leoni

Ndahet nga jeta ‘Paganini i çiftelisë shqiptare’, “Artisti i Popullit”, Ndue Shyti

Ndahet nga jeta ‘Paganini i çiftelisë shqiptare’, “Artisti i Popullit”, Ndue Shyti

Artisti shumëdimensional, instrumentisti, dirigjenti, krijuesi popullor, ‘Paganini i çiftelisë shqiptare’,  Ndue Shyti është ndarë sot nga jeta në moshën 83 vjeçare.

I  nderuar me titullin “Artisti i Popullit” dhe “Nderi i Kombit” , Ndue Shyti u cilësua edhe si ‘Mbret i çiftelisë’, përmes së cilës prodhoi deri edhe në simfoni, duke dhuruar tinguj kaq të harmonishëm e magjik, prej drurit dhe telave, apo edhe fyejve.

“Artisti i Popullit, Ndue Shyti ka lindur më 10 shtator 1934, në fshatin Gojan i Madh të rrethit të Pukës.

Themelues dhe drejtues i orkestrës popullore pukjane, Ndue Shyti është vlerësuar nga muzikologë, studiues e personalitete të folkloristikës jo vetëm  shqiptare  por edhe evropiane. Nën drejtimin e tij, Orkestra e Shtëpisë së Kulturës Pukë, arriti mbi 100 instrumentistë.

Një kolektivizim i të gjitha instrumenteve karakteristike të trevës së Pukës, çifteli, sharki, fyell, lahutë, daulle, bilbil, zumane, gjeth, fuzë etj.

Formacioni orkestral nën drejtimin e Artistit të Popullit, do të vlerësohej nga studiues dhe akademikë të folkloristikës, si: Zihni Sako, Ramadan Sokoli, Çesk Zadeja, Tish Daija, Pjetër Gaci etj.

Në shembullin e orkestrës pukjane nisën të krijoheshin edhe orkestra në rrethet Mirditë, Mat, Lezhë etj., të cilat kanë shpalosur nivele të larta ekzekutimi në festivale kombëtare të Gjirokastrës, Beratit etj.

Edhe në turnetë e Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore jashtë Shqipërisë, para viteve ‘90, “Mbreti i çiftelisë” Ndue Shyti ishte i përzgjedhur i drejtuesve artistik, Tish Daija e Çesk Zadeja, i cili me pjesët solistike në çifteli, emociononte publikun në sallat gjigante në skenat botërore.

Në Itali, Jugosllavi, Turqi, Francë, Holandë, Suedi, Norvegji, Zvicër, Kinë, Vietnam, Laos, Kamboxhia etj, do të spikaste interpretimi i artistit të madh Ndue Shyti.

Për virtuozitetin e interpretimit të Ndue Shytit, nëpërmjet instrumentit më të vjetër folklorik shqiptar, do të shkruanin edhe gazetat më të mëdha si: “Le Monde”, “Corriere della Sera”, “Hürriyet”  etj.

Nuk mund të lëmë pa përmendur çmimin që Ndue Shyti i solli Shqipërisë nga Franca. Në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit në Dizhon ,( 30 gusht – 4 shtator 1970) vallet e kostumografia popullore shqiptare, por veçanërisht interpretimi mahnitës i “Artistit të Merituar”, Ndue Shyti”, do të rrëmbente trofeun e  madh “Gjerdani i Artë”.

Në 32 vite të krijimtarisë së tij artistike, nga viti 1960 e deri në vitin 2002,  Ndue Shyti ka qënë pjesë 450 koncerteve brenda vendit dhe plot të tjerë jashtë, në 18 shtete dhe 4 kontinente.

Puna, talenti, kontributi i Ndue Shytit për afër një gjysmë shekulli në ruajtjen, pasqyrimin dhe pasurimin e vlerave më të mira etnokulturore mban këto vlerësime:  “Qytetar Nderi i Komunës Gjegjan”, Pukë;  “Krenaria e Qytetit Pukë”;  “Artist i merituar”;  “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në vitin 2013. Në koleksionin e tij ka 17 çmime, urdhëra e medalje kombëtare e ndërkombëtare dhe 4 çmime lokale.

/a.g/ TIRANE, 20 Prill/ATSH/-

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …