leoni

Ndue Dodaj: Shaban Viqa rron në themelet e përjetësisë së kombit

Ndue Dodaj: Shaban Viqa rron në themelet e përjetësisë së kombit

E konsideroj veten me fat që këtë personazh, Shaban Viqën e kam njohur. Ai të krijonte imazhin e një shenjti kur takoheshe me të, kur bisedoje me të, kur të buzëqeshte. Ai për mua do të mbetet përjetë në kujtesën e memorien time si një diamant i gjallë që sa më shumë të kalojnë vitet aq më shumë do të rrezatojë e ndriçojë në mendjet e zemrat tona, e i tillë si një Legjendë e Kuqe sikur e ka shkruar një poet i ditëve të fundit në Poemën kushtuar Shaban Viqës.

U bënë plot tetë vjet që kjo figurë historike e popullit Shqiptar nuk është fizikisht në mesin tonë, por Ai është si një Flakadan mes nesh,  e kjo nuk ka si të ndodhë ndryshe kur për të shkruhen poema, bëhen këngë dhe përkujtohet në çdo përvjetor.

 E sot, në këtë  8-të vjetor,  nëpërmjet një kënge kushtuar këtij Luftëtari e Legjendari, të cilën po na e bën të mundur Radio Kosova e Lirë, e cila na përkujton ato ditë të acarta e të zjarrta të janarit të vitit 1999, kur jehoi fuqishëm Zëri i Kosovës së Lirë të cilën e falënderoj nga zemra për punën patriotike atdhetare që ka bërë dhe bën për të kujtuar vlerat e Kombit tonë.

 Me këtë rast dëshiroj të theksoj se është me të vërtetë një madhështi e mrekulli njëherësh si dhe një bukuri e burrëri e pashoqe sepse këto parametra ndjehen thellësisht në mendjet e zemrat e të gjithë Shqiptarëve, e kjo radio ne shqiptarëve të asaj pjesë të Shqipërisë,  që Ju Shqiptarët e Kosovës na quani Shqipëria mëmë, zëri i Radio Kosovës së Lirë na duket dhe e ndjejmë,  ashtu sikur u është dukur më herët Radio Tirana Shqiptarëve të Kosovës.

 Do të dëshiroja të theksoja, bile  me zë të lartë që figura të tilla Kombëtare Shqiptare si ajo e Shaban Viqës që ishte një njeri impulsiv dhe i pamposhtur duhet tu jepet vendi i merituar, gjë për të cilën në çdo përvjetor dëgjojmë premtime nga më të ndryshmet  nga drejtues lokalë e partish të cilët marrin pjesë në përvjetorët që organizohen për këtë burrë brilant e të hekurt që mori pjesë në tre luftëra.

Nuk ka se si të ndodhë ndryshe sepse sa më shumë të kalojnë vitet aq më madhështore e legjendare do të  bëhet figura e këtij njeriu që pa mbushur të 40-tat do të ishte pjesë e tre luftërave si dhe do të shprehej se: “ Do të dëshiroja të isha pjesë edhe e luftës së katërt, të asaj të Bashkimit Kombëtar”.

Atdhetarët e vërtetë ky popull nuk i ka harruar e nuk do ti harrojë asnjëherë,  sepse ato kanë lënë prova për interesat madhore të Bashkimit Kombëtar.

Zëri i Radio Kosovës së Lirë që do të transmetojë dhe këngën kushtuar Shaban Viqës do të buçasë si zëri i ndërgjegjes së popullit, si një zë jo vetëm mbijetese por edhe si një zë Kushtrimi, si një zë që apelon dhe zgjon të përgjumurit. Kjo ndodh sepse Shaban Viqa, edhe vetëm me pjesëmarrjen e tij në tre luftëra duhet të jetë për ne një kambanë e fuqishme alarmi që apelon dhe akuzon edhe pse Ai nuk vdiq në frontin e luftës por me veprat e tij  është përjetësuar në Shtratin e Lavdisë dhe sot e kemi një timonier që na tregon nordin edhe në kohë me re të zeza dhe na bën që të shohim dritë dhe përtej këtyre reve, e sot Ai është një forcë e pamposhtur Lavdie që na ka treguar rrugën e Bashkimit Kombëtar, e për ne do të mbetet një Shqiponjë e Artë.

Lavdi Heroit Shaban Viqa.

Respekte pakufi për Radio Kosovën e Lirë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …