leoni

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Në vendime të drejta është suksesi, jo në mashtrime

(“Kur zemërimi rritet, mendo për pasoja. “Konfuci”)

Aty ku qeveriset me vendime të drejta e veprime konkrete ka sukses dhe zhvillim, ka perspektivë për rininë. Aty ku qeveriset mirë, edhe qytetarët jetojnë në mirëqenie! Secili njeri ndjehet krenar dhe i dinjitetshëm në atdheun e vet, me shtetin e me kombin e vet!

Aty ku vlerësohen fjalët përgjithësisht, aty ku qeveritaret rrinë para mikrofonave veçanërisht, mungon suksesi dhe zhvillimi! Aty ku sundon gënjeshtra dhe mashtrimi, mungon perspektiva për rininë, qytetarët jetojnë me frikën për mbijetesë! Në “qeverisje” të tilla, qytetari është i frikësuar, frika i bënë ata gënjeshtarë, të mashtruar e mashtrues dhe i bënë njerëzit lehtë të vetë nënshtrueshëm! Fjalët e shumta, thuhet, prapa e kanë vetëm varfërinë, dështimin e dëshpërimin! A ka dëshpërim më të madh sesa rinia e Kosovës së lirë, të pavarur e sovrane, ta kërkoj sigurinë për punë e jetë ne ikje nga Atdheu?! Pas ikjes goxha masive të vitit 2015 kur nga Kosova për shkak të mashtrimit e dëshpërimit që solli koalicioni PDK-LDK, nga Kosova ikën mbi 100.000 qytetarë, ndërsa në vitin 2016 këto ditë u dha një shifër zyrtare, se nga Kosova u larguan rreth 12.000 qytetarë të tjerë! E dhimbshme është se trendi i ikjeve është në ngritje edhe pas nëntë viteve të pavarësisë së shpallur më 17 shkurt 2008! Mashtruesit, sa vende pune premtuan për punësim në vitin 2014, deri në fund të mandatit do t’i “punësojnë” po aq, por vetëm në mërgim?!

Këto ditë, krerët e koalicionit qeverisës, secili në mënyrën e vetë i kane filluar turet e mashtrimit të ri me ekspertë e biznese. Ekspertët e bizneset nuk mjaftojnë të dëgjohen për mashtrim, me ata duhet qeverisur dhe zhvilluar ekonominë e vendit! Përse qeveritarët nuk i panë ata deri më sot? Me çfarë ekspertësh na qeverisën, po na qeverisin dhe do të na qeverisin? Me ata të Prontos, e të Jugo-s që i kanë në krahët e majtë e të djathtë, në turret e dëgjimeve për “fillimin e ri” e zhvillim të “ri”! “Prontoekspertët” e “jugobizneset” na kanë sjellë këtu ku jemi dhe jemi shumë keq! Shkurt e shqip, turret e krerëve të koalicionit qeverisës jashtë institucioneve, që do të thotë e kanë braktisur punën në institucione, nuk janë gjë tjetër vetëm përpjekje e “re” për të paketuar, “turret e mashtrimeve të reja”! Në një situatë të tillë, vëmendja qytetare duhet të jetë më shumë se e zgjuar!

Pa njerëz me integritet e dinjitet, uroj të mos e presim “ndryshimin e ri”! Rruga nëpër të cilën ecëm në dy legjislaturat e fundit, vazhdimi në atë rrugë përfundim tjetër nuk ka! Qeverisja duhet ndryshuar thellësisht, nëse vërtet jemi në kërkim të progresit! Ndryshimi është e vetmja shpresë e qytetarëve tanë! Ndryshimi po vije!

Ja, çfarë thoshte dikur për qeverisjen filozofi i madh kinez, Konfuci (551-479 p.e.s), i cili jetoi para 2500 viteve dhe thënia e tij është plotë aktualitet. Ai thoshte: “Në një vend të qeverisur mirë, duhet të kesh turp nga varfëria. Në një vend të qeverisur keq, duhet të kesh turp nga pasuria.” Edhe pas 2500 viteve, tek ne, turpi bie mbi qeveritarët xhahil (të pa dijshëm)!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …