Në praninë e shumë profesionistëve shëndetësorë dhe përfaqësuesve nga institucione vendore, me një debat me temën “Infermieria zëri që udhëheq – të drejtat e profesionistit shëndetësor, sfidat e avancimit në sistemin shëndetësor dhe në shoqëri”, nga Kolegji Heimerer u shënuar Dita Ndërkombëtare e Infermierisë. Pjesëmarrës në debat ishin institucionet relevante; Ministria e Shëndetësisë, Oda e Infermierëve, , OJQ-të, Komuna e Prishtinës, kryeinfermierë të tri niveleve shëndetësore publike dhe private në Kosovë si dhe mysafir dhe partnerë nga Gjermania.
Ndërsa panelistë në debat ishin; z.Sylejman Rexhepi, Dekan i Departamentit të Infermierisë dhe Mamisë në UP, znj.Fetije Huruglica, Shefe e Divizionit të Infermierisë në Ministrinë e Shëndësisë, z.Arben Vitia, Drejtor i DSHST në Prishtinë, znj.Lirije Beqiri, Koordinatore e Infermierëve, dhe z.Petrit Beqiri, Drejtor Ekzekutiv i Kolegjit Heimerer. Nën moderimin Prorektorit për Hulumtime dhe CIlësi në Kolegjin Heimerer, PhD.Fitim Uka, u bë edhe hapja e debatit, i cili theksoi se festa për Infermierët duhet të zgjasë me tepër sesa një ditë sepse Infermierët janë çdo ditë në shërbim të qytetarëve, andaj sot më shumë se çdo kush tjetër infermierët kanë arsye për të festuar. z.Petrit Beqiri, Drejtor Ekzekutiv i Kolegjit Heimerer falënderoi të gjithë për prezencën, duke ju uruar të gjithëve Ditën e Infermierisë. Njëherësh, me theks të veçantë i falënderoi gratë, sepse gratë janë ato që e karakterizojnë këtë profesion dhe i kanë dhënë shpirt këtij profesioni. Dhe janë ato të cilat e kanë ngritur në nivel shkencor Infermierinë dhe e kanë zhvilluar atë në këtë pikë ku gjendet ky profesion tani. Poashtu, i përmendi edhe gratë kosovare të cilat kanë dhënë shumë për profesionin e Infermierit dhe e uroj znj.Naime Brajshori, Zv.Drejtoreshë e Kolegjit për përfundimin e doktoratës në Infermieri, që njëherësh është edhe infermierja e parë në Evropën Juglindore me këtë gradë Akademike. Tutje, z.Beqiri theksoi se ajo çka e bënë hyjnore profesionin e Infermierit është roli i tyre i madh në shëndetin e qytetarëve. Poashtu, z. Beqiri theksoi se këtë vit Shoqata Ndërkombëtare e Infermerisë (ICN) ka ardh me një moto nga Mahatma Gandit “Bëhu ndryshimi që ke dëshirë ta shohësh në botë’ dhe ka vendosur temën e këtij viti “Infermieria – një zë që udhëheqë, në mënyrë që infermieri të ndikoj si në aspektin individual poashtu edhe në aspektin profesional në shoqëri për të arritur qëllime të qëndrueshme zhvillimore.
Përmes këtij dokumenti të ICN të cilin e ka përkthyer Kolegji Heimerer, tregon se si shoqëria të jetë më e mirë, që profesioni i infermierit të ketë meritën dhe vendin e merituar, të ketë pozitën që i takon në familjen e madhe të profesionistëve. Poashtu, ky dokument tregon se mundësitë e ndikimit të infermierit në shoqëri janë në aspektin shkencor, akademik dhe atë profesional. Njëherësh, z.Beqiri ndihet krenarë me iniciativat të cilat i marrin studentët e Kolegjit Heimerer, të cilat i kthejnë në ide dhe hulumtime shkencore, ku secila prej tyre ndikon në përmirësimin e shëndetit të pacientit.
Ai poashtu theksoi se 23 000 infermierë janë në Kosovë, të cilët ofrojnë shërbimin e tyre në shëndetësi kanë potencial dhe mundësi që të ndikojnë ne politikën aktual për të vendosur tema në agjendën politike dhe të bëjnë ndryshime.
Themelimi i Odës së Infermierëve është mjeti më i mirë i adresimit dhe organizimit të kërkesave dhe vendosjes së prioriteteve të shoqërisë dhe përmes punës së përbashkët mund të bëjmë ndryshime dhe të lëmë gjurmë.
Drejtori i Departamentit të Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, z.Arben Vitia, lavdëroi Infermierët për punën e tyre dhe theksoi se Infermierët janë ato që e bëjnë menaxhimin e institucioneve dhe janë kontakti i parë dhe reflektimi i institucionit tek pacienti. Z.Vitia i inkurajon infermierët që të jenë pjesë e politikbërjes, dhe në këtë formë të shtyjnë profesionin e tyre përpara.
Prof.Sylejman Rexhepi, Dekan i Infermierisë dhe Mamisë në Universitetin e Prishtinës, e përgëzoi Kolegjin Heimerer për aktivitetin e Ditës së Infermierisë dhe është i befasuar me kushtet dhe mundësitë që i ofron kolegji për studentët.
Prof.Rexhepi theksoi se është për tu vlerësuar se tani po ofrohet edukimi dhe diplomimi i Infermierëve në Kosovë. Janë bërë edhe zhvillime edhe ne aspektin akademik dhe të kuadrit profesional dhe kjo po ma mundëson që të jemi në nivel me institucionet simotra në botë dhe kjo po arrihet edhe falë bashkëpunimit me institucione kompetente siç është Kolegji Heimerer.
Znj.Fetije Huruglica nga Ministria e Shëndetësisë theksoi se kjo ditë e sotshme shënon edhe 16 vjetorin e shënimit të ditës së parë ndërkombëtare të Infermerisë në Kosovë, dhe nga ajo kohë filluan edhe hartimet e politikave për infermieri, dhe si rezultat sot festohet edhe 15 vjetori i themelimit te departamentit të Infermierisë në Universitetin e Prishtinës.
Znj.Huruglica theksoi se jemi duke punuar që të kemi ligjin e Infermierisë, ku përmes tij do të mbrohen edhe të drejtat e infermierëve.
Znj.Lirije Beqiri, përfaqësuese e Infermierëve, theksoi se sfidat profesionale të infermierëve është empatia dhe komunikimi. Mungesa e stafit të mjaftueshëm, mungesa e buxhetit dhe rritja e numrit të pacientëve, pagesat e ulëta, rritja e numrit të mjekëve por zvogëlimi i numrit të infermierëve po ndikon që roli i infermierit të nënvlerësohet dhe e gjithë barra të bie mbi ta.
Z.Arben Vitia, Drejtor i Drejtorisë Komunale të Shëndetësisë theksoi se sfidat më të mëdha janë problemet financiare dhe mungesa e udhëzimeve administrative të mirëfillta dhe adekuate në këtë fushë. Z.Vitia poashtu inkurajojë infermierët që të bëjnë presion që të dëgjohet fjala e tyre, dhe kështu të arrijnë qëllimet dhe të kenë pjesën meritore.
Kolegji Heimerer nderoi edhe 5 infermiere, të cilave ju ndau mirënjohje si shenjë respekti dhe falënderimi për kontributin e dhënë në avancimin e Infermierisë në Kosovë.
Në të njëjtën ditë nga ora 12:00-18:30 u organizua trajnim për 240 Infermierë me ekspertë të infermierisë nga Gjermania, z.Blerim Jakupi, Z.Petrit Beqiri dhe PhD Naime Brajshorin. Pjesëmarrësit pajisen me certifikata me 10 kredi dhe trajnimi është i akredituar nga Ministria e Shëndetësisë, Kosovë.
Ndërkaq, me datën 12 maj, do të shpërndahen urime nëpër institucionet shëndetësore në të gjithë Kosovën, me kampanjën e përcaktuar nga Këshilli Ndërkombëtar i Infermierëve (ICN),INFERMIERËT: ZËRI QË UDHËHEQ, Arritja e Qëllimeve të Qëndrueshme Zhvillimore.