Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Fragment nga romani në dorëshkrim, “Betimi i motrës”

Në burgun e Suboticës, në vjeshtë të vitit 1986, një natë në mbrëmje, në qelinë ku më mbanin prej disa muajsh, kishin sjellë një sapo të arrestuar. Gardiani kishte hapur derën me rrëmbim dhe kishte shtyrë të burgosurin, i cili kishte stepur para derës.

Ulazi sto cekas 1)i thotë me kërcënim. Nga fizionomia dhe hutimi që kishte shprehur e merrja me mend se ishte hungarez, andaj edhe iu drejtova në gjuhën e tij.

-Gyere baratom. Es itt  a foghaz, az embereket eletett, 2)   i drejtohem, pasi kishte mbyllur derën gardiani, i cili i ndëshkonte pa mëshirë të burgosurit, madje edhe pa asnjë faj. Vetë fakti se policia  i sillnin në burg të arrestuarit, atij i mjaftonte që t’i keqtrajtonte, madje pa bërë asnjë gabim, thjesht nga përvoja e keqe, apo nga vesi i keq  që kishte, sikur thoshin të burgosurit.

Joshka ishte një burrë rreth të dyzetave. Kishte një trup të bëshëm, sy të kaltër, flokë të dendur dhe  të prerë shkurt. Nga pamja dukej shumë paqësor dhe i urtë, sikur janë shumica e hungarezëve, në Vojvodinë. Duke qenë pjesëtarë të një kombi të keqtrajtuar nga serbët, ata duket se me kohë  ishin strukur në mjerimin e tyre, pa shpresë për ditë më të mira. Ishte kohë vjeshte por ende bënte mot i mirë. Ai kishte veshur vetëm një këmishë  me krah të shkurtë dhe pantallona vere.

Fillimisht nuk donte të fliste, apo i kishte “humbur gjuha”, sikur konstatonin zakonisht të burgosurit kur një i sapo ardhur nuk e zotëronte dot veten kur futej në një rreth të panjohur njerëzish sikur i gjen papritur, nëpër burgje.

Disa muaj më parë, me kërkesën time  më kishin larguar nga dhoma kolektive dhe më kishin furur në atë qeli dyshe, për dy vetë. Një dhomë e ngushtë me dy shtretër me korniza hekuri dhe wc-në brenda, në këndin te dritarja. Qelia kishte 11 metër katrorë. Ishte vend i mirë dhe i qetë për lexim, po ashtu edhe për ndërrim ambienti nga dhoma kolektive, ku tërë dita shkonte rrëmujë, me tym duhani, lojë shahu e domino.

Hungarezi ishte ulur në stolin e drurit dhe më shikonte me habi derisa unë i tregoja kush isha, sa vite kisha mbajtur në burg, kur duhej të lirohesha. Po ashtu i kisha treguar përse më kishin burgosur. Ai më kishte vështruar më vëmendjen e njeriut që dëgjonte për herë të parë ndodhi të tilla, por nuk fliste asnjë fjalë. Herë- herë shprehte habi.

Duke parë se nuk kishte ndërmend të fliste, i kisha treguar se mund të shtrihej në krevat, meqë kishte afruar ora 21.00  kur pas disa minutave fikej drita.

-Këtu ke mësuar hungarisht- m’u kishte drejtuar në kohën kur po përgatitesha për të rënë në krevatin sipër. Ai do të flinte poshtë.

-Kam mësuar, por jo aq mirë sa për ndonjë bisedë të thellë e serioze. Edhe pse bëj gabime flas me qëllim për të mësuar më shumë.

-Ti je në mesin e pak shqiptarëve që po takoj në jetën time. Dy i kam njohur në Virovitica të Kroacisë kur kam qenë në shërbimin ushtarak. E di se ka shqiptarë pronarë ëmbëltoresh e shitoresh kudo në këto anë, po nuk njoh ndonjë. Kam mendim të mirë për ju. Nuk thonë kot se shqiptarët kanë besë. Madje edhe serbët kur përbehen thonë, “Dajem ti shiptarsku besu”. Hapja aq e papritur e tij më kishte bërë përshtypje të mirë, por nuk e kisha pyetur përse e kishin arrestuar. Të burgosurit, që mbajnë shumë vite në burgje kurrë nuk e pyesin të sapoardhurin se çka ka bërë, përse e kanë arrestuar. Ata presin që ai të rrëfehet vetë.

– Si e kupton ti besën e shqiptarëve?- iu kisha drejtuar në gjuhën serbe, pasi ishte shtrirë në krevat dhe nga korridori gardiani kujdestar kishte fikur dritën.

– Ka diçka që më lidh me shqiptarët, por është një histori e gjatë dhe ta rrëfej ndonjëherë tjetër.

– Ndoshta nuk të mbajnë gjatë këtu?

– Mbase, po ku i dihet.

– Ke pasur ndonjë aksident. Nga pamja më dukesh si shofer.

– Shofer jam, por këtu ndodhem për një vepër tjetër.

– S’ ka rëndësi, nëse ke gjumë, fli i kisha thënë.

– Gjumin edhe në gjendje normale nuk e kam fare shok, tani çfarë të pres.

– Ja që njeriut i ndodh gjithçka në jetë. Njerëzit që besojnë në Zot, thonë se ai i ka shkruar të gjitha. Ka raste kur i besoj këtij konstatimi, por zakonisht e marr me mëdyshje, po ti, Joshka, si mendon?.

– Jemi larguar prej Zotit, ose ai na ka harruar fare. Mbase edhe është shkruar… Ja si ky momenti sonte.  Një natë më parë isha në shtëpi me gruan dhe bijën time 20-vjeçe. Papritur e thirri një shoqe me telefon dhe ajo doli, tinëz meje, nga frika se do ta ndaloja të shkonte. Dy orë më vonë derisa po shikoja një film në Tv, ndërsa bashkëshortja ime po dremiste ulur në kanape, një cingërimë telefoni më këputi filmin në gjysmë.

Zëri i një polici më befasoi. Aq më keq kur më tregoi se bija ime, quhet Erzhebet  ndodhej në spital, meqë e kishte sulmuar një i panjohur dhe ajo i kishte humbur ndjenjat. Më kishte bërë me dije  po ashtu se ajo nuk ishte në gjendje të rëndë. Kisha zgjuar Klarën, kështu quhet bashkëshortja ime, dhe ishim nisur drejt emergjencës së qytetit. Tri orë më vonë, vajza e kishte marrë veten, por mjeku kujdestar nuk lejonte ta merrja në shtëpi. Ajo më kishte rrëfyer se rrugës për te shoqja e saj, e kishte sulmuar një huligan dhe kishte bërë përpjekje ta dhunonte. I kishin shkuar në ndihmë dy kalimtarë rasti, një burrë dhe një grua dhe huligani ishte larguar. E kishin lajmëruar rastin në polici dhe më pas  e kishin dërguar në Spital meqë i kishte rënë të fikët. Fillimisht nuk më kishte treguar se kush e kishte sulmuar, por në kohën kur unë e bashkëshortja po bëheshim gati të largoheshim nga Emergjenca, ajo më tregoi se njeriu që kishte dashur ta dhunonte ishte djali i një të njohurit tim, i cili e kishte ngacmuar edhe më parë.

Sapo u zgjova në mëngjes, edhe pse nuk kisha fjetur gjatë tërë natës, por pak kisha dremitur, u lajmërova në polici dhe ata më bënë me dije se sulmuesi ishte pikërisht ai, për të cilin më kishte folur bija ime, djali i një shoku tim të dikurshëm, një shok pune, të cilin e njihja por nuk kishim ku di çfarë shoqërie. Policët thanë se do ta arrestojnë. Me të dalë nga stacioni, disi instinktivisht u nisa në drejtim të shtëpisë së Stankoviqit, kështu e quajnë babanë a atij banditit, Vukut.

Sapo më pa nga larg, doli te dera dhe më priti keq.

– Ajo bija jote e përdalë ma mori në qafë djalin, më tha duke më sharë mua dhe bijën time.

– Mos fëlliq me gojë i them, si  është e mundur që jetë bija ime fajtore, kur ai ka bërë përpjekje ta dhunojë? – ia ktheva duke u munduar ta mbaja veten.

– Është kurvë ajo bija jote, i ka kërkuar para djalit tim, shko tërhiqe akuzën se të thyej hundët a më kupton, më thotë i gatshëm për të më sulmuar. Unë nuk e kisha ndërmend ta sulmoja, por kur m’ u vërsul e humba durimin dhe e shtriva për tokë. E dija  se po e teproja, por ai nuk ndalej. Më vonë mësova se e kishin dërguar në Spital në gjendje të rëndë. Policët më arrestuan dhe tërë pas ditën më morën në pyetje inspektorët.

– Ja pra, kështu ka nisur kjo histori e ligë, pa i pasur borxh e hak askujt.

– Nuk besoj se do të ngrehin akuzë. Tekefundit ti je mbrojtur.

– Kështu them edhe unë, por inspektori më thotë i ke shkuar në shtëpi me qëllim për ta sulmuar, për ta marrë hakun për bijën. Ai, Stankoviqi ka një djalë polic, në Beograd. Kjo e rëndon veprën time dhe mund të më dënojnë. Po meqë shpëtoi bija ime e dashur, po i duroj të gjitha thotë duke nxjerrë një ofshamë të thellë nga e papritura, që e kishte goditur.

Netët në burg janë të gjata, por meqë zgjimi është i hershëm, gjumi nuk vonon.

Joshkën e kishte zënë gjumi para meje, por bënte një gjumë të rëndë dhe të traumatizuar.

Pasi më kishte treguar historinë e ndodhisë së befasishme nuk e kisha ngarë më tej lidhur me rrëfimin se çka  e lidhte me shqiptarët. Mendoja se kishte ndonjë shok, apo ndonjë hallvaxhi, ëmbëltorist, byrekxhi, të cilët i gjen kudo në qytetet e lokalitete e Hungarisë dhe kudo në republikat e Jugosllavisë e tutje.

 Zgjimi në orën pesë të mëngjesit e kishte hutuar fare Joshkën, i cili nga traumat e ditës dhe natës paraprake, sa do që i lodhur e i dërrmuar kishte bërë gjumë të parehatshëm dhe  dukej i vrarë në fytyrë.

– Përse na zgjuan kaq herët, -më drejtohet hungarisht, duke shikuar orën.

– Është koha, i them dhe i shpjegoj se kudo nëpër burgje zgjimi është i hershëm, sikur në ushtri.

Joshka dukej i rënduar dhe i tensionuar ashtu sikur rëndom janë njerëzit që kalojnë natën e parë në burg. Kishte brengë për vajzën, që kishin bërë përpjekje t’ ia dhunonin, por edhe për kurthin ku kishte rënë. Frikësohej se do ta dënonin me burg të rëndë, meqë babait të dhunuesit i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore, edhe pse nuk ndihej fajtor dhe nuk pendohej. Shpresonte se gjyqi do ta merrte për bazë faktin se rrahjen e kishte kryer në efekt dhe i nxitur nga babai i dhunuesit, i cili jo vetëm që nuk pranonte fajin e të birit, madje as i shkonte në  mendje të kërkonte falje për veprimet e tij të dënueshme, por e kishte sulmuar me qëllim që fajtore t’ ia bënte bijën, e cila për pak kishte shpëtuar nga dhunimi.

 Në orën tetë të mëngjesit gardiani Llasllo e kishte hapur derën, si gjithherë me arrogancë dhe me prepotencë iu kishte drejtuar Joshkës, i cili nuk ishte ngritur në këmbë.

Ustani, jebem ti sveca, nisi doshao kod bake! 3)

Joshka ishte hutuar dhe nuk e dinte se gardiani ishte hungarez, për të cilin flitej se ishte cigan hungarez, por meqë ishte gardian, madje shumë i rreptë e i vrazhdë, këtë nuk merrte guxim ia thoshte askush.

–  E ka mëngjesin  e parë në burg, natyrisht se është i hutuar, i them.

– Tregoi këtij sa mëngjese i ke kaluar deri tani, – më drejtohet duke rrotulluar   pendrekun në dorë, sikur kaubojët, që nëpër filma rrotullojnë  revolet e tyre.

-Janë shumë, kanë kaluar dy mijë, i them natyrshëm, meqë Llasllo edhe pse ishte njëlloj përdhunuesi i pashoq  për të burgosurit, asnjëherë nuk më kishte torturuar, as më kishte rënduar me fjalë, përkundrazi tregonte një qëndrim tejet të matur,  të cilën nuk e kam kuptuar kurrë. Ishte sjellë mirë edhe me të burgosurit e tjerë shqiptarë, por veçanërisht me mua. Të tjerët edhe i kërcënonte, ua tregonte pendrekun por nuk i maltretonte.

Gyere, 4) i thotë hungarisht Joshkës, i cili i hutuar sikur ishte, doli pa përshëndetur.

 …

Në orën pesë pas dreke  gardiani Stepan, një kroat bunjevas, vendës, kishte hapur derën dhe në kthinën e burgut ishte dukur Joshka, të cilin e kishin marrë në pyetje gjatë tërë ditës. Për fat të tij, pas hetimeve nga një inspektor serb,  gjyqtari hetues kishte rastisur të ishte hungarez dhe i kishte ngjallur shpresat. Kishte fituar bindjen se me deklaratën e tij krejtësisht reale, pa fshehur asgjë, e kishte bindur gjykatësin se rrahja kishte ndodhur pas fjalëve e sharjeve të ish shokut të tij, djali i të cilit kishte bërë përpjekje t’ ia dhunonte bijën.

-Mos ki dert, të shumtën tri ditë të mbajnë, jo më tepër, i them. Ti do të mbrohesh në liri. Nuk kanë pse të mbajnë më tepër. Është me ligj tri ditë të mbajnë pa asnjë vendim. Nga përvoja që kisha fituar me të arrestuar që sa i binin i lëshonin, kisha frikë mos po e lëshonin edhe Joshkën pa e shfrytëzuar rastin të më tregonte për rrëfimin që ma kishte premtuar. E kisha sjellë në kujtesë premtimin për të me treguar se çka e lidhte me shqiptarët.

– Është histori e familjes, thotë duke ndezur cigaren, tymin e së cilës e hidhte prapa për të mos më penguar, meqë unë nuk tymosja. Gjyshja ime, Zhana, kështu e quanin, ishte shqiptare. Gjyshi, nënën e kishte serbe, babanë e kishte pasur me prejardhje po ashtu shqiptare. Ai quhej Mitar, ndërsa ne, unë, vëllai dhe dy motrat jemi hungarezë nga nëna. Është histori e gjatë por më takon ta rrëfej.

-Gjyshja, ndjesë pastë ka vdekur pesë vjet pasi kisha lindur unë. E kam dashur shumë, meqë jam rritur në duart dhe në prehrin e saj. Nëna ime, Ilunka, hungareze, ishte e dobët nga shëndeti dhe mezi arrinte t’i bënte punët e shtëpisë. Gjyshja më ushqente, më lante, kujdesej më shumë se për sytë e saj, më shoqëronte tërë ditën. Në shtratin e saj jam rritur. Më vonë, ku jam rritur babai im, Antal e quanin, ka vdekur në komunikacion dhjetë vjet më parë, më kishte rrëfyer në tërësi historinë shumë të dhembshme të gjyshes.

Ajo kishte qenë nga një fshat atje te ju, në Kosovë, apo ndoshta në Kumanovë,  por emri tash më doli nga mendja. Me kohë do të më kujtohet.  Kur ishte rritur, dikush ia kishte vrarë të dy vëllezërit dhe ajo ishte hakmarrë, ashtu sikur bënin shqiptarët.  Ndoshta tash nuk hakmerren, por babai  thoshte se nuk ka shqiptar, që nuk e merr hakun. Atë që nuk e merr hakun, e largojnë nga fshati dhe nuk i flasin shqip, madje edhe kafenë ia japin me përbuzje, meqë konsiderojnë se nuk është i origjinës së tyre. Ndoshta nuk është kështu por kështu më thoshte babai im, ndjesë pastë.

Xhandarët e kishin arrestuar dhe e kishin dënuar me burg të rëndë. Më vonë në burgun e Nishit, një gardian serb, kishte bërë përpjekje ta dhunonte, dhe ajo e kishte mbytur me një copë hekuri. E kishin dënuar sërish dhe e kishin torturuar mizorisht. Gjyshi im, kishte qenë një kohë gardian, po në atë burg dhe ishte dashuruar me të. Gjyshja ka qenë shumë e bukur. Edhe kur u plak e bukur dukej. E ruaj foton në shtëpi, duket tamam si artiste. Më e bukur se Sofia Loren. Kishte tiparet e saj andaj m’u kujtua aktorja e Holivudit.

Gjyshi kishte pritur disa vite që ta merrte për grua, kur ajo ta kryente burgun, por meqë e kishin dënuar sërish dhe ia kishin shtuar represionin, ai kishte kurdisur ikjen. Të dy, kishin kaluar kufirin dhe për 10 vjet kishin jetuar në Hungari. Prej atje, Familje ime, gjatë Luftës së Dytë Botërore, aty diku kah vitit 1943, ishte kthyer në Horgosh, në pasurinë e  një hungarezi, tokën e të cilit e kishin blerë gjyshi.

– Në cilin vit ka vdekur gjyshja, e kisha pyetur, pasi rrëfimin e kisha dëgjuar me kujdes dhe më duhej se do ta zbërtheja lehtë personazhin e një kënge që ende këndohet në Kosovë dhe flitet  për motrën që ka marrë hakun e vëllezërve.

-Ka vdekur në vitin 1953, unë isha pesë vjeç. Më kujtohet fare mirë. Duhet të kishte pasur 53 apo 55 vjet, jo më shumë. Gjyshi jetoi edhe 10 vite të tjera, por nuk u martua më. Thonë se e kishte dashur shumë Zhanën e bukur, që ishte edhe një grua trime, por e  shumëvuajtur dhe me familje të shuar.

– Mbase të ka treguar babai diçka më shumë. A kishte mbajtur kontakte me familjen gjyshja jote, e kishte vizituar kush?

– Babai im ishte si të thuash një përzierje, shqiptar nga nëna serb nga babai, ndërsa për grua mori një hungareze, mamanë time. Edhe shkollimin e bëri në gjuhën magjare. Ai zakonisht fliste hungarisht, ndërsa me babanë e vet, me gjyshin e gjyshën time fliste serbisht.  Ai më thoshte se gjyshja, Zhana, nuk kishte lënë askënd pas. Prindërit i kishin vdekur dhe dy vëllezërit ia kishin vrarë. Askush, nuk u interesua për fatin e saj. Po të mos e kishte dashuruar gjyshi, dhe po të mos e kishte nxjerrë tinëz nga burgu, ajo do të kishte vdekur në burgun e Beogradit, ku e kishin dërguar për shërim.

Vetëm dy orë pas këtij rrëfimi, gardiani kishte hapur derën dhe i kishte thënë Joshkës të përgatitej se do të shkonte në shtëpi. Edhe pse ishte hutuar nga lajmi i gëzueshëm,  nuk kishte harruar të ma tregonte adresën, me kërkesë që  ta vizitoja kur të lirohesha nga burgu.  U ndamë, jo vetëm si shokë burgu që kanë bërë dy net  bashkë, por edhe  si dy njerëz që kishin zbuluar rastësisht se kishin lidhje gjaku, sado që Joshka ndihej por edhe ishte hungarez, edhe pse gjyshja kishte qenë shqiptare, gjyshi serb, ndërsa nëna hungareze.

….

Rrëfimi i Joshkës më kishte sjellë në mendje rrëfimin e këngës së Hasime Mirashit, por Joshka thoshte se gjyshja e tij quhej Zhana, – Zana Murati. Ishte i sigurt se babai i gjyshes kishte atë emër. Nuk iu kujtua fshati, por thoshte se ishte diku afër Maqedonisë, mbase afër Kumanovës. Se mos kishte pak motra shqiptare që kishin marrë hakun e vëllezërve. E tillë kishte qenë Hajrie Garria, personazhi i një kënge popullore, motra e cila kishte therë burrin, duke u hakmarrë për vëllezërit, që burri ia kishte prerë tradhtisht. Edhe Miro Terbaçi e një kënge popullore në Jug të Shqipërisë, kishte marrë hak për vëllezërit, kishte vrarë beun mu në mes të fshatit. E tillë kishte qenë edhe Hasime Mirashi. E tillë kishte qenë edhe Sanie Kaçkini, e cila disa vjet më parë, në një fshat të Drenicës kishte vrarë vrasësin e vëllait dhe babait të saj. Zana Murati, mbase ishte një rast krejtësisht tjetër, për të cilin nuk kisha dëgjuar, por rrëfimi më sillte ndërmend vargjet e këngës për Hasime Mirashin. Edhe ajo kishte marrë hak për vëllezërit dhe kishte vrarë një gardian në burg, për shkak se ai kishte bërë përpjekje ta dhunonte. Rrëfimi për Hasimen, mbaronte me vdekjen e saj në burgun e Nishit, sipas studiuesit,  Mark Krasniqi, i cili kishte hulumtuar dhe kishte botuar në tërësi biografinë e saj. Zana Murati 20 vitet e fundit të jetës i kishte kaluar në Hungari dhe në Vojvodinë. Kishte krijuar edhe famije, por kurrë nuk kishte kontaktuar me kushërinj apo të afërm të tjerë.

Zhana, apo Zana Murati nuk më shqitej nga mendja. Ishte apo nuk ishte Hasimja e këngës së trimërisë, këtë nuk e kisha zbërthyer me fakte e dokumente….

  1. Hyr, çka po pret!
  2. Eja vëlla, edhe këtu në burg jetojnë njerëzit.
  3. Ngrehu ta q. shenjtin!
  4. Eja!

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …