leoni

Masakra në Nagavc

Vjollca Lisi: Kujtojmë e përkujtojmë që të mos harrojmë

 Sot, në përvjetorin e 18-të të masakrimit të Kosovës, me ndërgjegje qytetare, me besimin në drejtësinë dhe me shpresën e patjetërsueshme te i Madhi dhe i Plotfuqishmi Zot, ne përmendim, kujtojmë, më shumë se ditë të tjera, lirinë e paqen vlerësojmë… Dhe nuk harrojmë, që gjakun e të rënëve të mos e tradhtojmë, që sakrificën e tyre supreme të mos e shpërdorojmë… Kujtojmë, përulemi, nderojmë… Që nesër, të mos jemi ne, viktimat, të vdekurit e pakallur! Dhe ata, të rënët, të vetmit të mbijetuar mbi dhè, nga brezat të shpallur! Ndaj sërish, të ndezur pishtarin e kujtesës, me dhimbjen bashkëudhëtojmë, me veten luftojmë, te vetja diçka të re ndërtojmë… E kurrë nuk harrojmë

(Fragmente nga dëshmia e Abdullah Ismailit, pjestar i familjes së Nënë Hasibe Ismailit, rreth ngjarjeve tragjike të familjes së tij,pjesë e tragjedisë së Kosovës, më 1999. Fragmenti është shkëputur nga libri me fakte, dëshmi okulare -të mbledhur dhe botuar nga Prof. Dr. Beqir Ismaili, pjestar i familjes Ismaili)

“…Pas qetësimit të pjesshëm të gjendjes në Prishtinë -kujton Hoxhë Abdullah Ismaili- si rrjedhojë bombardimeve të NATO-s, mora makinën dhe u nisa për në Fushe-Kosove që të shoh si është gjendja atje.

Vallë a do të ishte gjallë nëna ime? Po dy vëllezërit e mi a ishin gjallë?

Këto pyetje më lindin vetvetiu, sepse atje serbët nuk kishin lënë as drurët e jo më njerëzit, që ishin preja e tyre më e mirë.

Kur arrita në shtëpinë e prindërve, pashë se ajo nuk ekzistonte më! Ishte shkatërruar krejt. Kërkova nëpër shtëpitë e fqinjëve dikënd që të më tregonte se ç’kishte ngjarë.

Por, asnjë prej tyre nuk më përgjigjej, ata i bënin bisht pyetjes sime për nënën dhe vëllezërit e mi. Më thoshin, për të më qetësuar se, me të mbaruar terrori, të gjithë së bashku do ta rindërtonim shtëpinë. Por shtëpia në të cilën ishte derdhur mundi i pesëdhjetë viteve të familjes sonë, nuk kishte më rëndësi për mua. E rëndësishme ishte të dija se ç’bëheshin njerëzit e mi. Ndërsa hyja në ambjentet e djegura të shtëpisë, pashë që biblioteka me libra islame, e krijuar nga babai ynë, ishte djegur plotësisht. Ato libra të çmuara dhe dorëshkrime të rralla që ishin grumbulluar me aq mund me kalimin e viteve e që u shërbenin nxënësve të dijes, tashmë nuk ekzistonte më. Në vend të saj dukeshin copëza të librave që kishin shpëtuar -pa u djegur- të përhapura anekënd rrënojave. Kjo gjë më preku akoma më tepër….”

“… Në shtëpi nuk kishte kufoma. Fillova të kërkoj në rrënojat e shtëpisë mos ndoshta i kishin djegur bashkë me shtëpinë.

Më pas mësova se policia serbe i kishin arrestuar vëllezërit e mi, Nuhin dhe Isamilin, në shtëpinë e Fushë-Kosovës, i kishin goditur e torturuar para syve të nënës sonë, i kishin marrë e çuar në drejtim të paditur, ndërsa për nënën nuk dinim asgjë….”

“… Këto ngjarje të tmerrshme na bënë të harrojmë shumë gjëra e të mendojmë vetëm se robërit e Zotit nuk kanë rrugë tjetër vecse të kthehen tek Ai të përkushtuar, gjë që është detyrë e gjithë shoqërisë njerëzore. Një njeri që në të vërtetë beson, nuk mund të bëjë asnjëherë veprime të tilla.”

Kur serbët dogjën bibliotekën e babait tonë Haki Ismailit, Radio Shqiptare i bëri një koment të gjerë kësaj ngjarje. Ky koment i zgjeruar i bënte jehonë rëndësisë së literaturës së vlefshme që gjendej në këtë bibiotekë, si dhe tregonte peshën e familjes sonë në shoqërinë ku ajo jetonte.

Por çfarë mund të bënte njeriu para atyre krimeve mizore dhe ushtarëve të panumërt të armatosur gjer në dhëmbë, të cilët nuk lanë gjë të vlefshme në shtëpi pa e djegur?

Biblioteka që gjendej në familjen tonë përbante një thesar të vërtetë, pronë të hoxhë Hakiut dhe të fëmijëve të tij më pas.

Pas vdekjes së babit tonë hoxhë Haki Ismailit, ne fëmijët e tij, u munduam ta ruanim e ta pasuronim atë, me libra të botuar anekënd botës, duke pasur parasysh rëndësinë e zgjerimit të njohurive, e këndvështrimeve si dhe vlerën e kulturave të ndryshme.

Radio shqiptare shpeshherë lajmëronte rreth familjeve të cilave u ishin djegur shtëpitë, apo u ishin vrarë pjesëtarë. Kjo radio, siç e thashë më parë, njoftoi për shkatërrimin e bibliotekës që ndodhej në shtëpinë tonë, duke u nisur nga rëndësia e vlerat e kësaj biblioteke. Vëllai im, Beqir Ismaili, më tregoi më pas se ai kishte marrë informacion rreth gjendjes sime nga Radio shqiptare.

Disa banorë të Kosovës që më njihnin, kishin lajmëruar këtë Radio se unë (Abdullahi) isha gjallë, por në gjendje shumë të vështirë, pasi isha keqtrajtuar nga forcat paraushtarake serbe. Kështu më tha vëllai, ‘nga Radio ne mësuam vesh se ti je gjallë, por nuk dinim asgjë për nënën dhe dy vëllezërit tanë, Nuhin e Ismailin, të cilët banonin në shtëpinë e babait, tashmë të djegur e përcëlluar’.

Ndërkohë, Radio shqiptare cdo ditë përsëriste lajmin e humbjes së nënës dhe dy vëllezërve tanë. Pas një muaji e gjysëm nga fillimi i bombardimeve të NATO-s, Beqir Ismailit i bëhet një telefonatë ku i thuhet se ‘nëna juaj është gjallë’. Ndërmjet të tjerave, bashkëbiseduesi i tha se ‘…ajo për dy muaj me rradhë, kishte rendur nga një vend në tjetrin, shpesh herë e torturuar, duke fjetur jashtë e pa ushqim. Vetëm më pas, disa banorë të Kosovës e kishin gjetur Nënën në gjendje të mjerushme: të shtrirë në tokë thuajse pa ndjenja.’Njëkohësisht nga Radio e lajmëruan se dy vëllezërit, Nuhi e Ismail Ismaili, ishin arrestuar natën e Kurban Bajramit të vitit 1999, ashtu siç ishin arrestuar edhe katërmbëdhjetë persona të tjerë, disa prej të cilëve nga mendimtarë islamë…’

Në kujtimet e librat e tij rreth martirizimit të Kosovës, Dr. Prof. Beqir Ismaili shkruan se “…pas rikthimit të popullit të Kosovës në trojet e tij dhe zbulimit të varreve masive, banorët që kishin mbetur gjallë në Fushë-Kosovë, gjetën shumë prej të afërmve të tyre në ato varre. Një pjesë ishin djegur, gjymyuar nga duart e këmbët, apo u ishte prerë koka.’ Por ne s’mundëm të gjenim trupat e vëllezërve tanë’- dëshmon ai.

“Këto ngjarje treguan se ekzistojnë në gjninë njerëzore edhe qenie që nuk janë qenie njerëzore, nuk kanë as ndjenja e as moral, madje as princpiet më të thjeshta humane. Me të vërtet jam i hidhëruar për fatin e dy vëllezërve të mi, Nuhin dhe Ismailin, ashtu sic jam i hidhëruar për fatkeqësinë që u ra mijërave vëllezërve të mi kosovarë.” Lidhur me dëshminë e vëllait të tij, rreth ngjarjeve tragjike në Kosovë, ai nënvizon: “Synimi grumbullimit të mbresave të gjalla rreth këtyre ngjarjeve, nga dëshmitari ynë okular, hoxhë Abdullah Ismaili, ishte sensibilizimi i një pjese sa më të madhe njerëzish për atë që ndodhi mbi popullin tim të pafajshëm. Mendova kur mblodha këto dëshmi, që ky libër t’u shërbejë njerëzve, të thjeshtë dhe atyre që i kanë mundësitë të parandalojnë fatkeqësi të tilla. Mendova se, nuk do të jetë e largët dita që, nëse do t’u lemë dorë të lirë kriminelëve, këto fatkeqësi do të bien edhe mbi ta.”

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …