Në vazhdën e angazhimeve për lirimin e Ramush Haradinajt, veprimtari Bardhyl Mahmuti i ka drejtuar një letër zotërisë, Zhan Mark Sové, Zëvendëskryetar i Këshillit Shtetëror të Francës. Presidenca e Këshillit Shtetëror të Francës, udhëhiqet nga një person që ka funksionin e zëvendëskryetarit, formë e trashëguar që nga koha kur Këshillin Shtetëror e udhëhiqte presidenti i vendit. Këshilli Shtetëror i Francës është institucion i vetëm që mund të anulojë të gjitha vendimet gjyqësore dhe ka dëshmuar një shkallë të lartë të pavarësisë nga ndikimet e jashtme. Për të dëshmuar këtë pohim po sjell një fakt domethënës për ne. Autoritetet franceze të drejtësisë kishin sjellë vendim të ekstradohet në Rusi opozitari kaukazian Moukhtar Abliazov. Vendimin për ekstradim e kishin nënshkruar edhe Ministri i Drejtësisë edhe Kryeministri i Francës. Megjithatë, Këshilli Shtetëror mendonte ndryshe. Në dhjetor të vitit të kaluar, disa javë para se autoritetet franceze të ndalonin Ramush Haradinajn me urdhër-arrest të shtetit serb, në kohën kur pritej të ekstradohej Moukhtar Abliazov, Këshilli Shtetëror i Francës anuloi vendimin e institucioneve franceze për ekstradimin në Rusi me arsyetimin se: kërkesa ishte e motivuar politikisht. Moukhtar Abliazov u lirua tërësisht si i pafajshëm dhe si viktimë e sajesave politike.
Këshillit Shtetëror të Francës
Zotit Jean-Marc Sauvé, Zëvendëskryetar i Këshillit Shtetëror të Francës
Zoti Zëvendëskryetar
Të gjithë demokratët e sinqertë, cilido qoftë angazhimi i tyre politik, e përshëndetën anulimin që Këshilli Shtetëror i Francës i bëri, në dhjetor të vitit 2016, dekretit për ekstradimin në Rusi të kundërshtarit politik të Kaukazit, Moukhtar Abliazov. Këshilli Shtetëror i Francës erdhi deri te ky vendim pasi konstatoi se kërkesa për ekstradim ishte e motivuar politikisht. Në të vërtetë, ky akt Këshilli Shtetëror i Francës dëshmoi pavarësinë e institucionit që përfaqësoni ju karshi ndikimeve të jashtme si dhe urtësinë e gjykimeve të saja.
Fatkeqësisht historia u përsërit,
Të mërkurën, më 4 janar 2017, zoti Ramush Haradinaj, kuadër i ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryeministër, u ndalua në Aeroportin Bazel-Mulhuzë në bazë të udhëzimeve të shtetit serb. Më 12 janar, Gjykata në Colmar vendosi ta lirojë zotin Ramush Haradinaj dhe t’i caktojë masën e kontrollit gjyqësor derisa të sillej një vendim lidhur me dosjen.
Dy seanca gjyqësore, më 9 shkurt dhe më 2 mars, nuk arritën të sjellin vendim për shkak se mungonin provat e famshme mbi të cilat shteti serb pretendon se ka mbështetur kërkesën e vet për ekstradim. Kur është fjala për prova, rikujtojmë se Gjykata e Hagës në dy procese gjyqësore (në vitin 2008 dhe 2012) liroi nga të gjitha akuzat që i bëheshin. Lirimi ramush Haradinajt u bë sepse nuk u gjet asnjë provë e besueshme. Gjykata në Colmar pritet që në seancën e 6 prillit të sjell një vendim. Ndërkohë, autoritetet franceze na sigurojnë se procedura që është duke u zhvilluar nuk përbën asnjë dimension politik. Dëshiroj t’ju sjell disa fakte që dëshmojnë se « Dosja Haradinaj » ishte e porositur nga strukturat politike trashëgimtare të regjimit të Millosheviqit, e konstruktuar nga Shërbimi Sekret serb dhe i përhapur nga njerëzit e aparatit të këtij regjimi. Këto informata, në formë të Memorandumit, i janë dërguar më parë përgjegjësve dhe vendimmarrësve politik francez për t’i ndriçuar rreth vazhdimësisë së kuadrit politik dhe strategjik në mes regjimit të Millosheviqit dhe qeverive që e pasuan. Duke qenë sajesë e pastër policore, akuza kundër Ramush Haradinaj e ka burimin në arsenalin propagandistik të shërbimeve sekrete serbe. Kjo sajesë u ka shërbyer autoriteteve politike të Beogradit për të lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar kundër tij. Për këtë arsye, në « Çështjen Haradinaj », brenga për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë franceze duhet të ketë në konsideratë origjinën e kësaj. Identifikimi i origjinës së kësaj dosje do t’i mundësonte Drejtësisë Franceze të shmangë kurthin politik të ngritur nga Serbia. Në vazhdim të letrës sillen argumentet që dëshmojnë në mënyrë të pakontestueshme se dosja kundër Ramush Haradinajt është sajesë e motivuar politikisht.