leoni

Mëno Dedaj: Dështimi i misionit anglo-amerikan në Shqipëri nuk ishte vepër e Kim Filbit

Mëno Dedaj: Dështimi i misionit anglo-amerikan në Shqipëri nuk ishte vepër e Kim Filbit

Në periudhën, tetor 1949-vjeshtë 1950, janë futur në Shqipëri më shumë se 50 grupe terroriste dhe u kapën e u asgjësuan pothuajse të gjithë. Dhe është naivitet që të besohet se ato u zbuluan nga një letër e dërguar, qoftë edhe sikur në të të përshkruhej gjithë plani i zbarkimeve…. Kontributi i Filbit, sigurisht që ka vlerën e vet në planin e përgjithshëm të marrëdhënieve dhe veprimtarisë zbuluese midis dy kampeve. Në këtë kontekst ai duhet të ketë informuar në vija të përgjithshme edhe për planin e përmbysës së qeverisë në Shqipëri.

Për kundër sukseseve të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, për t’i zbehur ato, për t’i minimizuar qëllimisht, sepse kështu ruhej prestigji i zbulimit anglo-amerikan, u organizua një kor i gjithanshëm mediatik. Duke u përpjekur të shpjegojnë në mënyrë “profesionale”, gjoja i ngritur mbi informacione të pakundërshtueshme, duke pasur në thelb të të gjithë këtij dizinformacioni veprimtarinë në shërbim të rusëve të Kim Filbit, shtetet perëndimore inskenuan një fushatë propagandistike. Propaganda në kor e një numri të madh qarqesh gazetareske e i qeverive anglo-amerikane, ashtu si gjithë propaganda e organizatave politike në radhët e emigracionit politik shqiptar, që përpiqen ta paraqesin si vepër të Kim Filbit dështimin e grupeve terroriste që ata dërguan në Shqipëri, nuk ka asnjë bazë, asgjë të vërtetë bindëse. Është një fantazi e përpunuar me qëllim për t’u ngushëlluar për dështimin që nuk bazohet në asnjë argument të dokumentuar. Ajo është vetëm një përpjekje për të justifikuar disfatën.

Dokumente të shumta dhe dëshmitarë që kanë jetuar e punuara, tregojnë si në dritën e diellit, se gjithçka në atë lojë të madhe ishte vepër e vetë shqiptarëve; ishte vepër e punës tërë përkushtim e punonjësve të Sigurimit të Shtetit Shqiptar dhe e forcës së tij zbuluese; fitore e inteligjencës dhe profesionalizmit të tyre; fitore e patriotizmit, vendosmërisë dhe përgjegjshmërisë së tyre para kombit.

Kim Filbi, edhe sikur të zotëronte të gjithë informacionin e nevojshëm, nuk do të qe kurrë në gjendje ta transmetonte atë deri te njësitë e forcave shqiptare të ndjekjes në terren, në brigjet e ashpra të bregdetit shqiptar dhe në malet e larta të mbuluar me borë, ku edhe vetë oficerët e sigurimit dhe forcat tona të ndjekjes e kishin shumë të vështirë të ndërlidheshin me Tiranën e jo më me Uashingtonin. Procedurat e njohura të veprimtarisë së zbuluesve në ato vite, të bëjnë të mendosh se do të duheshin muaj të tërë për të transmetuar informacionet.

Veç kësaj, që nga fundi i vitit 1951, kur u zhvillua dhe faza më aktive e kësaj loje, Kim Filbi nuk kishte asnjë mundësi të drejtpërdrejtë të siguronte informacione mbi dërgimin e grupeve diversive në Shqipëri, pasi ai u largua për dyshime si agjent i rusëve.

Po për Hamit Matjanin e Zenel Shehun, tek të cilët amerikanët kishin shpresat më të mëdha, mos duhet pranuar që na informoi Kim Filbi, kur ai kishte dy vjet që ishte larguar nga ajo detyrë dhe mbahej në vëzhgim?!

Është e pamohueshme se këshillat e specialistëve rusë kanë qenë të dobishme dhe mjaft të nevojshme nga pikëpamja profesionale, por ata nuk mund të merren si faktor determinues. Edhe po t’i marrim të gjitha të mirëqena, lind edhe një problem tjetër: në të njëjtën periudhë, kur Filbi ka vepruar në SHBA, janë kapur edhe një numër i konsiderueshëm grupesh e agjentësh të dërguar direkt nga zbulimi grek, Italian e sidomos nga UDB-ja Jugosllave, a duhet pranuar se edhe këto grupe i ka dekonspiruar Kim Filbi, për të cilët ai nuk kishte asnjë dijeni?! Pretendime fare qartë, që duket se janë thjesht ngushëllime….

Po një mori personash që janë dërguar me detyra nga Sigurimi Shqiptar, që të futeshin në këto kampe ku përgatiteshin grupe terroriste nga anglo-ameikanët dhe që vinin në Shqipëri me “detyra” dhe që ja dual në mënyrë të admirueshme, e që më vonë kanë qenë njerëz të nderuar dhe kanë punuar në vende shumë delikate e sekrete të Sigurimit Shqiptar, nuk mund të merren në konsideratë?….

Dihet botërisht se paralel me grupet e bandat terroriste të dërguara nga jashtë, Sigurimi Shqiptar krijoi edhe “grupet” apo “bandat” e tij, ku disa prej tyre arritën të viheshin në krye të gjithë të asaj veprimtarie që drejtohej nga anglo-amerikanët. Ishin pikërisht këto “grupe” apo “banda” të sigurimit tone, që merreshin me pritjen e kapjen e bandave terroriste që dërgoheshin në Shqipëri nga Perëndimi.

Edhe zbuluesi rus, zotëria Juri I. Modin, që mbante në lidhje Filbin, nuk kishte asnjë dijeni për këtë veprimtari të Sigurimit Shqiptar. Ai nuk është i sinqertë në kujtimet e tij. Ai e mbështet propagandën perëndimore pa asnjë argument bindës, madje është vetë ai që i hedh poshtë argumentet e tij. Le të citojmë edhe disa pasazhe të kujtimeve të këtij zbuluesi sovjetik, që për periudhën në fjalë ka mbajtur në lidhje Filbin, ose më saktë dosjen e tij. Ja ç’thotë ai në kujtimet e veta:

“…Filbi u bë pjesë në realizimin e infomacioneve kundër Shqipërisë…. Në fakt, në dhjetor 1949, SIS-i dhe CIA organizuan zbarkimi e parë të forcave special që kishin për mision kryerjen e veprimeve subversive kundër Shqipërisë. Kështu u përgatit grupi i parë i komandove të armatosura, të stërvitura për të zbarkuar e për t’i bërë thirrje popullit që të ngrihej kundër qeverisë së Hoxhës. Filbi, nga pika vëzhguese në Uashington, mori pjesë për vënien në jetë të operacionit dhe ne na informonte detaje… Këtë e bëri përmes dërgimit të një letre mikut të tij Bërges. Me një frazeologji të kamufluar na jepte të dhëna shumë të çmuara, si nr. e njerëzve, vendet e pikat e zbarkimit, ditët, orët, armatimin dhe planet që kishin.” (Juri I.Modin “Shokët e mi të Kembixhit”,f.203-205)

Në vijim, ku z.J.I.Modin kundërshton vetveten, e ku del shumë e qartë pavlefshmëria e propagandës perëndimore për “informacionet” e Filbit, ai shprehet:

“ Duhet theksuar se gjatë një viti e gjysmë që Filbi qëndroi në Uashington, ai nuk mori asnjë kontakt me zbuluesit e KGB. Qendra këtë e shikonte si shumë të rrezikshme. Ajo përpiqej që Filbi të ekspozohej sa më pak të ishte e mundur, pasi ajo vazhdonte të shpresonte, me gjithë rrezikun që paraqiste deshifrimi i telegrameve nga amerikanët, (është koha kur amerikanët e kishin ngushtuar në tre veta numrin e personave që i dyshonin si agjentë të rusëve). Edhe komunikimi i Filbit me Bërgesin nuk ishte i shpeshtë, pasi dërgimi i një letre apo telegrami mbante rreziqe të mëdha…. Operacioni i parë për në Shqipëri u pasua nga një tjetër, në pranverën e vitit 1950. Kësaj radhe bëhet fjalë për njerëz të hedhur me parashutë… Në vjeshtën e vitit 1950 u dërgua një grup i tretë në Shqipëri, por kësaj radhe nga kufiri tokësor. Agjentët anglo-amerikanë u nisën nga Italia, kaluan në Jugosllavi dhe penetruan në Shqipëri përmes maleve. Edhe këtë herë shqiptarët ishin në dijeni të plotë dhe kuptohet katastrofa që pësuan mësymësit.”(J.I.Modin, po aty).

Është më se e kuptueshme që ky zbulues sovjetik i hedh poshtë pa dashje thëniet e tij për kontributin e Filbit. As futja e grupit të parë nuk është e saktë, sepse grupi i parë i nisur nga Malta u fut në Shqipëri që më 3 tetor 1949 dhe jo në dhjetor, sikundër shkruan rusi, ndërsa grupi in dytë u fut një javë më pas, më 10 tetor 1949, (dhe jo në pranverën e vitit 1950). Mirëpo, Filbi dihet që mbërriti në Nju Jork më 8 Tetor 1949 dhe fillo punë në 10 Tetor, atë ditë që u fut grupi i dytë në Shqipëri. Është më se e kuptueshëm se Filbi nuk kishte mundësi se si ta dinte futjen e grupeve, derisa nuk kishte shkuar ende në Njujork.

Po të kemi parasysh këtu edhe konditat e ndërlidhjes (komunikimin elektronik) në atë kohë për të cilën bëhet fjalë, ishte krejtësisht e pamundur që Filbi të njoftonte edhe sikur ta kishte ditur futjen e grupeve. Po të shtojmë edhe odisenë e anijes që i solli grupet nga Malta në bregdetin shqiptar, është më se e kuptueshme se e gjitha kjo “e vërtetë” për ndihmesën e Filbit, është thjeshtë një hamendje e përshtatur mbi bazën e shkrimeve të mëvonshme.

Në këtë periudhë, tetor 1949-vjeshtë 1950), janë futur në Shqipëri më shumë se 50 grupe terroriste dhe u kapën e u asgjësuan pothuajse të gjithë. Dhe është naivitet që të besohet se ato u zbuluan nga një letër e dërguar, qoftë edhe sikur në të të përshkruhej gjithë plani i zbarkimeve.

Pasandaj, këto 50 grupe ishin operacione që u kryen tërësisht nga anglezët, pa pjesëmarrjen e amerikanëve, ndërkohë që Filbi ndodhej në Amerikë. Amerikanët u futën tërësisht në lojë nga fundi i viti 1951. Bile grupet kryesore, si ai i Zenel Shehut dhe ai i Hamit Matjanit, tek të cilët amerikanët kishin shumë shpresë, u dërguan gjatë periudhës 1952-1953, kohë që Filbi kishte një vit që ishte larguar nga detyra që kishte në Uashington. Madje është vetë J.I.Modin që e thekson se kjo periudhë ishte koha kur Filbi dyshohej dhe po vetë pohon se amerikanët e kishin akuzuar haptas si agjent rus. Kush mund të besojë se një anglez, që nuk kishte asnjë lloj njohurie për territorin shqiptar, të jepte me hollësi nga Amerika të dhëna të sakta për ditët, orët dhe numrin e terroristëve, kur ata dihet botërisht se niseshin nga Malta, Korinthi dhe pikat përreth kufirit shqiptar, dhe nuk u hodhën veç dy, por dhjetëra grupe! A mund të zbuloheshin ato nëpërmjet një letre me disa fraza? Po Filbi vetë pse nuk ka folur as edhe një herë për operacionet ndaj Shqipërisë? Unë e kuptoj, se Filbi e kuptonte që kontributi i tij ishte i përgjithshëm dhe pa ndonjë vlerë esenciale, prandaj e ka llogaritur si të papërfillshme ta cekte në kujtimet e veta.

Kontributi i Filbit, sigurisht që ka vlerën e vet në planin e përgjithshëm të marrëdhënieve dhe veprimtarisë zbuluese midis dy kampeve. Në këtë kontekst ai duhet të ketë informuar në vija të përgjithshme edhe për planin e përmbyses së qeverisë në Shqipëri.

Me një fjalë, ky zbuluesi rus bëhet zëdhënës i propagandës perëndimore, duke na dhënë asnjë argument bindës, por që indirekt mundohet t’i atribojë vetes merita që nuk i takojnë.

Në kundërshtim me zbuluesin rus, janë vetë anglezët dhe amerikanët që pohojnë në mënyrë bindëse disfatën e tyre me Shqipërinë. Zbuluesi dhe diplomati i rangut të lartë anglez, Hibert, që kishte qenë në Shqipëri gjatë L.II.B, do të shkruante: “Operacionet ndaj Shqipërisë mund të parashikoheshin se do të dështonin edhe sikur Filbi të mos kishte tradhtuar.” ”.(S.Dorril “CIA,SIS dhe Sigurimi”,f.117-118)

Është edhe një prej drejtuesve kryesorë të këtyre operacioneve, Kristofer Endrju, i cili zëvendësoi Xhuljan Emerin dhe drejtoi vetë këto operacione, vite më vonë do të shprehej: “Edhe pa ndihmën e Filbit aksioni i fshehtë kundër Shqipërisë ishte i destinuar të dështonte. Shqipëria me kohë kishte ndërtuar sistemin e saj të dizinformacionit që ne me dhimbje do ta mësonim shumë vonë”.(S.Dorril “CIA,SIS dhe Sigurimi”,f.120-122).

Ndërsa oficeri i CIA-s në Romë, që drejtonte në ato vite këto operacione kundër Shqipërisë, Majk Bërn, shkruan në kujtimet e tij: “Kjo punë do të dështonte sido që të ishte… Filbi nuk kishte të bënte me të” (S.Dorril “CIA,SIS dhe Sigurimi”,f. 125-128)

Shënim: Shkrimi është shkëputur  prej librit: Mëno Dedaj “Zbulimet e huaja dhe emigracioni”, Tiranë,2

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …