leoni

Pandeli Majko

Pandeli Majko: Deklaratat për “asgjësim” dhe “shfarosje” pavarësisht kontekstit tregojnë lodhjen politike të PD-së

Sot e folura zyrtare e Partisë Demokratike kapërceu çdo limit. Deklaratat për “asgjësim” dhe “shfarosje” pavarësisht kontekstit kanë shpjegim lodhjen politike të Partisë Demokratike. Ato po ngrenë shumë pikëpyetje për “terapinë” që buron nga ky lloj fjalori për stabilitetin e Shqipërisë. Opozita braktisi zgjedhjet elektorale të 18 qershorit e qartë në paqartësinë e vet. Duke ngritur mosbesimin ndaj kryeministrit në nivelin e refuzimit të sistemit politik, Partia Demokratike po e fut vendin në një periudhë eksperimentale në prag të dhunës.

 Lidershipi i PD-së shpejt do ta kuptojë se braktisja e zgjedhjeve është vendimi më i gabuar që mund të merrte një parti politike. Paaftësia është pak për ta shpjeguar strategjinë e qëndrimit të opozitës jashtë sistemit politik. Tashmë dhuna po trajtohet si e vetmja alternativë praktike për tu imponuar. Kjo është një “shkollë politike” e provuar në Shqipëri. Ajo do ta fusë vendin në një spirale krize të cilën drejtimi politik i PD-së po e kryen me vetëdije politike. Kjo vetëdije e cila barazon të ardhmen e vendit me fatet politike të individëve është gabim me pasoja të rënda. “Republika e Re” po ngre ndarje të cilat nxisin konfliktin dhe dhunën në një drejtim të panjohur për vendin.

Në këto zgjedhje ishte një rast i mirë i Partisë Demokratike që të ripërtërinte përfaqësimin e vet politik. Ky përfaqësim do të tentonte natyrshëm nga pasardhësit e shtresës së djathtë në vend. Kjo shtresë për shumë arsye në fillimet e viteve 1990 u përfaqësua dëshpërimisht pak. Vendet në Kuvendin e Shqipërisë në emër të së djathtës u “zunë” nga një përfaqësi politike e cila raportin me regjimin komunist e kishte të bazuar me “pakënaqësinë”. Është një dramë e të djathtës shqiptare që sërish pas 27 vitesh ajo lëshon vendet në Kuvendin e Shqipërisë për të “pakënaqurit” e së majtës… Në Republikën e kaosit që la dje komunizmi justifikimi ishte i arsyetuar. Me këndvështrimin e “Republikës e Re”, sot kjo që po ndodh është nivelin e një krimi të përsëritur karshi një shtrese që nuk meritonte këtë udhëkryq!

Ajo që pret Partinë Demokratike është e panjohur. Kjo situatë do ta shtyjë atë drejt dhunës dhe protagonistëve “të rinj” saj. Mungesa e skrupujve po bën që çmimi i të ardhmes së Shqipërisë të barazohet me dyshimet për votat që do të bliheshin në zgjedhjet e radhës. Pamundësia për të qenë bindës ndaj atyre që shesin votën e bën të vështirë shpjegimin për atë që po vjen më pas për të gjithë. Shitja e votës dhe shitja e interesave të Shqipërisë po barazohen me një naivitet semplist që ka shpjegim vetëm motive personale.

Partia Demokratike për të fituar të tepërtën rrezikoi të nevojshmen. Nisur nga ideja se përballë kanë njerëz të dobët harruan se pala përballë nuk kishte zgjidhje tjetër për të ofruar veç dorëzimit të pushtetit në tavolinë. Kjo strategji “nukleare” për ta çuar tensionimin në maksimum që dikush të tërhiqet nxori jashtë shinave sistemin politik të vendit. Një përqasje juridike e vonuar e cila përpiqet të shpjegojë se dita e zgjedhjeve ka “rënë” po çon drejt të panjohurës Partinë Demokratike. I vetmi realitet është ai i cili ka lënë “jetim” votuesit e së djathtës. Midis marrëveshjes pa nder dhe konfliktit të moralshëm Partia e Dhjetorit të 1990-ës humbi betejën për të cilën ishte krijuar nga studentët. Humbi betejën e votës. Ajo vendosi të mos jetë aty… për faj të saj!

Tani rruga e Partisë Demokratike kërkon ndriçim më shumë se shpjegim. Kjo e fundit nuk ekziston. Bllokimi i zgjedhjeve që vinë ndodh vetëm me dhunë. Dhuna dhe Republika e saj nuk është alternativë politike. Përpara se të ulërasim duhet të mendojmë si të shpëtojmë vendin! Dhuna nuk është as zgjedhje dhe as zgjidhje. Sigurisht!..

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …