leoni

Intervistë me Agnesë Rexhepin, bijën e dëshmorit, Skënder Rexhepi

Intervistë me Agnesë Rexhepin, bijën e dëshmorit, Skënder Rexhepi

RKL: Agnesë e nderuar mirë se vini në Radion Kosova e Lirë

Agnesa Skënder Rexhepi:  Mirë se ju gjej! Faleminderit për ftesën.

 RKL: Agnesë, jeni bija e dëshmorit të kombit, Skënder Rexhepi, një luftëtari të shquar të UÇK-së, inxhinier i agronomisë, dhe njohës i disa gjuhëve të huaja, i cili ka dhënë një kontribut të çmuar në luftën për çlirimin e Kosovës. Çka do të thotë kjo për Ju?

Agnesa Skënder Rexhepi: Ndihem me fat që jam bija e tij, por në anën tjetër kjo e rritë peshën e përgjegjësive të mia. Se bashku me vëllanë Altinin, mundohemi që t’i ndjekim hapat e tij, të mësojmë e punojmë për një Kosovë ashtu siç ai e donte. Unë isha gëzimi i tij i parë, kurse ai gjithmonë do të mbetet krenaria ime me e madhe.

 RKL: Sa vjet ke pasur kur ka rënë dëshmorë babai Juaj,  cilat janë kujtimet që ju kanë mbetur nga ajo kohë?

Agnesa Skënder Rexhepi: Çmimi i lirisë më dha epitetin vajzë e dëshmorit ende pa i mbushur 4 vite. Babai është përjetësuar në Altarin e Lirisë Dëshmorë  8 ditë para ditëlindjes time të katërt. Një prej gjërave që do të kisha dashur më shumë në jetë është që të kisha më shumë kujtime me të. E mbaj mend këngën e parë kur ma ka mësuar “Jemi trupa komando” të cilën e këndonin ushtarët e UÇK-së. Pasi babi ishte i angazhuar qysh herët në fillet e para të LPK-së, e pastaj në organizimin dhe formimin të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe për shkak të veprimtarisë në shtetet perëndimore, koha që e kalonte me ne ishte e shkurtë, ndoshta kjo ka bërë që edhe kujtimet të jenë të pakta. E kujtoj një rast kur ka ardhur të na vizitojë në Mirushë të komunës së Malishevës ku po qëndronim atë kohë, edhe ishim duke u fotografuar, unë shkova dhe iu hodha në qafë babit duke e përqafuar. Disa dite para se të binte në fushën e nderit  kishte ardhur të na vizitoj në Mrasor,unë nga malli që se kisha parë një kohe e përqafova fort, ia putha duart dhe armen. Me 17 Janar ka qenë hera e fundit që e kemi parë babin.

Intervistë me Agnesë Rexhepin, bijën e dëshmorit, Skënder Rexhepi

Pas katër ditëve babi im Skender Rexhepi ka rënë për lirinë e Kosovës, dhe e kujtoj shumë mirë kur kemi shkuar në Mirushe për ta parë për herë të fundit trupin e tij të pa jetë.

 RKL: Tani në moshën Tuaj madhore, a mendoni se shoqëria dhe institucionet kanë bërë mjaft për familjet e dëshmorëve?

Agnesa Skënder Rexhepi: Gjithmonë ka vend për tu bërë më shumë, por deri tani nuk mendoj që është e drejtë të ankohem për ndonjë gjë. Vetëm se do të kisha dashur që ne si popull të mos e ndryshojmë historinë e luftës së pastër të UÇK-së, për interesa personale dhe merita të pamerituara.

RKL: Për dëgjuesit e radios Kosova e Lirë mund të na tregoni çka keni studiuar, a punoni…

Agnesa Skënder Rexhepi: Jam studente e vitit të tretë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, në departamentin Inxhinieri Kompjuterike. Pasi që babi ka qenë inxhinier i agronomisë edhe unë kam pas dëshirë që të vazhdoj në inxhinieri.

 RKL: Rënia e dëshmorit, Skënder Rexhepi ishte humbje e madhe për UÇK-në, por para se gjithash për familjen, e bashkëluftëtarët. A ju vizitojnë ata, apo vetëm në data të përvjetorëve?

 Agnesa Skënder Rexhepi: Me shumicën e bashkëluftëtarëve të të babit tim dëshmor kemi kontakte. Në vitet e pas luftës vizitat kanë qenë shumë të shpeshta, por tash për shkak të dinamikes së jetës dhe obligimeve të shumta, paksa janë rralluar. Zakonisht për festa dhe përvjetorë na vizitojnë. Sa herë që bisedoj me bashkëluftëtaret e babit gëzohem shumë sepse në një farë mënyre e ndjej prezencën e tij.

RKL: Dëshmori i kombit Skënder Murat Rexhepi ka mbajtur shënime të ndryshme dhe ditar të luftës, a i keni Ju ato shënime, dhe a keni arritur ti botoni?

 Agnesa Skënder Rexhepi: Fatkeqësisht jo, i kanë djegur të gjitha.

RKL: Agnesë, të falënderojmë se u bëre pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Të urojmë nga zemra shëndet e suksese në jetë.

Agnesa Skënder Rexhepi: Ishte nderë  për mua të jem pjesë e Radio Kosova e Lirë, e cila na ka shoqëruar në kohen më të vështirë, e po na shoqëron edhe tani. Faleminderit shumë!

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …