leoni

Përkujtohen dëshmorët dhe martirët e betejës së 25 majit në Kaçanik

Në 18 vjetorin e rënies, në fshatin Biçec me një manifestim përkujtimor janë përkujtuar dëshmorët: Shaqir Kuka, Sakip Hysa, Nazmi Osmani, Avdullah Baftiu, Kemal Kolshi, Sadik Guri dhe Qemal Guri, dhe martirët e luftës, të cilët ranë më 25 maj 1999. Në manifestimin përkujtimor, Biçeci i ka përkujtuar edhe tre dëshmorët e këtij fshati të cilët ranë më 9 Prill 1999: Fadil Bunjaku, Habit Dullovi dhe Fatmir Horuni. Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi tha se dëshmorët janë krenaria jonë kombëtare andaj sot përkulemi me respekt e krenari para tyre. Kryetari Ilazi tha se duke nderuar dëshmorët nderojmë vetveten, nderojmë atdheun dhe lartësojmë sakrificën e tyre. Fjalën e rastit e ka prezantuar Hajrush Kurtaj, ish zëvendëskomandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, i cili në fjalimin e tij elaboroi betejën e 25 majit të vitit 1999, ndërsa përmendi emrat e të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të rënë në këtë ditë. Evokim dhe disa momente të Ditës së Betejës së 25 Majit solli para të pranishmëve bashkëluftëtari Mendu Krasniqi, ndërsa në emër të familjeve të dëshmorëve të pranishmit i përshëndeti Malsore Horuni, vajza e dëshmorit Fatmir Horuni. Manifestimin e përshëndeti edhe Elmi Reqica deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës. Në fund të manifestimit është shfaqur edhe një program kulturo artistik, të cilin e madhështoi prania e artistëve Milaim Mezini, Shkurte Fejza si dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Emin Duraku” nga Shkupi. Para se të fillojë manifestimi qendror janë bërë homazhe dhe manifestime të vogla si dhe janë vendosur lule pranë pllakave përkujtimore të dëshmorëve.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi Komunal i Vitisë mbajti mbledhjen e 11-të të rregullt

Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Vitisë, e njëmbëdhjeta me radhë, janë shqyrtuar …