Senatori amerikan, John McCain, tha se presidenti i Rusisë, Vlaidmir Putin, është kërcënim më i madh për sigurinë globale se sa grupi, Shteti Islamik (IS), dhe ka ftuar për zgjerim të sanksioneve kundër Moskës, për shkak të dyshimeve se ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara. “Mendoj se IS-i mund të bëjë gjëra të tmerrshme dhe jam i shqetësuar shumë për atë se çka po ndodh me religjionin mysliman”, i tha mbrëmë McCain Korporatës Transmetuese Australiane. Por, pastaj McCain është shprehur edhe për Putinin duke thënë se, “mendoj se ai është kërcënimi i parë dhe më i rëndësishëm, më tepër se ISIS-i”, duke e akuzuar presidentin Putin për “ndarje” të Ukrainës dhe “duke bërë presion në Baltik”.
John McCain është kryesues i Komitetit të shërbimeve të armatosuratë Senatit të Shteteve të Bashkuara dhe një zë udhëheqës për politikë të jashtme në Kongresin amerikan. Sipas tij, derisa nuk ka dëshmi se Rusia ka pasur sukses në ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve amerikane në vitin 2016, Kremlini ende po përpiqet të ndikoj në zgjedhje, përfshirë edhe votimet aktuale në Francë. “I shikoj rusët si sfidën më të madhe që ne e kemi”, tha MacCain dhe ka shtuar se “ne duhet t’i zgjerojmë sanksionet”.