DKRS në Mitrovicë premton transparencë të plotë në ndarjen e subvencioneve

Drejtori i  Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) në kominën e Mitrovicës,  Fidan Ademi, i ka informuar të enjten përfaqësuesit e OJQ-ve dhe shoqërisë civile për aktivitetet që kjo drejtori i ka zhvilluar gjatë muajve të fundit dhe për planet afatshkurta të DKRS-së, si dhe i ka njoftuar për kriteret që duhet t’i plotësojnë me rastin e aplikimit për financimin e projekteve të tyre në konkursin që do të shpallet këto ditë e të cilat kanë për qëllim kryesor promovimin e punës vullnetare në komunitete krijimin e kushteve për një qytetari më aktive. Në fjalën e tij drejtori Ademi tha se Drejtoria që ai e drejton ka zhvilluar një sërë aktivitetesh me qëllim të sigurimit të infrastrukturës së nevojshme për funksionimin dhe aktivitetet e institucioneve komunale nga fusha e kulturës e që menaxhohen nga kjo drejtori. Ai i njoftoi të pranishmit për rrezikun për privatizimin e objekteve sportive nga ana e AKP-së, aktivitet i cili është ndërpre falë angazhimit dhe përkushtimit të drejtuesve komunal dhe atyre të kulturës.

“Kemi bërë punë të madhe për të ndalur këtë proces duke marrë shumë nisma e aktivitete dhe duke iu drejtuar institucioneve relevante të nivelit qendror. Ndonëse rreziku ende nuk ka kaluar, shpresojmë se këto objekte vitale për zhvillimin e sportit dhe kulturës në komunë tonë, nuk do të privatizohen”, tha ai.

Drejtori Ademi në vazhdim foli edhe për angazhimin e tij dhe të bashkëpunëtorëve për ët krijuar kushte për përmirësimin e infrastrukturës   dhe lirimin e hapësirave të cilat nuk shfrytëzohen nga subjekte të ndryshme, sidomos ato të OJQ-ve dhe shoqërisë civile, në mënyrë që këto hapësira të dedikohen për aktivitetet kulturore të subjekteve që punojnë e zhvillojnë aktivitete të ndryshme dhe realizojnë projekte me interes për qytetarë.

“Besoj se në të ardhmen do të mund të presim punë dhe aktivitete më të ngjeshura të institucioneve kulturore-sportive dhe të shoqërisë civile, pasi që kemi një situatë pak më të mirë financiare, duke shtuar se po bëhen përpjekje që për vitin e ardhshëm 2018, të trefishohen  subvencionet për kulturë, rini  e sport. Kështu, mund të themi me bindje se aktivitetet me këtë do të shtohen mundësitë  për të promovuar punën vullnetare në komunitet dhe një qytetari më aktive”, tha ndër të tjera drejtori Ademi.

Ai premtoj se ndarja e subvencioneve do të bëhet në mënyrë transparente dhe se të gjitha vendimet lidhur me këtë do të publikohen në ueb-faqen e komunës  dhe mjete tjera të informimit publik.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të OJQ-ve, pasi folën për aktivitetet e tyre dhe problemet për realizimin e tyre, mbështetën punën e drejtorit Ademi për të krijuar kushte më të mira për realizimin e projekteve të ndryshme në kulturë, sport, ato rinore dhe të tjera.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …