Alibali: Vlerësoj poetët Zhuljana Jorganxhi, Arben Duka dhe Betim Muço dhe kompozitorët që më dhanë emër, Gjergj Leka, Jetmir Barbullushi, Flamur Shehu, Vladimir Kotani
Bashkim Alibani ka lindur në Tiranë, në maternitetin në fund të rrugës “Zogu i Parë”, por në moshën tre vjeç ka shkuar familjarisht në Shkodër. Në Shkodër, banonte në rrugën e Murgeshave (emër i vjetër). Në këtë rrugë ka shumë kujtime, ka rininë, ka lidhjet miqësore, në këtë rrugë ka filluar të këndoj me shokun e tij të vegjëlisë Tonin Tërshana, si hobi për qejf. Këndonin serenata nën dritaret e konviktit të shkollës pedagogjike. Jo se Shkodra nuk kishte dhe nuk ka vajza të bukura, por atëherë e shihnin si argëtim shkuarjen pranë këtyre konvikteve duke kënduar për natë. Dhe një natë si shpërblim mori një kovë me ujë. Ishte një dush i ftohtë “që më bëri mirë” thotë Bashkimi. Bashkim Alibali është një nga këngëtarët më në zë shqiptarë. I qeshur dhe plot humor, ai ka ditur të ngrihet mbi çdo barrierë të kohës, ku magjia e zërit ka qenë çelësi i sukseseve në jetë. Si shumë këngëtarë bashkëkohës Festivali i 11-të e mënjanoi nga skena, por jo nga dëshira për këngën. Në biseda shokët shpesh e ngacmojnë për rigorozitetin e tij në veshje dhe pamje. Është ndoshta i vetmi këngëtar shqiptar që nuk ka dalë asnjëherë nga shtëpia pa i hequr një brisk faqeve. Me këngën “Kur vjen Pranvera” në vitin 1985, mori çmim të parë. Këtë çmim ja dedikon të madhit Ferdinand Deda. ( “Në duart e nënës”, kompozim i Gjergj Lekës). Miqtë e tij janë kompozitorët, këngëtarët, autorët e teksteve me të cilët diskuton gjerësisht për këngën, huazimet dhe rolin dhe pozicionin që ajo duhet të ketë në kulturën dhe shoqërinë e sotme shqiptare.
-Këto ditë ju kam parë me disqe nëpër duar madje me firmën tuaj. Keni përfunduar ndonjë album të ri?
Po! Kam ca ditë që kam përfunduar albumin popullor. Një album që kisha kohë që e mendoja. Po ua shpërndaj miqve.
-Sipas bisedave me miqtë e tu këngëtar si dhe fotove në Facebook keni qenë në disa aktivitete të mëdha mund ta dimë se ku?
Fundviti 2016 dhe këtë fillim viti kam qenë për festën e Pavarësisë në Kaliforni dhe për vitin e ri në Amsterdam . Tani jam drejt Gjermanisë. Pra kërkesat janë në rritje.
-Miku juaj më i ngushtë në Tiranë, Jorgo Papingji çfarë ju lidh me poetin?
Më lidhin shumë gjëra por në radhë të parë më lidh arti. Papingji është një poet i madh dhe një njeri i madh. Është njeri i qetë dhe me shumë diapazon. Shoqëria me të është relaks dhe leksion. Ai ka një miqësi të madhe dhe çdo ditë e gjen mes këngëtarëve të cilët vijnë për tu bërë tekstet e këngëve të reja. Me sa di unë në arkivin e tij ka mbi 4 mijë këngë si poet dhe emri nuk i duket askund. Me Jorgon koha fluturon dhe harrohesh se ke punë të tjera për të bërë. Është specialist i poezive për këngët dhe të gjithë këngëtarët brenda dhe jashtë Shqipërisë e gjurmojnë ta gjejnë. Për ço poezi ai jep shpirtin, sikur po krijon për herë të parë. Pra ka shumë arsye që rri dhe e respektoj Jorgon.
-Një miqësi po kaq e sinqertë keni dhe me këngëtaren e madhe Alida Hisku. Po me Alidën kush ju lidh më shumë?
Në radhë të parë më lidh sinqeriteti. Ajo është një grua shumë e sinqertë dhe shumë e fortë. Ajo ka luftuar gjithmonë vetëm në jetë, ka çarë vetëm me punën e saj, me zërin e saj. Në diktaturë ajo u largua nga skena në moshën më të bukur, në kulmin e talentit dhe të rezultateve. E luftuan padrejtësisht I hoqën dëshirën e zemrës këngën, skenën por ajo nuk u mposht. Një grua vitale, e papërkulur, krenare me atë që bën. Edhe pse është në Gjermani ajo për mua është në Tiranë çdo ditë pasi flasim çdo ditë i qajmë hallet njeri-tjetrit. Edhe aty ku banon, ajo bën aktivitete me karakter kombëtar, ajo këndon shqip dhe e ka ngritur shumë emrin e Shqipërisë. Tjetra është se Alida është tepër humane. Nuk mbarohen bamirësitë që ajo ka bërë në spitalet gjermane për shumë të sëmurë shqiptarë. Së bashku me burrin e saj (Tomin) një mjek okulist me titull, kanë qenë dhe janë një ndihmë e madhe jo vetëm për komunitetin shqiptar atje, por edhe për shqiptarët e Shqipërisë që kanë problem shëndetësore. Ajo grua e qeshur di të jap mirësi, të jap frymëzim dhe kurajë.
-Gjithmonë mbahet mend njeriu që të hap rrugën e jetës. Kush ju zbuloi si këngëtar dhe ju çoi drejt rrugës së skenës?
Ah, ai njeri! Kush nuk e mban në mendje njeriun që i hap rrugën dhe shtigjet e jetës. Ai që më ndriçoi këtë rrugë ishte një njeri me zemër të madhe. Ishte një njeri i talentuar, një njeri i mirë, një njeri që thuajse ka zbuluar 80% të të gjithë këngëtarëve dhe artistëve shkodranë. Quhej Nard Bushati (Leonard Bushati). Ai ishte përgjegjës tek Shtëpia e Kulturës “Heronjtë e Vigut”. Ai kishte një veçori, që nuk e kanë sot njerëzit. I zbulonte talentet dhe i detyronte të hipnin në skenë, i detyronte të shkonin të këndonin. Ne shumë këngëtarë dhe artisë shkodranë i detyrohemi këtij njeriu shumë. Ai na hapi rrugën e skenës me thjeshtësi, me dashuri, me përgjegjësi, me korrektësi, por gjithmonë njerëz të tillë rrinë në heshtje. Ata nuk dalin të kërkojnë lavde dhe detyrimisht njerëz të tillë të punës humbasin, kalojnë në një harresë që se meritojnë. Kështu ishte dhe Nard Bushati, njeri i heshtur me punë shumë të madhe. Një natë, duke kënduar jashtë shtëpisë një serenatë, më dëgjon një komshiu im. Ai më afrohet dhe më thotë se ti ke zë të bukur dhe duhet të këndosh në skenë. Nuk duhet humbur ky zë vetëm rrugëve dhe netëve për serenata. Ai më çon tek Pallati i Kulturës së qytetit të Shkodrës për të bërë provë. Nuk e mora me shumë kënaqësi. Isha me mëdyshje. Drejtuesit e Pallatit të Kulturës më thanë:”Çfarë di të këndosh?” Unë atëherë nuk dija asnjë këngë të saktë shqiptare. Këndoja vetëm këngë italiane. Kështu u thashë edhe drejtuesve të Pallatit të Kulturës, që di të këndoj vetëm këngë italiane. “Këndo ç’të duash”- më thanë ata. E pëlqyen zërin tim. Më aprovuan të marr pjesë në Festivalin e Këngës së qytetit të Shkodrës.
-Në moshën 17-vjeçare morët pjesë në Festivalin e Këngës së qytetit të Shkodrës? Duke e lidhur me qytetin, si ka qenë lëvizja artistike kulturore e atëhershme në qytetin e Shkodrës?
Në atë moshë 17 vjeç dola për herë të parë në skenë me një publik të gjerë. Ishte një moment emocionues. Këndova një këngë për elektrifikimin. Ndërsa nqs flas për jetën artistike të Shkodrës në atë sistem, e them me bindje se ishte shumë e gjallë. Ka pasur shumë aktivitete sidomos amatore. Jo vetëm Pallati i Kulturës, por ka pasur shumë ndërmarrje që organizonin estrada, festivale apo aktivitete të tjera. Unë kam punuar në fabrikën e telave të Shkodrës. Në këto aktivitete kam njohur Eduart Jubanin, Violeta Zefin, Xhorxh Vasian e shumë të tjerë. Fabrika e cigareve ka pasur Gëzim Krujën. Kanë qenë dhe grupet amatore të NSHN-së, uzinës “Drini”. Të gjitha këto ndërmarrje kanë pasur aktivitete të tilla prestigjioze që konkurronin dhe trupat profesioniste. Ishte ky prezantim dhe këta njerëz që bënë që në vitin 1969 të isha pjesë e estradës së Shkodrës. Futja ime në këtë trupë përkon me ardhjen në Tiranë me një aktivitet. Kënga e parë që kam kënduar në Tiranë në sallën e Estradës së kryeqytetit ka qenë “Mes jush”. Tirana kishte më shumë aktivitete, kishte më shumë hapësira. Kishte Pallatet e Pionierëve, kishte Bashkimet Profesionale, pra kultivimi i këngës kishte gjerësi.
-Por kushdo në atë periudhë sukseset i maste me pjesëmarrjen në Festivalet e RTSH. Festivale që dhe sot ndiqen në mënyra të ndryshme. Kur është ngjitur për herë të parë në skenën e këtij Festivali Bashkim Alibali?
Me të vërtetë ato Festivale nuk vijnë më. Përgatitje të shumanshme. Seriozitet i madh në përgatitje. Çdo gjë kalonte në vrimë të gjilpërës. Kishte shumë përgjegjësi. Në skenë nuk ngjiteshe dot as me miqësi, as me hatëre, as me tarafe nis nuk kishe zë, nuk përcillje art. Kjo nuk diskutohet, ideologjizmat janë të tjera. Jam ngjitur në festivalin e dhjetë me këngën “Stacioni i dashur”. Po ç’ndodhi? Para provave të përgjithshme ma hoqën këngën për interpretim ekstravagant, mbasi unë bëja disa lëvizje. Jo se i bëja me qëllim, por instinktivisht, pasi ndjeja këngën. Mora rrugën për në Shkodër. Ishte Alfons Balliçi pastaj që bëri përpjekje të tjera që të kthehesha dhe të ngjitesha në skenë. Atëherë më dhanë një këngë tjetër “Qyteti punëtor”. U ngazëlleva. Ishte një moment i veçantë. Në fillim më dridheshin gjunjët. Më dukej sikur nuk do të më dilte zëri. Kur hyra në skenë më dukej se të pranishmit më shihnin me mosbesim. Këmbët filluan të më dridheshin. Më dukej se zëri nuk do të më dilte. Kur filloi muzika magjia e saj sikur më zgjoi. Ai ishte lajmërimi që duhej të kontrolloja veten. Në fytyrë më erdhi një buzëqeshje e brendshme. E mblodha veten. Muzika hyrëse po më rregullonte gjithë atmosferën e brendshme. Kur erdhi momenti të filloja, emocionet i kisha flakur. Zëri erdhi i plotë, i qartë, i pastër, ashtu si e doja unë. Mund të them për vite me radhë e mbaja mend si ditën më të bukur të jetës time.
Por me aq forcë sa atë kohë edhe sot në të gjitha rrethet muzikore, diskutohet Festivali 11, festivali që solli ndryshime rrënjësore në të gjithë historinë e muzikës shqiptare. A more pjesë në këtë Festival dhe si e mbani mend atë? Përse dolën aq shumë probleme dhe dënime?
Atë Festival e kujtoj si dhe sot. Një Festival që mund të themi ishte i tipit “Sanremo”. Muzikë e veçantë, veshje disi e veçantë, orkestër tepër e veçantë. Të them të drejtën e ndjeja se kishte diçka shumë moderne. Prezantimi ishte po aq i veçantë. Në këtë Festival që bëri bujë dhe u diskutua dhe jashtë vendit, mora pjesë me një këngë interesante për studentët. “Mbrëmja e fundit” titullohej kënga. Pak si nostalgji shkollore, kur studentët mblidhen në natën e fundit, duke kujtuar shumë ditët e shkollës sepse të nesërmen do të shpërndahen. Teksti dhe muzika e Enver Shëngjergjit, nën orkestrimin e Aleksandër Lalos. Teksti dhe muzika bënë të vetën aq sa dhe interpretimi im. Mbaj mend se më kthyen 3 herë. Gjithmonë jeta studentore ka shumë ndikim në shoqëri, pasi bëhet fjalë për një brez të ri, të formuar të ditur që nesër do marrë në dorë fatet e atdheut. Por, çuditërisht kjo këngë nuk fitoi asnjë çmim! Por të mirat ishin në fillim dhe të këqijat në fund. Pas disa ditësh ky festival u kritikua shumë nga vetë Enver Hoxha. Këngëtarët më të mirë u kritikuan për tendenca borgjezo-revizioniste, për shfaqje të huaja. Ndër ata që u kritikuan më shumë ishin Sherif Merdani, Françesk Radi, etj. Sherifi u dënua ndërsa Françeskun e çuan në veri për riedukim.
Pasojat e Festivalit të 11
Jo, jo nuk shpëtova dhe unë nga pasojat. Askush nuk shpëtoi pa asnjë dënim sado simbolik. Konkretisht (sot duket e pabesueshme) për mua në Shkodër, në ndërmarrje, u zhvillua një mbledhje që zgjati 4 orë dhe pas mbledhjes më hoqën të drejtën e këngës për 7 vjet. Sërishmi më kritikuan për ekstravagancë ata njerëz që nuk e kishin parë fare festivalin. Pas kësaj, deri në vitin 1978, këndoja vetëm në Estradën e Ndërmarrjes këngë popullore ndërsa këngën e lehtë nuk e lëvrova. Fillova të këndoj në Festivalin e 17-të. Përsëri mora pjesë me një këngë të Enver Shëngjergjit. Pas këtij Festivali kam marrë pjesë me ndonjë shkëputje në të gjitha festivalet në RTSH.
Çmimet e ndryshme dhe bashkëpunimet
Në Festivalin e 20-të ka marrë çmim të parë me këngën “Çel si gonxhe dashuria” me muzikë të Kotanit dhe tekst të Arben Dukës. Ishte këngëtar i parë sepse këndohej në dy variante. Varianti i dytë ishte në duet. Por në finale e këndoi dueti pasi Bashkimi ishte me “cen në biografi”. Në Koncertin “Kur vjen Pranvera” në vitin 1985, mori çmim të parë. Këtë çmim ja dedikon të madhit Ferdinand Deda. ( “Në duart e nënës”, kompozim i Gjergj Lekës). Ky ishte koncerti i parë “Kur vjen Pranvera”, dhe ku një këngë u fut jashtë konkurrimit të përzgjedhjes paraprake. Me tekste ka bashkëpunuar me Zhuljana Jorganxhi, Arben Dukën, Betim Muçon, ndërsa kompozitorë me Gjergj Lekën, Jetmir Barbullushin, Flamur Shehun, Vladimir Kotanin, etj. Në repertorin e këngës shkodrane numërohen dhjetëra këngë si “Lule borë”, “Ti më je si një gonxhe”, që ka kënduar, ndërsa këngë popullore Shkodra ka me qindra këngë të tjera.