Besarta Afrim Musliu: Më kujtohet Babi me uniformë të UÇK-së, kur kishte ardhur ta përshëndeste familjen

Besarta Afrim Musliu: Më kujtohet Babi me uniformë të UÇK-së, kur kishte ardhur ta përshëndeste familjen

( Intervistë me bijën e dëshmorit, Besarta Afrim Musliu)

Besarta, është bija e dëshmorit të kombit, Afrim Musliu, luftëtar i lirisë në radhët e para të UÇK-së në Zonën e Pashtrikut dhe të Neredimës. Ishte ndër më të përkushtuarit në mesin e bashkëluftëtarëve. Njihet sidomos për kontributin që ka dhënë në pajisjen e luftëtarëve me armë e municion nga Shqipëria për në zonat e luftës në Kosovë. Në atë rrugëtim “marathonomak” gjatë luftë kishte rrugëtuar 15-herë në prita e në  luftë kundër forcave pushtuese serbe. Në rrugëtimin e 14 dhjetorit  të vitit 1998, së bashku me komandantin, Mujë Krasniqi dhe 143 luftëtarë të lirisë, bie në pritë “Te Likenet e Hasit, në Gorozhup të Pashtrikut.   

KL: Mirë se vini në Radion Kosova e Lirë Besartë e nderuar!

 Besarta Afrim Musliu: Mirë se ju gjeta, është nder për mua të marr  pjesë në këtë intervistë dhe faleminderit për mundësin.

RKL: Ju jeni bija e dëshmorit, Afrim Musliu, që për shokët e babit Tuaj përveç se për trimërinë e rrallë, njihet edhe për faktin se e ka kaluar 15 herë kufirin shqiptaro shqiptar për të sjell armë dhe municion për luftëtarët. Si ndiheni për bëmat e babait Tuaj?

 Besarta Afrim Musliu: Po, unë jam vajza e dëshmorit Afrim Islam Musliu. Me të vërtetë shumë shpesh dua të dëgjoj historinë e babait tim, sepse me veprat dhe të bëmat e tij para dhe gjatë kohës së luftës, në kohën kur Kosova kishte nevojë për trima të tillë dhe kjo më bën të ndihem krenare  dhe është nder për mua që kisha një baba të tillë.

RKL: Keni qenë fare e vogël, kur babai është përjetësuar në altarin e atdheut a iu ka mbetur diçka në kujtesë nga ajo kohë?

Besarta Afrim Musliu:  Po, gjatë kohës së luftës kam qenë 3 vjeçare dhe nuk kam kujtime të kthjella nga ajo kohë, mirëpo pak kam disa pjesë në kujtesë për herën e fundit kur kam parë babin tim me uniformë të UÇK-së, i cili kishte ardhur ta përshëndeste familjen sepse kishte për tu nisur me shokët e tij të luftës për në Shqipëri për të marrë armë e  municion dhe të sjellë në Kosovë.

RKL: Në një postim Tuajin keni shkruar vargje  për dëshmorin Afrim

Musliu, për babin Tuaj, ku po veçoj këta rreshta  :

 I dashur baba …..valle, a më sheh.?

E sheh sa e vështirë është jeta pa ty… ?

Sytë kanë humbur shkëlqimin se ty të kam larg..

E fjalën tende prej babai e ka mbuluar harresa, trokitjet që beje në

derë të shtëpisë sonë, tani i kanë lenë vend trokitjeve të ëndrrave që

po treten…

-Ky është    një shkrim tejet prekës, për ne lexuesit, a keni për tëtreguar  diçka që u ka sjellë në gjendje për një përshkrim të tillë?

 

Besarta Afrim Musliu:  Me të vërtetë nuk ka ditë që kaloj dhe të mos më kujtohet babai. Dhe pikërisht këto vargje tregojnë mungesën dhe ndjenjën për të pasur babin afër. Mirëpo ndjenja e krenarisë për veprën e babait tim, që ka bërë për vendin tonë është më e madhe dhe më bën të jem më e fort që të vazhdoj përpara.

 RKL: Cila është përkrahja konkrete që keni marrë nga shoqëria dhe nga institucionet e vendit dhe a mjafton ajo?

Besarta Afrim Musliu:  Përkrahja dhe respekti që i marr nga shoqëria për familjen time është i madh dhe për këtë i falënderoj shumë. Nga institucionet kemi përkrahje por nuk është e mjaftueshme çka kanë bërë deri tash për familjet e dëshmorëve.

 

RKL: A mendoni se institucionet po bëjmë mjaft për të quar në vend amanetin e dëshmorëve?

Besarta Afrim Musliu: Institucionet kanë bërë dhe janë duke bërë po jo aq sa duhet për të quar në vend amanetin e dëshmorëve.

 RKL: Besartë, të falënderojmë se u bëre pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Të urojmë nga zemra shëndet e suksese në jetë.

 Besarta Afrim Musliu: Ju faleminderit edhe nga Ju për rastin e dhënë. Dhe ju përgëzoj për punën Tuaj të pa lodhshme.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …