RKL

RKL: Të gjithë ish-komandantët e luftës nuk kanë pasuri të deklaruar, sa ka deklaruar vetëm, Veton Surroi

Dhjetë më të pasurit e Kosovës kanë buxhet, që ia tejkalon buxhetit të vendit,  që mezi arrin në një miliardë e gjysmë euro, më pak se pasuria e një lojtari të futbollit,  jo aq të njohur të shteteve të vogla kapitaliste të botës. Gjysma e më tepër e këtij  buxheti ndahet për kategoritë  sociale, pensionistë,  kategori të luftës, si dhe për arsim shëndetësi, ministri, komuna etj. Në mediet e klaneve kapitaliste të Kosovës, si në Koha Ditore, Ekspres, Bota Sot, Zëri, Klan Kosova, shkruhet e flitet  për pasuritë  e supozuara të  Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt, Adem Grabovcit, Kadri Veselit, Azem Sylës, Xhavit Halitit, Fatmir Limajt, Dardan Molliqajt, dhe të tjerëve, të cilët, të gjithë tok, nuk e arrijnë as gjysmën e pasurisë së deklaruar të Veton Surroit, që del të jetë i fundit nga 11 më të mëdhenjtë e më të pasurit aktualë të Kosovës.

Shikuar nga këndi i barazisë sociale, me të cilën jemi edukuar e arsimuar, duke vërejtur kontradiktat shoqërore në zhvillim në botën e kapitalizmit të  xhunglës, nuk ka nevojë të jemi ekonomistë apo analistë të mirënjohur marksistë, për ta kuptuar se ky rend shoqëror nuk i referohet, as i shërben, qytetarit, skamnorit, klasës punëtore, fshatarësisë, por është një log i hapur, një arenë pa fund për të pasurit, për zhvatësit, shfrytëzuesit, manipuluesit, hajnat, trafikantët, banditët, vrastarët, ish dhe tani spiunët e të huajve, bashkëpunëtorët e djeshëm e të sotëm të Serbisë, tregtarët e djeshëm dhe të sotëm, që krejt pasurinë e kanë ngritur në tregti e allishverishe  me Serbinë, duke ruajtur kapitalin e kapitalistëve serbë në Kosovë dhe duke i shfrytëzuar pamëshirshëm pasuritë e vendit, të cilat do të duhej t’i   jepeshin  shtetit dhe  qytetarëve të vendit.

Ky regjim i egër kapitalist, po lulëzon për të mirën e klasës së re e të vjetër kapitaliste, për pasurimin e tyre, duke i shfrytëzuar deri në skaj resurset e përbashkëta të vendit, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë që ia afron rendi dhe kasta sunduese, duke adaptuar dhe duke e lakuar ligjin, në të gjitha rasat kur u nevojitet për të përfituar e për të zhvatur.

Ajo që shihet dhe trajtohet  si zhvillim i vendit në Kosovën e pas luftës, janë rrugët e asfaltuara  dhe blloqet e ndërtesave në çdo qytet. Ndërtime me leje e pa leje, asfalt, beton, armaturë, vetura, auto-sallone, grumbullime veturash kamionësh e autobusësh në qindra vende në Kosovë, mbeturina në të gjithë lumenjtë e përroskat, deponi mbetjesh, kaos në komunikacion, aksidente të përditshme, shitore, markete,  supermarkete, hotele të të gjitha kategorive, prostitucion legal e ilegal, trafiqe ndër më të pistat, zhvatje, vrasje me pagesë, mbytje në komunikacion, luftë për dominim, tregti të paligjshme, vërshim në tërë tregun e Kosovës i të gjitha mallrave që i prodhon Serbia, kryesisht të skaduara dhe tërë një babiloni shëmtirash morale me modë sa më lakuriqe, me reklamë, sa më shumë porno, sa më shumë dalldi, degjenerim, zvetënim…. Kjo është Kosova sot, Shqipëria sot, nuk është skepticizmi i sëmurë i askujt…

Në këtë Kosovë të kontradiktave të thella shoqërore,  10 apo 20 banda kapitalistësh, të lidhura me partitë dhe pushtetin, të lidhura me tregtinë e mallrave, tregtinë ushqimore, trafiqet  shfrytëzojnë pamëshirshëm tërë vendin, ndërsa shumica dërrmuese e popullatës ka të ardhurat mesatare të njëjta me shtetet më të varfra të Afrikës e të botës. 50 për qind e shqiptarëve të Kosovës jetojnë me dy euro në ditë. Nuk ka më klasë të mesme sociale, ka vetëm të varfër dhe shumë të pasur.

Dhjetë më të pasurit e Kosovës, pasuria e deklaruar e të cilëve tejkalon buxhetin e vendit janë ata që dirigjojnë ekonominë, politikën, kuadrot, tregtinë me Serbinë dhe vendet e tjera, por edhe politikën e jashtme. Kjo klasë e kapitalistëve tanë shfrytëzon të gjitha burimet dhe resurset e vendit  dhe merr fitime kolosale. 10 familjet e tyre kanë të ardhura sa një milionë e më shumë banorë  të Kosovës. Këto shifra flasin vetvetiu, por askujt nuk i bëjnë përshtypje, sepse këtë e lejon rendi kapitalist, sepse këtë e dirigjojnë ata që na kanë ndihmuar të çlirohemi dhe që iu kemi mbetur peng përjetë.  Ky është kapitalizmi, tash për tash ai i fazës fillestare, i xhunglës, i kaosit, i anarkisë. Ky është rendi dhe nuk ka kujt i mbetet hatri. Nëse dikush kërkon barazi sociale, ai etiketohet si marksist, anarkist, enverist, terrorist, xhihadist, taleban. Kjo është arma paranojave e sunduesve të sotëm për ta ruajtur rendin që e kanë krijura për vete dhe të cilin e ‘menxhojnë” si është më mirë, për veten e klanet e tyre.

Po prezantojmë në pasqyrë të 1o më të pasurve të Kosovës të botuar në Albeu com

 

Plot 40 milionë euro është pasuria e analistit kosovar, Veton Surroi, e shpërndarë në biznese, prona dhe shtëpi. Përkthyer në lekë del që Surroi të ketë mbi 5 miliardë lekë pasuri. Miliarderë duket se janë edhe politikanët e tjerë kosovarë. Deklarimi i pasurisë, i organizuar nga KQZ-ja dhe OSBE-ja nën presionin e UNMIK-ut, e ka detyruar atë, ashtu si dhe politikanët e tjerë kosovarë, të pohojë se është vërtet milioner. Tepër transparent, lideri i partisë së re kosovare “Ora” ka deklaruar se pasuria shumëmilionëshe i vjen nga kompania mediatike “Koha”, shtypshkronja, si dhe pronat e trashëguara e ato të blera në Prishtinë.  Viti 2004.

 

Nga 35 mijë biznese private aktive në Kosovë, dhjetë për qind e tyre vlerësohet të kenë pasuri prej disa milionave eurosh. Njerëzit më të pasur të këtij vendi, sipas biznesmenëve kosovarë, është shumë vështirë të identifikohen. Për ta më shumë flitet, se sa ka të dhëna konkrete. Vetë biznesmenët kanë folur për njëri-tjetrin, duke provuar në mënyrë të lirë të shpallin më të pasurin e Kosovës.

Dhe, ja tek vjen renditja…

 

Behxhet Pacolli – “Mabetex” (Mbi 400 milion euro)

Vëllezërit Devolli – “Devolli” (nuk dihet as mund të dihet shuma sepse ajo nuk deklarohet)

Ekrem Lluka – “Dukagjini”

Ramiz Kelmendi – “Elkos” (Rreth 100 milion euro)

Remzi Ejupi – “Eurokoha”

Vëllezërit Kuçi – “Benaf”

Hetem Ramadani – “Salbatring” (Rreth 90 milion euro)

Nebih Zariqi- “Standard”

Vëllezërit Besimi – “Getoari”

Ibrahim Bucaliu – “Hib Petrol”

Veton Surroi 40 milionë euro, pasuri e deklaruar në vitin 2004

( Albeu com. 10 milionerët e Kosovës)

 

II.

Asnjëri, prej më të pasurve të Kosovës nuk ka “prejardhje” nga UÇK-ja

Çuditërisht asnjëri prej këtyre 10 më të pasurve nuk ka prejardhje nga UÇK-ja, por pasurimi i  tyre nuk i pengon askujt, pavarësisht si është ngritur, në cilën kohë, nën ndihmën e kujt, para, gjatë dhe pas luftës.

Në mediet e klaneve kapitaliste të Kosovës, si në mediet: Koha Ditore, Ekspres, Bota Sot, Zëri, Klan Kosova shkruhet për pasuritë  e supozuara të  Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt, Adem Grabovcit, Kadri Veselit, Azem Sylës, Xhavit Halitit, Fatmir Limajt, Dardan Molliqajt, dhe të tjerëve, të cilët, të gjithë tok, nuk e arrijnë as gjysmën e pasurisë së deklaruar të Veton Surroit, që del të jetë i fundit nga 11 më të mëdhenjtë e më të pasurit aktualë të Kosovës.

