Në 18-vjetorin e rënies së komandant, Qamil Hafiz Ilazit , “komandant “Bardhi”, sot në Kaçanik të vjetër te shkolla që mban emrin e Heroit u përkujtua jeta dhe vepra e tij dhe dëshmorëve: Selim Shehu Esat Axhmi, Burhan Zeneli, Sakip Mulaku, Rizvan Bela, Xhevahir Bela e Ejup Dushkaja, të rënë me 14 maj të vitit 1999. Në emër të këshillit organizativ arsimtari, Jeton Berisha tha se 18-vjetori i asaj dite të luftimeve të përgjakshme, ishte i rëndë për të gjithë. Me një fjalë rasti, bashkëluftëtari dhe kryesuesi i kuvendit komunal të Kaqanikut, Xhelal Gashi porositi të pranishmit që të mos harrohet jeta dhe vepra e Qamil Ilazit. Ka ardhur koha që të përkujtohen dëshmoret edhe me vepra drejt realizmit të qëllimeve të luftës së tyre. Veterani i UÇK-së, Naim Topolani, në mënyrë kronologjike foli për betejat ku kishte marrë pjesë komandant Bardhi me luftëtarët e tij trima deri në ditën e rënies. Me këtë rast deputeti i kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, veçoi se, jo rastësisht komandantet ranë në beteja, sepse parimet e luftës sonë ishin, që në vija të para të luftës të ishin komandantët dhe pak ushtri në botë bëjnë këtë. Ne përkujtojmë gjithmonë këta breza çlirimtarësh. Liria dhe pavarësia e këtij vendi është ardhur nga ta. Ideali i tyre duhet të jetë amanet për ne. Një falënderim për të pranishmit, në emër të familjes e tha Besnik Ilazi, djali komandant Bardhit. Në fund u dha një program kulturor artistik përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle.