Fetnete Ramosaj

Fetnete Ramosaj: Çdo vendim tjetër pos aktvendimit lirues për Ramush Haradinajn është i padrejtë!

Gjykata franceze sot pritet të marrë vendimin përfundimtar për Ramushin, i cili po mbahet në Francë tash e katër muaj, në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004. Është e çuditshme, se si Franca në këtë rast e hëngri karremin e Serbisë, e cila është përgjegjëse për gjenocidin e kryer gjatë dekadës së fundit të shekullit XX në Kosovë, Kroaci e Bosnjë, që shënojnë aktet më të tmerrshme të krimeve të luftës dhe të gjenocidit të kryera në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Serbia për këto krime as nuk është ndëshkuar, as nuk është penduar, as nuk është distancuar nga e kaluara e saj, përkundrazi po vazhdon të trajtohet si e përkëdhelura e bashkësisë ndërkombëtare, ndonëse çdo ditë po kërcënon me luftëra të reja.

Sot, kur gjykata franceze pritet të shpallë vendimin për ish-kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, për akuzat e fabrikuara e të ricikluara nga Serbia, për të cilat në dy procese gjyqësore gjatë tetë viteve (2005-2012), u shpall i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, nga institucioni më i lartë i drejtësisë ndërkombëtare Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë me seli në Hagë, i themeluar nga OKB-ja.

Sot është 27 Prill – Dita Kombëtare e të Pagjeturve të Kosovës.

Sot është 27 Prill, dita kur forcat pushtuese serbe (ushtria, policia, njësitet speciale, paramilitarët, serbët lokalë, njësitet ruse etj.) e kishin zgjedhur pikërisht përvjetorin e ditës së formimit të të ashtuquajturës Republikë Federale të Jugosllavisë së Zhablakut (27 prill 1992), për të ndëshkuar popullsinë shqiptare, duke ndërmarrë një operacion të gjerë për spastrimin etnik të fshatrave të brezit kufitar me Shqipërinë (të rajonit të Rekës së Keqe) nga popullsia e mbetur, me ç’rast krahas djegieve, plaçkitjeve, shkatërrimeve e dëbimeve masive, kryen njërin ndër aktet më të tmerrshme të gjenocidit gjatë luftës në Kosovë, duke i arrestuar e më pas duke i vrarë, masakruar e zhdukur të paktën 376 civilë shqiptarë. Pas përfundimit të luftës, u gjetën të vrarë, të djegur dhe të masakruar trupat e 28 prej këtyre civilëve shqiptarë, por për fatin e qindra të tjerëve nuk dihej asgjë deri në maj të vitit 2003, kur u kthyen mbetjet e para mortore nga varrezat sekrete masive në Serbi dhe i shuan shpresat e familjarëve se mund të jenë të gjallë. Mbetjet mortore të 309 shqiptarëve të arrestuar në Meje u gjetën në varrezat sekrete masive të Batajnicës në periferi të Beogradit.

Ndonëse dihen përgjegjësit askush nuk ka dhënë llogari as për Mejen as për vrasjet e masakrat e kryera nga forcat e organizuara shtetërore të Serbisë anekënd Kosovës. Janë të turpshme dhe të papranueshme tendencat për tjetërsimin e përgjegjësisë së krimeve të luftës në Kosovë, sepse adresa e krimeve është e qartë – Serbia.

Lufta për liri nuk është krim. Pala shqiptare gjatë luftës i ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare. Çdo vendim tjetër pos aktvendimit lirues për Ramush Haradinajn nga gjykata franceze e Colmarit është i padrejtë!

Kontrolloni gjithashtu

Në Ditën Forcës, dyert e kazermave të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë hapur për të gjithë qytetarët e vendit

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, në shënim të  Ditës së Forcës …