Në letërsinë shqipe gjithnjë e më shpesh po botohen romane historike. Tema për romane të tilla ka me shumicë, për çdo cep të tokave shqiptare dhe për çdo kohë e periudhë, sikurse ka edhe personazhe historike dhe reale, pozitive ose negative. Një i tillë është romani i shkrimtarit Ibrahim Kadriu, me titull: “Misioni rus”.
Romanin e nisë me rrëfimet e gazetarit të gazetës “Progres” të Beogradit, Grigor Reziq, i cili njëkohësisht ishte ushtar dhe reporter i luftës, që mbante ditar ngado që lëvizte me njësitin e tij. Rrëfimet e tij ishin rrëqethëse, që fillojnë me hyrjen e ushtrisë serbe në Prizren, më 3 nëntor 1912, po edhe andej në Kumanovë e Shkup. Që ditën e parë në Prizren ushtria i hyri kontrollit të rreptë nëpër shtëpi, duke plaçkitur, maltretuar, arrestuar dhe vrarë së paku 400 shqiptarë. Për pushtimin e Kosovës e të Shqipërisë, Serbia kishte angazhuar 286 mijë trupa dhe 550 armë të rënda, të sistemuara nëpër njësi të caktuara. Njësia më e madhe ishte nën komandën e gjeneralit famëkeq Bozhidar Jankoviq, i cili thoshte se Serbia po kthehet aty ku ishte para shtatëqint vjetëve, dhe se do të sigurojë daljen në det. Pas gjithë asaj masakre, gjenerali Jankoviq i kishte detyruar krerët e Prizrenit të nënshkruanin një “Deklaratë Falënderimi” mbretit serb, Petar Karagjorgjeviq, për çlirimin e tyre (nga pushteti ottoman)! Këshilltar i Jankoviqit dhe gjithë ushtrisë serbe ishte oficeri rus, Rusllan Nikollaj. Në portën e Xhamisë së Sinan Pashës në Prizren, oficeri rus i foli diçka në vesh imamit, Mulla Adnanit, ndërsa ky iu drejtua xhematit: “Xhematë i nderuar, ju mirë mbetshi, unë kaq kisha dhe duhet të kthehem prej nga kam ardhur”. Ky imam kishte qenë rus, me emrin Kazimir Olenko, që kishte ardhur imam në Prizren në vitin 1892, dhe pas njëzet vjet shërbimi aty, më pastaj ka shërbyer edhe në Tetovë e Ulqin.
Gazetari Reziq tregon për krimet e llahtarshme që kishte bërë ushtria serbe kahdo që kalonte, duke vrarë shqiptarë në mënyrën më të tmerrshme, pa marrë parasysh moshën a gjininë, duke djegur e shkatërruar shtëpi, fshatra e qytete. Por, raportet e tij për këto krime, gazeta i censuronte ose nuk i botone fare, dhe ia kishte tërhequr vërejtjen që të kenë kujdes se çfarë po raportonte. Bile, ditari i ishte vjedhur, dhe për shkak të shënimeve që mbante, autorit i kërcënohej rreziku i likuidimit. Deri në mesin e nëntorit 1912, ushtria serbe kishte okupuar tërë Kosovën, viset shqiptare në Maqedoni dhe veriun e Shqipërisë, duke përfshirë Durrësin, Lezhen dhe Shëngjinin, ndërsa malazezët mbanin të rrethuar Shkodrën. Gazetari Reziq kishte mbledhur artikuj nga gazetat e hueja, të cilat shkruanin për masakrat serbe nga vjeshta 1912 deri në pranverën e vitit 1913. Për masakrat kishin shkruar më së shumti Law Trocki dhe Leo Freundlich, por edhe të tjerë. Nga frika e likuidimit, gazetari Reziq kishte ikur nga ushtria dhe shkua në Austri, te miku i tij Leo Freundlich. Jo vetëm ushtarët, por edhe civilët serbë vinin për të plaçkitur, apo për t’i blerë me çmime shumë të lira nga oficerët serbë plaçën që ata kishin grumbulluar; psh. një penë qe i blenin për 20 dinarë! Kështu, ushtria serbe nuk kishte nevoje për furnizime, sepse ushqehej e jetonte nga plaçkitja. Ushtria serbe kishte gjetur edhe ndonjë bashkëpunues nga radhët e shqiptarëve. Të tillë ishin Gani Lika në Lumë, dhe Sherif Begu në Vushtrri. Në shtëpitë e tyre gjenin konak oficerë e ushtarë serbë, dhe kështu ata ishin të mbrojtur nga ushtria, për aq kohë sa ju nevojiteshin. Në kullën e Gani Likës disa ditë kishte gjetë konak edhe oficeri rus, Rusllan Nikollaj, po edhe gazetari Reziq. Një natë aty kishte ardhur edhe një misionare ruse, e cila shërbente si mësuese në Kosovë. Emri i vërtetë i saj ishte Tatjana Vollovna, ndërsa emri i rremë ishte Emine Barajari, gjoja se ishte çerkeze, por që e fliste shqipen. Tatjanën (Eminën) të veshur me ferexhe, e kishte përcjellë prej