnë këtë vendosmëri. Ata sakrifikuan ëndrrat, dëshirat, detyrimet familjare dhe personale, dhe vetë jetën e tyre të re, veti këto vetëm e dëshmorëve, të këtyre dishepujve, falë të të cilëve ka mbijetuar populli, vetë kombi ynë në shekuj deri në ditët e sotme.
Në veprimtarinë organizative, ata ishin të vendosur dhe në marrëdhënie me njerëzit të ngrohtë e të afër. Agroni u shpjegonte me maturi e durim të gjithëve, se si duhej patjetër t’i bashkoheshin rezistencës dhe luftës së armatosur. Argumenti kryesor në këtë fazë ishte bindja për organizimin e domosdoshëm të kryengritjes së armatosur.
Ata krahas bindjes së popullit për nevojën e organizimit bënin pandërprerë përgatitje praktike për kryengritjen, ata vazhdimisht punonin në krijimin e strukturës ushtarake dhe armatosjen e saj.
Fillet e punës drejt armatosjes tek Agroni datojnë shumë heret, siç ka shenja që pas vitit ’90, kur filloi shembja e ish-Jugosllavisë, ai kishte parë e kuptuar se po vie koha e luftës së armatosur për çlirim, dhe se momenti për këtë po afrohet.
Në veprimtari e sipër ai më vonë, do të rreshtohet në radhë të organizuara dhe do ta zgjeroj edhe më shuam aktivitetin, në të cilën rrugë e pati gjithmonë krah Farukun e Albertin, dhe tërë familjen e gjerë.
Ai me Albertin dhe Farukun, shtëpinë e tyre e kishin kthyer në bazë të fuqishme për luftë të armatosur, në prapavijë dhe front njëkohësisht. Ajo tanimë u bë baza më e fuqishme dhe e një bosht shumë i rëndësishëm i organizimit të luftës. Ramajt ishin hallka jetike e damarit të luftës që shtrihej që nga shteti amë – e nëpër Dukagjin- Suharekë-Malishevë- Drenicë-Shalë-Prishtinë-Llap-Gollak.
Dita e 27 marsit të vitit 1999
Në këtë ditë pranvere, pasdite, rreth orës 14.30, forca të shumta në njerëz dhe të makinerisë ushtarake e aramtime të rënda e rrethojnë lagjen ku banonte Agron Rama dhe familja Rama. Forcat pushtuese atë ditë ishin vënë në operacionin e shpërnguljes me represion për largimin popullatës jasht Kosovës.
Gjendja ishte e tejet e nderë. Dhjetë luftëtarë, përballë një ushtri e tërë me armatime të shumta. Një përballje vigane heroike – ky ishte çasti Liri a vdekje! Në shpejtësi Agroni me bashkëfamiljarët e tjerë, pas largimit të një pjese të familjes, u barrikaduan së bashku dhjetë luftëtarë të lirisë, të gjithë luftëtarë të familjes Rama. Kështu ata u bënë gati dhe kishin vendosur të qëndronin deri në fund, si heronjtë tjerë gjate historisë së vjetër e të re shqiptare.
Shkak i sulmit të forcave pushtuese, ishte se shtëpitë e tyre ishin bazë e luftës ndërsa Dëshmorët atëkohë ishin ushtarë, organizatorë dhe përkrahës të luftës për çlirim.
Ata kishin prerë mendjen të sulmonin repartet armike posa të afroheshin.
Në murin rrethues të shtëpisë, erdhi koha që aty ta vendosë tytën e pushkës. Pasi u shtrënguan radhët, Ramajt filluan pushkën, atyre u printe Agroni.
Djem, me prindër, axhallarë, motra e gra…bashkërisht, sypatrembur… ballëpërballë me pushtuesin, me vetëdije të lartë njerëzore e patriotike, me të vërtetë qëndresë e përmasave legjendare kundër pushtuesve të trojeve tona. Vëllezërit e kusherinjtë, nuset e vajzat e përkrahën deri në çastin e fundit – babë Ismeti, Xhevati me shumë heroizëm qëndroi me dy bijat e tij Shqipen e Syzanën, poashtu Bejtushi, edhe Xhela me të shoqen Hamidenë, e dhanë jetën për liri, gjëja më e shtrenjtë për çdo popull e çdo njeri. Lufta zgjati deri në rënie të dhjetë dëshmorëve në fushën e lavdishme dhe të nderit. Kështu familja Rama i shndërruan shtëpitë e veta në istikame të luftës për liri dhe familjen e gjerë e bëri theror për vatan. Kjo rezistencë e Ramajve, i dha popullatës tjetër në vendbanimet fqinje, kohë e mundësi të evakuohen në vende më pak të rrezikshme nga fushata e terrori i pushtuesit atë ditë.
Flijimi për popullin dhe atdheun i dhjetë dëshmorëve Rama, i çoi në piedestal – në pikën më të lartë të nderimit, dashurisë dhe përkujtimit të përjetshëm, sa të ekzistojë toka me njerëz. Me trimërinë, me qëndresën, me heroizmin, me sakrificën e tyre, i dhanë hov edhe më të madh luftës për liri – ata bënë epopenë e dytë, pas familjes Jashari të Prekazit.
– Jasharajt i dhanë grushtin fillestar pushtimit, kur dhanë kushtrimin e kryengritjes kundër pushtuesit, ndërsa Ramajt sikur po i jepnin grushtin përfundimtarë hordhive të armikut, pasi që nuk vonoi shumë dhe ata u dëbuan nga Kosova.
Këto sakrifica kaq të mëdha e sublime, të na bëjnë që në çdo moment mos të harrojmë, jo për hakmarrje, por për ta ruajtur kudo dhe kurdoherë lirinë, të paguar kaq shtrenjtë, t’i ruajmë trojet tona sot e gjithë ditën, kudo e kurdoherë.
Si rezultat i kësaj sakrifice, këtë vit, organet shtetërore aprovuan statusin e “Dëshmorit të Kombit” për të dhjetë Ramajt e rënë si vijon:
1: Dëshmorë i Kombit Ismet Halil Rama (1945), dhe dy bijt e tij, Agron Ismet Rama (1969), dhe Albert Ismet Rama (1983).
2: Dëshmorë i Kombit Faruk Izet Rama (1976).
3: Dëshmorë i Kombit Xhevat Qamil Rama (1948), me dy bijat e tij, Shqipe Xhevat Rama (1980) dhe Syzana Xhevat Rama (1974).
4: Dëshmorë i Kombit Bejtush Halil Rama (1959).
5: Dëshmorë i Kombit Xheladin Qamil Rama (1954), me bashkëshorten e tij Dëshmore e Kombit Hamide Rama (1956).
Familjarë Ramaj! Tërë sa jemi këtu, ju urojmë nga zemra titullin e nderit, titullin më të lartë që ka shoqëria për bijtë e vet që flijohen për të. Për informimin tuaj, të nderuar të pranishëm, përveç kësaj, po ashtu edhe organi i presidencës ndau dekoratën “Urdhëri i Lirisë” për kontribut të veçantë të Dëshmorëve Rama, në shërbim të lirisë. Lavdi baballarëve, nënave, vajzave, nuseve, e shokëve tanë Ramaj, që dhanë jetën për lirinë e popullit të tyre!