Këshilli për Siguri i Kosovës, njofton qytetarët e vendit se institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës kanë zbuluar veprime të disa individëve dhe grupeve të tyre, të lidhura me grupe dhe individë nga vende tjera jashtë shtetit tonë, të orientuara ekskluzivisht për destabilizimin e Kosovës dhe për rrezikimin e rendit kushtetues. “Grupe të tilla kanë planifikuar të kryejnë akte kundër disa liderëve institucionalë dhe politikë të Kosovës. Veprimet e tilla, vlerësohet se mund të jenë të lidhura me njerëz me të kaluar të dyshimtë, që punojnë me grupe dhe shërbime të disa vendeve dhe mund të kenë lidhje me persona të inkriminuar në konflikte jashtë Kosovës, si dhe me vende të caktuara të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës. Institucionet e Kosovës po ndërmarrin të gjitha veprimet për ruajtjen e rendit kushtetues, për sigurinë dhe mbrojtjen e jetës së liderëve shtetërorë dhe politikë dhe të njerëzve të tjerë të rrezikuar nga grupe të tilla kriminale”, është thënë në komunikatën e Qeverisë. Këshilli për Siguri i Kosovës konsideron se synimet dhe aktet e tilla duhet të dënohen nga të gjithë qytetarët e Kosovës, nga Qeveria, Kuvendi dhe shoqëria civile. “Ndërkaq, organet e rendit dhe ato të drejtësisë do të ndërmarrin të gjitha masat ligjore për të parandaluar akte që rrezikojnë jetën e njerëzve, stabilitetin e vendit dhe rendin kushtetues dhe që bartësit e grupet e tilla të sillen para drejtësisë”, është thënë në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Kontrolloni gjithashtu
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit
Urdhër-arresti i Gjykatës Ndërkombëtare Penale ndaj Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që shënon herën e parë …