Prizreni, me kalin e tij Sebastian Kola, për një pagesë. Në kullën e Gani Likës nuk e gjeti oficerin rus, që mbante dy emra të rrejshem shqiptar: njërin katolik (Zef Kristi), dhe tjetrin musliman (Faruk Myftiu), sepse kishte shkua në fshatin Guror të Mirditës. Pasi vajtën dhe e gjetën Nikollajn, përcjellësi Sebastian u kthye natën për në Prizren, por oficeri rus që e përcolli deri sa hynë në pyll, e vrau Sebastianin, në mënyrë që të mos i tregonte kujt se çka kishte parë e dëgjuar. Një natë, në kullën e Gani Likës kishte shkuar një togë ushtarësh serbë, me eprorin e tyre (Jozhe Gogiq), por kryengritësit shqiptarë e kishin rrethuar kullën, i kishin zënë dhe vrarë të gjithë serbët bashkë me të zotin e kullës, ndërsa gratë e fëmijët dhe gazetarin Reziq i kishin nxjerrë jashtë, dhe kullës ia kishin dhënë flakën. Në Lezhë, ushtria serbe kishte organizuar një aheng gëzimi për rënien e Shkodrës (prill 1913). Në atë aheng ishin edhe oficeri rus Rusllan Nikollaj dhe mësuesja Tatjana Vollovna. Në shtallën e kuajve, një ushtar i dehur po përpiqej të dhunonte një vajzë shqiptare (Elzen), britmën e së cilës e kishte dëgjuar Tatjana, e cila e goditë ushtarin me një shufër hekuri. Të nesërmën kur e kishin gjetur ushtarin e vdekur, ishte alarmuar gjithë ushtria serbe, gjoja se kryengritësit shqiptarë paskan bërë diversion. Rusllani dhe Tatjana, me një kamion ushtarak vajtën në Shkodër, prej nga Rusllani vazhdoi për në Cetinje, ndërsa Tatjana mbeti në Shkodër, ku u takua me Edit Durhamin, e cila i ndihmonte refugjatët me ushqime dhe ilaçe. Pa e ditur se Tatjana është ruse, Edit Durham fliste për gjenocidin që shtetet ortodokse po bëjnë, për t’ zhdukur shqiptarët të cilët nuk po i mbronte askush. Gjatë udhëtimit (me përcjellës e kuaj) për në Reç, Durhami e Tatjana takojnë një grup refugjatësh, në mesin e të cilëve ishte një djal i plagosur. Natën që bënë në mesin e tyre, Tatjana që merrej vesh nga medicina, u kujdes për djalin e plagosur dhe momentalisht u dashurua në te, ashtu që të nesërmën u nda prej Durhamit dhe shkoi me djaloshin dhe nënën e tij. Prej momentit të ndarjes në Shkodër, Rusllani dhe Qendra kishin humbur lidhjet me Tatjanën. Sekretari i konsullatës ruse në Cetinje (Boris Topallov), e fajsonte Rusllanin për zhdukjen e Tatjanës. Pas një takimi në Ulqin, me “Mulla Adnanin”, as.Kazimir Olenko, Rusllani kishte ardhur në Vushtrri, në shtëpinë e Sherif Begut, ku para tij kishte banuar misionari tjetër rus (Valentin Sergejeviç). Në Vushtrri shiheshin kolona shqiptarësh që po iknin prej ushtrisë serbe. Sherif Begu i kishte ndihmuar spiunit rus Sergejeviç, për t’i dërguar në Rusi 175 shqiptarë, me premtim se atje do gjenin punë, dhe i kishin edhe 150 tjerë të regjistruar të gatshëm për atë rrugë. Mirëpo, ata që kishin shkuar, nuk ishin lajmëruar asnjëherë dhe nuk ishin kthyer kurrë. Rusllani ia kishte organizuar Sherifit një udhëtim në Rusi, për ta vizituar Qendrën e shkollimit të misionarëve rus në St.Petersburg, duke i premtuar se do t’i takonte edhe shqiptarët e dërguar atje. Sherif Begu kishte parë në atë Qendër se nja 60 studentë rus po mësonin gjuhën shqipe, për të shërbyer në misione të ndryshme në viset shqiptare. Grupe të ndryshme aty mësonin të gjitha gjuhët e botës. Përkundër pritjes e dhuratave të çmueshme që i dhanë, Sherifi ishte i zhgënjyer që nuk ia mundësuan takimin me shqiptarët, dhe aty i lindi dyshimi në tërë misionin. Gjatë kthimit, u ndal në Stamboll, për t’i vizituar dy djemtë e tij të cilët studjonin në akademi ushtarake, dhe takoi një profesor të tyre (Irfan Dogllu), që ishte oficer i lartë. Në bisedë me te, tregoi dyshimin për misionin rus, dhe kjo e shqetësoi oficerin turk, i cili kishte raportuar atje ku duhej, ishin formuar komisione për identifikimin e njerëzve të huaj të infiltruar në shërbime të ndryshme shtetërore e civile, dhe kishin vërtetuar se shumë sish ishin rusë. Natën e parë që Sherif Begu u kthye në Vushtrri, pas mesnate shtëpinë e tij e kaploi një zjarr i furishëm që dogji shtëpinë dhe Sherifin me të shoqen dhe vajzën që ishin brënda. Të parët që kishin shkua për të parë shtëpinë e djegur ishin ushtarët serbë, bashkë me “misionarët” rusë Nikollaj dhe Sergejeviç. * * *
Kjo , në pika të shkurta, është fabula e romanit voluminoz prej 464 faqesh,“Misioni rus”. Besoj se me këtë paraqitje të fabulës, kam nxitur kërshërinë tuaj për ta lexuar vet librin. Romani përveçse është letërsi, është edhe histori e golgotës shqiptare në periudhën dramatike të Luftës së Parë Ballkanike, që historikisht shënohet midis datës 8 tetor 1912 deri më 30 maj 1913, dhe ishte koha më e rëndë për fatin e kombit, kohë kur u shpall pavarësia e më pak se gjysmës së tokës e të popullit shqiptar. Hapësira, ngjarjet e rrëfyera në roman, sikurse edhe shumica e personazheve, janë reale, ndonëse ka edhe aso të imagjinuara, sikurse ndodhë në romane. Por, realiteti i krimeve mbi popullsinë shqiptare në atë periudhë ka qenë ku e ku ma i rëndë se që mund të përshkruhet në çfarëdo romani, sado që është përshkruar e dokumentuar edhe në shtypin e kohës dhe në raporte të ndryshme ndërkombëtare. Edhe Lav Trocki, edhe Leo Freundlich, të cilët i përmend autori në roman, kanë njoftuar opinionin botëror asokohe për krimet e kryera, por edhe Dimitrije Tucoviqi, Kosta Novakoviqi e ndonjë tjetër kanë paraqitur në shtypin e opozitës (“Radniçke novine”) tmerret që bënte ushtria serbe. Ibrahim Kadriu, romanin e ka shtjelluar në bazë të rrëfimeve të personazheve, ku kryerrëfimtar është gazetari Grigor Reziq, por të dhënat e paraqitura në roman, për shumë ngjarje e parametra, janë reale, të vjela nga burime të ndryshme të pakontestueshme, sado që ato kurrë nuk janë përfundimtare.
“Misioni rus” është temë e parrahur deri më tash në letërsinë tonë, të paktën jo në mënyrë kaq të plotë e të argumentuar, siç ka bërë Ibrahim Kadriu. Duke lexuar këtë roman, lexuesi ka ndjesinë se është duke udhëtuar në botën e ferrit të asaj lufte, dhe se po i sheh shumë nga ato kolona refugjatësh, ato djegëje të fshatrave e qyteteve dhe të njerëzve në to, tmerre te krimeve të ushtrisë serbe, dhe mund t’i bëjë vetës pyejte, se si ka shpëtuar populli shqiptar nga zhdukja totale, karshi synimeve të hegjemonisë ortodokse sllavo-grek. Gjatë tetë muajve të Luftës së Parë Ballkanike, sipas të dhënave të Episkopit të Shkupit, Lazër Mjeda, janë vrarë 25000 shqiptarë. Këtë shifër e jep edhe Komisioni Ndërkombërtar, dhe këtë e jep edhe autori i romanit në fjalë. Por, raportuesi nga frontet e luftës, Kosta Novakoviq, ka dhënë shifrën prej 120 mijë shqiptarë të vrarë, dhe kjo është më afër realitetit (shih: Wikipedia: “Zlocini nad Albancima u Balkanskim ratovima”). Vlerësuar me kriterin ideor dhe të mesazhit, romani ka një peshë specifike, që nuk është vetëm për atë kohë, por vlenë edhe për këtë kohë, për t’u këndellë nga letargjia dhe mjegulla e shpërndarë e shpresës se jemi çliruar totalisht e përgjithmonë nga armiqtë tanë shekullor. Sepse, fryma e hegjemonisë së ortodoksizmit sllavo-grek, edhe tash është në veprim, me mjete e metoda tjera, por me qëllim të njëjtë.
Ka libra të cilat lehtë janë shkruar, por vështirë lexohen, sikurse që ka edhe libra të cilat vështirë janë shkruar, porse lehtë lexohen. Romani i Ibrahim Kadriut “Misioni rus”, bie në këtë kategorinë e dytë, edhe për faktin se autori ka dije, përvojë e stil në shtjellimin e veprave letrare. Deri më tash ka të botuara afro 60 vepra, në prozë, poezi, drama, disa prej të cilave janë përkthyer e botuar edhe në gjuhë të hueja. Pjesë nga proza a poezitë e tij janë botuar edhe në antologji të ndryshme në disa gjuhë tjera: frengjisht, gjermanisht, anglisht, italisht, serbisht, rumunisht, turqisht, madje edhe arabisht. Është laureat i disa çmimeve për letërsi.
(Ibrahim Kadriu: “Misioni rus”, botoi “Koha” Prishtinë, 2016, fq.464)