Në mediet e tyre, për çdo ditë piketohen ish komandantët e luftës si profiterë, zhvatës, plaçkitës të pasurisë shoqërore, vrasës, kriminelë lufte, njëjtë e pak më zi se në mediet e Beogradit, në të njëjtat valë, si në kohën e pushtimit kur këta e kishin mirë e më mirë me çdo regjim,  si sot kur e kanë mirë e më mirë si me ata në Beograd ashtu edhe me ata në Bruksel.

Kapitalizmi i xhunglës në Kosovë ka fytyrën e vet të turpit kombëtar, sepse ka filluar të montohet  në kohën e robërisë, mbi kurriz të shqiptarëve liridashës, sepse është shumëfishuar në kohën e luftës në Kosovë, mbi gjakun e derdhur rrëke për liri, në kohën kur regjimi i Milosheviqit, vriste, pushkatonte, masakronte, dëbonte shqiptarë liridashës dhe pretendonte ta spastronte Kosovës nga të gjithë ata që nuk e pranonin regjimin e tij, por jo edhe ata  me të cilët e ndante fitimin. Njihen me emër e mbiemër ata të cilët përfituan sidomos gjatë luftës dhe  e qindfishuan pasurinë e tyre, qysh në vitet e para të pas luftës.

 

Kapitalizmi i xhunglës në Kosovë ka fytyrën e vet të turpit edhe sot, sepse vazhdon të zhvillohet hovshëm, tani  me një përzierje klasore, multietnike, politike, sepse zhvat djersën e shqiptarit deri dje të robëruar e të nëpërkëmbur, sepse zhvillohet mbi bazën e pabarazisë sociale, duke i përvetësuar, duke i shitur e duke i plaçkitur pasuritë e patundshme të Kosovës. Pagat më të larta në Kosovë i kanë drejtorët e Agjencisë së Privatizimit të pronave të Kosovës, pagë që arrin deri në 10.00o euro për një drejtor. Janë këta  të cilët ndajnë e përvetësojnë miliardat  nga  shitja e pronave  shoqërore. Këta,  së bashku me 10 apo  20 më të pasurit e Kosovës i kanë përvetësuar të gjitha pronat dhe pasuritë e vendit.

 

Kështu po funksionin, po zhvillohet e po përparon Shteti i Kosovës, shteti i 10 apo 20 kapitalistëve, të cilët kanë pasuri sa krejt qytetarët e vendit.  Ky shtet do ta ketë të ardhme të  sigurt, krejt derisa i bindemi dhe krejt derisa pranojmë të na qeverisën, të na plaçkitin e të na rrjepin.

Na thonë se ka ikur njëherë e përgjithmonë koha e revolucioneve dhe përmbysjeve të regjimeve shfrytëzuese, sepse kjo qenka logjikë komuniste dhe kurrë më nuk do të kthehet.

Komunistët tani janë konvertuar në kapitalistë të xhunglës dhe jo vetëm mohojnë përkatësinë e tyre të dikurshme klasore, por në deklaratat e tyre dalin të jenë shumë më antikomunistë,  sesa ata kishin qenë të etiketuar si ballistë apo nacionalistë.

Ja cila është pasuria e krerëve të Kosovës, e paraqitur herrë pas herë në medie nga Agjencioni kundër Korrupsionit  për vitin 2014, e cila tani është rritur e shumë fish

Behxhet Pacolli, Ramiz Kelmendi dhe Hashim Deshishku, kanë pasuri prej 400 milionë euro. Sipas formularëve të pasurisë së zyrtarëve publikë për vitin 2014, të publikuar nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit (AKK), lideri i Aleancës Kosovare e Re (AKR), Behgjet Pacolli, është politikani më i pasur kosovar.

Pasuria e tij e përgjithshme kap shumën prej 340 milionë euro. Krahasuar me vitin e kaluar, pasuria e Pacollit është shtuar për 35 milionë euro, pasi që në vitin 2013 ai kishte deklaruar pasuri të përgjithshme prej 305 milionë euro.

Në formularët e vitit 2014, Pacolli ka deklaruar aksione anonime jashtë Kosovës në vlerë prej 140 milionë euro, 80 milionë euro i ka vlerësuar aksionet e kompanisë së tij “Mabetex Holding”, 20 milionë euro aksionet në kompaninë e sigurimit “Siguria”, 42 milionë euro e ka vlerësuar hotelin “Iliria” (Swiss Diamond) në Prishtinë.

Ai ka deklaruar edhe 17.7 milionë euro shtëpi jashtë Kosovës, 7.3 milionë tokë jashtë vendit. Zëvendëskryeministri i parë në detyrë i Qeverisë ka deklaruar se posedon edhe aeroplan privat në vlerë prej 18 milionë euro, 7.5 milionë euro para të gatshme në banka komerciale. Pacolli po ashtu ka deklaruar edhe aksione në vlerë prej 3.6 milionë euro në hotelin “Grand” në Prishtinë, pavarësisht se Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) i ka tërhequr aksionet e këtij hoteli etj.

Për dallim nga lideri i AKR-së, të cilit i është shtuar pasuria për një vit, Kelmendi në vitin 2014 është varfëruar për rreth 15 milionë euro.

Vitin e kaluar ai kishte deklaruar pasuri prej 60 milionë euro, ndërsa këtë vit ka deklaruar 45.5 milionë euro.

Deputeti i LDK-së në legjislaturën e katërt, Hashim Deshishku, këtë vit ka deklaruar pasuri të përgjithshme prej më shumë se 14 milionë euro, apo 1.5 milionë euro më shumë se vitin e kaluar.

Deputeti i “Vetëvendosjes” në legjislaturën e katërt, Florin Krasniqi, ka deklaruar 6 milionë euro pasuri të përgjithshme, apo 1 milionë euro më shumë se vitin e kaluar. Ai ka deklaruar të hyra vjetore prej më shumë se 340 mijë euro.

Shaip Muja i PDK-së ka deklaruar pasuri të përgjithshme prej rreth 2.4 milionë euro. Muja për një vit e ka shtuar pasurinë për rreth 200 mijë euro.

Bashkëpartiaku i Mujës, Adem Grabovci, ka deklaruar pasuri të përgjithshme prej rreth 1.4 milionë euro. Edhe Grabovci, i njohur në aferën “Pronto” si shefi i shefave, është pasuruar për 100 mijë euro nga viti i kaluar, ndonëse e kishte dhjetëfishuar pasurinë në vitin 2012, krahasuar me një vit më parë.

Nënkryetari i Kuvendit në legjislaturën e fundit, Xhavit Haliti, ka deklaruar pasuri prej mbi 1.2 milionë euro, njësoj si në vitin e kaluar.

Haliti po ashtu ka deklaruar se ka 80 mijë euro depozita në bankat e Cyrihut, 60 mijë në Prishtinë, të deponuara. Ai të hyra vjetore ka 30 mijë euro.

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj, krahasuar me vitin e kaluar, është pasuruar me rreth 400 mijë euro. Në formularët e deklarimit në AKK, në vitin 2013 kishte deklaruar pasuri të përgjithshme prej 525 mijë euro, ndërsa këtë vit pasuria e tij arrin në 930 mijë euro.

Berat Buzhala i PDK-së ka deklaruar pasuri të përgjithshme rreth 1 milionë,  Buzhala ka të hyra vjetore ka 43 mijë euro  nga operatori IPKO.

Ardian Gjini i AAK-së ka deklaruar pasuri prej më shumë se 470 mijë euro, ndërsa të hyrat e tij vjetore kapin shumën prej 32 mijë euro.

Bekim Haxhiu, ka deklaruar pasuri prej 420 mijë euro.

Deputeti Bekim Haxhiu ka deklaruar të hyra vjetore rreth 21 mijë euro nga Kuvendi i Kosovës, pagë nga Universiteti i Prishtinës në vlerë prej 3 mijë euro, si dhe pensionin invalidor të UÇK-se, rreth 3 mijë euro.

Arsim Bajrami i PDK-së ka deklaruar 270 mijë euro patundshmëri. Profesori i cili ka deklaruar se ligjëron në disa kolegje private dhe në Universitetin e Prishtinës, ka deklaruar 12500 euro para të gatshme dhe shumë burime të të ardhurave. Bajrami i merr 20 mijë euro nga Kuvendi i Kosovës, 5000 euro si pagë sekondare nga Fakulteti Juridik, 15 mijë euro nga Kolegji “Fama” dhe 10800 euro honorarë nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, ndërsa bashkëshortja e tij merr 2000 euro nga Fakulteti i Edukimit.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka patundshmëri në vlerë prej 207 mijë euro, 14 mijë euro para të gatshme dhe vetura në vlerë prej 33 mijë euro.

Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Azem Syla, ka deklaruar  170 mijë euro patundshmëri dhe një veturë prej 30 mijë euro.

Lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, është politikani më i varfër. Ai s’ka shtëpi, pasi që më herët kishte deklaruar se e ka shitur, ndërsa ka deklaruar 19 mijë euro të ardhura vjetore. Të njëjtat shifra të pasurisë ai i ka deklaruar edhe në vitin 2013.

Hajredin Kuçi, ka pasuri të përgjithshme prej 290 mijë euro. Ai ka rreth 3000 euro të hyra mujore nga katër burime të ndryshme, plus paga e bashkëshortes nga buxheti i Kosovës.

Zëvendëskryeministri tjetër në detyrë, Bujar Bukoshi, ka deklaruar pasuri të përgjithshme prej 720 mijë euro. Bukoshi është politikani që e ka veturën më të “lodhtë”, të cilën e ka vlerësuar vetëm 500 euro.

Edita Tahiri ka deklaruar pasuri të përgjithshme prej 500 mijë euro, 16 mijë euro veturë dhe 5000 euro para të gatshme.

Ministri i Arsimit, Ramë Buja, ka deklaruar paluajtshmëri në vlerë prej 250 mijë euro. Ai ka deklaruar se përpos pagës mujore që e merr nga buxheti prej 1080 euro, në kolegjin privat “AAB Riinvest” merr pagë mujore prej 1200 euro, 640 euro merr pagë një fëmijë i tij në Qendrën e Automjeteve të Kosovës(QAK), e cila është pronë e vëllezërve Devolli, dhe 690 euro merr pagë bashkëshortja e tij në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ministri i Financave, Besim Beqaj, ka deklaruar pasuri të përgjithshme prej mbi 800 mijë euro dhe 26 mijë euro para të gatshme.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka deklaruar patundshmëri në vlerë prej 270 mijë euro, ndërsa ministri i Mjedisit, Dardan Gashi, ka deklaruar 1 milion euro patundshmëri dhe 25 mijë euro para të gatshme.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka deklaruar patundshmëri në vlerë prej 230 mijë euro dhe tri vetura, dy prej tyre “Range Rover”, në vlerë prej 90 mijë euro. Rexhepi i ka edhe 25 mijë euro para të gatshme.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka pasuri prej 350 mijë euro dhe 4500 euro para të gatshme.

Ministri, Bernard Nikaj, ka patundshmëri në vlerë prej 160 mijë euro dhe 35 mijë euro para të gatshme. Ministri në detyrë i Bujqësisë, Blerand Stavileci, ka 150 mijë euro patundshmëri, ndërsa pasuria e Memli Krasniqit është mbi 120 mijë euro.

Ministri në detyrë i Punës, Nenad Rashiq, ka patundshmëri në vlerë prej 1 milion euro dhe 25 mijë euro aksione të deklaruara. Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka deklaruar patundshmëri në vlerë prej 230 mijë euro dhe 11 mijë euro para të gatshme.

Ministrja Vlora Çitaku i ka deklaruar dy banesa në vlerë prej 140 mijë euro dhe 8800 euro para të gatshme.

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ka pasuri të përgjithshme prej rreth 550 mijë euro. Ai ende ka deklaruar se merr pagë vjetore prej 16 mijë euro nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), të cilin e ka udhëhequr deri para se të emërohet ministër. Po ashtu ka deklaruar se e merr pagën e ministrit prej 7200 euro dhe 2400 euro dividendë nga biznesi.

Pasuria e Hashim Thaçit Adem Grabovcit, Xhavit Halitit,  Fatmir Limajt,  Ardian Gjinit,  Bekim Haxhiut, Arsim Bajramit, Daut Haradinajt, Azem Sylës, Albin Kurtit, Fehmi Mujotës, Bajram Rexhepit, Agim Çekut e Jakup Krasniqit, e të gjithëve tok nuk arrin pasurinë që ka deklaruar profiteri mi i madh medial i Kosovës, Veton Surroi i cili ka deklaruar vetëm 40 milionë euro pasuri.

Përkundër këtyre e shumë fakteve të tjera relevante, publike, të njohura për opinionin, shkrimet e përditshme në klanet e pesë e më shumë  medieve të këtyre klaneve  përditë me propagandën e pandërprerë ditore në vazhdimësi kanë goditur pasurimin, sipas tyre të paligjshëm të komandantëve të luftës, duke anashkaluar faktet se si një biznismen i medieve, si puna e Veton Surroit ka dyfish më shumë pasuri  se të gjithë komandantët e luftës. Krahasime të tilla nuk gjen dot me mediet e profiterëve kapitalistë.  Zhurmërima mediale e ka bërë të veten.  Dikush e  han atë që i ofrohet  dhe nuk pyet se kush është ai që përhapë propagandë të tillë, edhe pse e di atë fjalën  e urtë të putanës që i kishte thënë shoqes së vetë, “ma mbaj djalin t i them sa nuk më ka thënë”.

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …