Zëvendësministri Hoti pritet nga Ministri i Kulturës së Malit të Zi

Në ditën e dytë të vizitës në Mal të Zi, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, i shoqëruar nga ambasadori ynë në Podgoricë, Skënder Durmishi, u takua me Ministrin e Kulturës së Malit të Zi, Janko Ljumoviq, i cili ishte i shoqëruar nga Dragica Miliq, Drejtore e Përgjithshëm e krijimtarisë kulturore e artistike.

Në fillim të takimit, Ministri i Kulturës, z. Janko Ljumoviq, pasi shprehu kënaqësinë për këtë takim, shpalosi qëndrimet mbi mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona. Veçmas u theksua mundësia e përshpejtimit të këtij bashkëpunimi kur kihet parasysh e dhëna se ministritë e të dyja vendeve tashmë kanë arritur ujdi në parim për nënshkrimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim Kulturorë.

Qëllimi i kësaj marrëveshje është zgjerimi i bashkëpunimit në mes të institucioneve kompetente të Palëve Kontraktuese në fushën e kulturës, të artit, të trashëgimisë kulturore, duke mos e lënë anash as arritjet bashkëkohore të kulturës së të dyja vendeve.

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, e falënderoj Ministrin Ljumoviq për pritjen e ngrohtë dhe shpalosi para tij mundësitë e shumta të bashkëpunimit kulturor, duke i dhënë një vend të veçantë diversitetit kulturor, takimeve me krijues, shfaqjeve teatrale, koncerteve, si dhe organizimin e veprimtarive kulturore për të dyja vendet.

Zëvendësministri Hoti i kushtoi kujdes të veçantë librit, si një mundësi e shumanshme e bashkëpunimit që ndërlidh edhe thellimin e bashkëpunimit të komuniteteve, si vlera fundamentale të shoqërive dhe institucioneve për të dyja vendet. Ai i kërkoi Ministrit Ljumoviq mbështetje të mëtejshme për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO si dhe mbështetje për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Traduki, duke mos harruar ta falënderonte ministrin në fjalë për kontributin e tij për kulturën shqiptare edhe përpara se të emërohej ministër. Në të dyja rastet, Ministri Ljumoviq, e garantoi Zëvendësministrin Hoti se mbështetja jo vetëm që nuk do të mungojë, por ajo do të thellohet.

Gjatë bisedës ndërmjet Zëvendësministrit Hoti dhe Ministrit Ljumoviq u preken edhe fushat e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse si: arkivat kombëtare, bibliotekat dhe muzetë.

U theksua nevoja e intensifikimit të bashkëpunimit në lëmin e letërsisë, të muzikës, të arteve pamore dhe performuese, të veprimtarive botuese, të kinematografisë dhe mediave tjera audio vizuale.

Zëvendësministri Hoti dhe Ministri Ljumoviq shprehen kënaqësinë që gjatë këtij muaji është i mundshëm nënshkrimi i Marrëveshja për Bashkëpunimin Kulturor ndërmjet të dyja ministrive tona në Prishtinë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …