Në Komunën e Zveçanit të banuar me shumicë serbe, që ndodhet në pjesën veriore të Kosovës, bëjnë pjesë edhe tri fshatra shqiptare, Boletini, Kelmend dhe Zhazhë, me rreth 600 banorë. Banorët e këtyre fshatrave po përballen me kushte të rënda ekonomike dhe papunësi. Ata thonë se ka një infrastrukturë deri diku të kënaqshme, por mungon subvencionimi i sektorit të bujqësisë, prej të cilit jetojnë. Disa besojnë se pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit, gjërat mund të rregullohen. Këta banorë i bëjnë thirrje Qeverisë qendrore në Prishtinë, që t’i koordinojë projektet me Komunën e Zveçanit, në mënyrë që të sigurohet mbijetesa e tyre në viset ku aktuaklisht jetojnë. Shefi i Zyrës për Komunitete në këtë komunë Lulzim Peci, ka thënë për “Evropa e Lirë” se Qeveria e Kosovës duhet të përgatis një plan në mënyrë që t’u dilet në ndihmë “këtyre njerëzve të cilët po jetojnë në kushte mjaft të vështira”. Shumica e banorëve në këto tri fshatra, jetojnë nga ndihmat sociale që kap shumën prej 65, përkatësisht 70 eurosh. Në të kaluarën, këta banorë kryesisht punonin në kombinatin metalurgjik Trepça, por tani shumica kanë mbetur pa punë për shkak të kapaciteteve të ulëta me të cilat punohet viteve të fundit në këtë kombinat. “Që njerëzit të jetojnë, ata duhet të kenë një ndihmë nga qeveria. Sigurisht që qeveria dhe komuna duhet t’i subvecionojnë ata në punët e bujqësisë apo sektorë tjerë, prej nga do të siguronin mjetet për jetesë”, ka deklaruar ai.