Historia, si mësuese e jetës, na ka treguar jo pak herë deri më sot, se ata që i kanë tmerruar qytetarët e Kosovës pa dallim, shqiptarë apo serbë, kanë qenë vetëm veprimet ushtarake e luftarake të politikës fashiste të Beogradit. Politikë, që për qëllim final kishte zhdukjen e pjesërishme, si hap i parë dhe zhdukjen e tërësishme, si hap përfundimtar të shqiptarëve të Kosovës. Këtë e treguan dhe e demonstruan haptas edhe në luftën e fundit, në mbarim të shekullit të kaluar. Tmerre këto që i ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës dhe i ka parë opinioni botëror, sepse nuk jemi tashmë në mesjetë!
Nga ana tjetër, as veprimet dhe as deklarimet e udhëheqësve shqiptarë të Shqipërisë e të Kosovës, madje as edhe një herë të vetme në histori nuk i kanë tmerruar qytetaret serbë të Kosovës. Gjithkush në Kosovë dhe në botën demokratike e di se deklaratat e ditëve të fundit, të nxjerra nga rropullitë e Edi Ramës dhe të Hashim Thaçit nuk janë serioze e aq më pak tmerruese për serbët e Kosovës, të cilëve klasa e sotme politike shqiptare ju ka afruar standardet më të larta të të drejtave e lirive sesa cilitdo komunitet pakicë në Evropë!
“Frika” e shprehur e zyrtarëve të lartë serbë është më shumë se e shpifur, madje janë përpjekje për të arsyetuar agresivitetin e kërcënimet e tyre të përsëritura ndaj shqiptarëve dhe njëkohësisht edhe të serbëve e të tjerëve në Kosovë.
Kësaj propagande gebellsiane të zyrtarëve të lartë të Beogradit nuk duhet t’ju besojë askush nga bota demokratike, siç u besuan këtyre ditëve disa qarqe serioze të Evropës e të Amerikës! Ata e dinë sa edhe ne, se politika shoviniste serbe e njeh vetëm gjuhën e forcës si dhe çdo tërheqje ngado që të vijë e konsiderojnë si mbështetje të politikave të tyre fashiste.
Krerët e sotshëm të Beogradit, në vend që të tmerrohen nga gjenocidi i tyre i përsëritur më se tri herë në shekullin XX ndaj shqiptarëve e të tjerëve, e fshehin kërcënimin e tyre duke u bazuar në deklarata joserioze të Ramës e të Thaçit. Serbet e Kosovës duhet të tmerrohen nga egërsia e politikës së Beogradit, e cila jo pak herë ata i ka bërë mish për top!
Të gjithë ata që i kanë parë tmerret e luftës se fundit në hapësirat e ish-Jugosllavisë, duhet ta dinë këtë edhe shqiptarët e moderuar, se kapja e fashistëve të Beogradit pas shkumës së deklaratave, nuk është gjë tjetër veçse përgatitje për luftëra të reja gjenocidale ndaj shqiptarëve dhe hapësirës së tyre jetësore.
Këtë përgatitje të ethshme nuk e shohin ose nuk duan ta shohin vetëm ata që ishin e janë në shërbim të asaj politike të krimit e të gjenocidit! Qullët e politikës shqiptare në Kosovë e Shqipëri nuk duhet të merren me deklarata boshe, por ata duhet të merren me vendime të mëdha, të drejta e të përgjegjshme për zhvillimin, integrimin e sigurinë e kombit në hapësirat e tyre etnike!
Nuk e kam asnjë dyshim, kësaj politike i ka ndihmuar inferioriteti i atyre shqiptarëve që biseduan në Bruksel me fashistët serbë, trashëgimtarë të politikës së Millosheviqit. Nuk thuhet kot: Qeni i keq ta sjell ujkun në torishtë!Ata shqiptarë që biseduan në bisedime te Brukselit, politikës fashiste të Beogradit ua ushqyen iluzionin për rikthim të sovranitetit serb mbi Kosovën! Krijuan një konfuzion të panevojshëm, që Kosovës dhe qytetarëve të saj po i kushtojnë dhe do t’i kushtojnë jo pak, sidomos me integrimet, lëvizjen e lirë, mirëqenien që nuk po shihet askund…
Iluzioni patologjik serb, i ushqyer nga ky inferioritet i dele-gacioneve tona në Bruksel, duhet theksuar se tani e gjithmonë është dhe do të jetë i parealizueshëm, se jo të gjithë shqiptarët e politikës janë të shantazhuar dhe u nënshtrohen atyre ngado që të vijnë!