Skënder S. Kapiti

Skënder S. Kapiti Me 11 dhe 25 Qershor 2017 në Kosovë dhe Shqipëri fiton përsëri politika, dhe jo demokracia

Politika shqiptare nuk është as nacionaliste dhe as sociale,  pra nuk është as patriotike dhe as popullore, dhe të tillë e ka bërë dhe e ka ndertuar  politika edhe demokracinë.

Kur demokracia unifikohet me politiken e tillë atëhere demokracia ka humbur dhe nuk gjendet në popull, por sillet si thashethemnajë mashtruese.

Por nuk e di se si është e mundur që populli dhe demokracia ta mbajë e ta zgjedhë këtë politikë, apo demokracia ka deshtuar pasi nuk mund të zgjedhë më të mirën dhe as më të mirët?

Edhe kjo mund te jetë e mundur si pamundësia më e madhe e saj.

 

Kjo ka ndodhur këto 25 vite me politikën dhe me demokracinë në Shqipëri, të dominuar nga  Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, ku fitimtarë dhe perfitues kanë dalë vetëm politika dhe politikanët e tyre; triumfator ka dalë korrupsioni dhe tradhetia publike dhe kombetare e politikes; ashtu sikurse edhe me vetërënien e komunizmit në vitin 1991 fitimtarë dolën po komunistët të cilët u konvertuan në demokratë.

Politika në Shqipëri dhe Kosovë është biznesi dominues  jo vetëm politik por edhe ekonomik parazitar që të bën të pushtetshëm, të pasur, të privilegjuar dhe të pushtetshëm deri aty sa edhe të bën të pasfidueshëm nga ligji dhe drejtësia. Politika shqiptare ka rrëmbyer edhe të gjitha prerogativat e tjera morale e patriotike.

Ajo, pra politika, kërcënon dhe po punon gjithnjë pandershmërisht kundër demokracisë, kundër interesit publik dhe atij kombëtar. Demokracia shqiptare vetëm sa po mashtron popullin, ajo është marrë peng dhe është privatizuar nga politika dhe politikanët. Politika shqiptare është betejë vetëm për pushtet, për ta rrëmbyer atë, apo për të rrëmbyer pjesë të pushtetit legjislativ, ekzekutiv, gjyqësorin, ekonominë, korrupsionin, mediat etj. Këtë e bën pushteti në bashkëpunim tinëzar dhe mashtrues, pozitë-opozitë.

Këtë a nuk e verteton realiteti si në Shqipëri dhe ai në Kosovë; a nuk e vertetojnë marreveshjet dhe kualicionet e pandershme dhe korruptive të partive, të kryetarëve të tyre dhe të politikanëve në tërësi. Cili politikan, shtetar apo ministër e drejtor është ndëshkuar në këto vite tranzicion për rekordet e tij kriminale për korrupsion dhe për trafik droge apo kontrabandë, për vjedhje nëpër tendera, në investinet infrastrukturore, për përvetësim pronash e pasurish etj.?

 

Sa herë që ndërrohen pushtetet, pushteti i ri, qoftë me emërtim mashtrues si “Fillim i Ri”, “Rilindje socialiste” apo tani si “Republike e Re”etj. etj, asgjë  dhe  asnjë përmirësim por vetëm përkeqësim të të këqijave ato kanë sjellë si të re apo si risi; ato kanë sjellë dhe rritur krimin, hajdutërinë, korrupsionin, varfërinë, papunësinë si dhe kanë përfeksionuar matrapazllëqet , mashtrimet dhe manipulimet me demokracinë dhe me opinionin. Nuk bëhet as “Fillimi i Ri”, as “Ndryshimi”, as “Rilindja ” dhe as “Republika e Re”me individët e konsumuar, të korruptuar, të papërgjegjshëm dhe me shkaktarët dhe autorët kryesorë të dështimeve më të mëdha.

 

Prej tyre nuk mund të pritet as ndryshimi dhe as përmirësimi, por vetëm vazhdimësia e pushtetit dhe e politikës së njëjtë.

 

Pra, edhe pas 11 Qershorit në Kosovë si dhe pas 25 Qershorit 2017 në Shqipëri , prej politikës që do vijë në pushtet, të cilët, janë po këta që edhe ishin më parë  si dhe besnikët dhe të afërmit e tyre, prej atyre që do zgjidhen e që do të kalojnë në pozitë dhe në opozitë, një gjë është e sigurtë: se vetëm të “zgjedhurit” do të fitojnë dhe jo votuesi dhe populli që i voton ata të cilët realisht i ka zgjedhur politika, partia apo më sakt ata të cilët janë zgjedhur nga kryetarët e partive, nga këta të “përzgjedhurit” si më të paduhurit dhe më të pamerituarit si kryetar partish.

 

Pra, do të fitojë vetëm politika e cila do të zgjidhë hallet dhe synimet e veta: pushtetin, përfitimet, privilegjet, pasurimin si dhe mbrojtjen e vet. Pas zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë dhe pas zgjedhjeve në Shqipëri do të riciklohet po ajo kastë politike dhe po ajo kulturë qeverisjeje si e shkuara që e ka kapur edhe te tashmen, e cila ndoshta do të prodhojë një krizë edhe më të rëndë.

 

Kjo kastë politike që po riciklohet përsëri edhe tani në vitin 2017 do të pëpiqet që ta mbrojë veten nga ndëshkimi, nga VETING-u dhe do të bëjë ç’është e mundur për t’u zhagitur në pushtet dhe në politikë , pasi kjo kastë: pushtetin dhe politikën i shikon si avokatinë apo si armën kryesore për ta mbrojtur veten, për të mbrojtur korrupsionin, krimin, zullumet, hajdutërinë, vjedhjet dhe grabitjet që këta politikanë i kanë bërë shtetit dhe shoqërisë shqiptare.

 

Pra me këto zgjedhje nuk do kryhen as reformat, as ndërtimi i shtetit ligjor dhe as integrimi, pra do të kemi zgjedhje që nuk do të bëjnë zgjidhje.

Me keto zgjedhje, më e mira qe votuesi do të duhej të bëjë, do ishte ndëshkimi i dy partive më të mëdha , të PS dhe të PD në Shqipëri dhe të LDK e të PDK në Kosovë, si elita apo si kasta te vjeteruara, te konsumuara  dhe të dështuara politike.

Dhe si të tilla, këto do të jenë zgjedhjet e fundit, dhe pas tyre realiteti dhe ndërkombëtarët do të imponojnë  ndoshta edhe me zgjedhje të përshpejtuara dhe të parakohshme të cilat do ta bëjnë zgjidhjen: ndarjen me politikën e kriminalizuar, zbatimin e Reformës në Drejtësi, VETING-un, konsolidimin e shtetit modern e demokratik dhe integrimin.

 

Skënder S. Kapiti: Të këqijat më të mëdha Shqipërisë dhe Kosovës po u vijnë nga politikanët I

Politika në Shqipëri, ky profesion parazitar; politika, kjo pronë dhe ky “profesion” i atyre politikanëve shqiptarë që nuk kanë skrupuj; profesion i politikanëve të tradhëtive dhe të cilët nuk kanë as disiplinë, as pjekuri dhe as edukatë fetare, morale e patriotike si dhe as ndjesi shpirtërore.

Partitë politike, kjo shkollë  e rekrutimit  ku kultivohet e vegjeton ky profesion.

Marifetet e këtij profesioni janë: mashtrimi, gënjeshtra, hipokrizia, matrapazllëku, hajnija, pabesia e “miqësirave” të pandershme dhe patriotizmi i rrejshëm.

“Profesioni” i kësaj politike është realizimi i qëllimit të vetëm të saj, i cili është: pushteti, pasurimi, përfitimi dhe punësimi “publik”, por “punësim”  kryesisht i motivuar dhe i paracaktuar politikisht dhe i “kushtëzuar” nga korrupsioni e ryshfeti, klientelizmi dhe nepotizmi.

Dhe prandaj e kanë shumë të vështirë “elita” politike dhe politikanët  shqiptarë që të largohen nga politika, madje, për politikën ata janë të gatshëm ta shesin edhe mandatin, edhe partinë, edhe elektoratin, edhe qeverinë, si edhe t’i tradhëtojnë interesat publike dhe ato kombëtare.

Kjo është politika njëqind vjeçare e politikanëve në Shqipëri, të cilën e modeluan  fatkeqësisht edhe politikanët e Kosovës, në Shtetin e Ri shqiptar.

Dhe është aktuale edhe thënia e intelektualit të madh shqiptar, Faik Konica për Shqipërinë se:“ U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, dhe u vra nga politikanët”.

Politika presupozon dhe merr përsipër që ajo të zgjidhë probleme dhe problematika, por politika në Shqipëri dhe në Kosovë është vetë kryeproblemi që shkakton probleme, kriza dhe që kërcënon shoqërinë dhe sovranitetin.

Kjo vjen prej partive politike të cilat duhet të jenë parimi kryesor i politikës moderne por që  ato në fakt nuk artikulojnë as aspirata dhe nuk realizojnë atë se çfarë premtojnë, pasi “elita” politike e partive  politike mashtron, gënjen, korrupton, spekullon dhe interesohet së pari dhe kryesisht për interesa të ngushta personale pushteti dhe pasurimi.

Politika dhe partitë  politike duke u bërë bashkë si ideologji dhe si organizim keqfunksional dhe korruptiv ato janë bërë vetë problemi më i madh që kërcënojnë shoqërinë shqiptare; në vënd që ato t’u shërbejnë interesave dhe marrëdhënieve jetike shtet-shoqëri  ato shfrytëzojnë dhe keqpërdorin shoqërinë, shtetin dhe demokracinë.

Partitë politike janë ambienti ku interesat politike  dhe ato materialiste korruptojnë, manipulojnë  dhe spekulojnë edhe me moralin, edhe me patriotizmin, edhe me demokracinë.

 Politikanët apo  më sakt “elitarët” politikanë janë individë parazitarë të cilët kanë kohë të ngejshme që të merren me hipokrizira, me mashtrime, me gënjeshtra, me intriga dhe me lloj-lloj matrapazllëqesh e përfitimesh amorale korrupsioni, vjedhjeje, ryshfetesh e deri me shpifje e sharje të pacipa pasi ata me profesionin parazitar të “politikës”  i kanë zgjidhur të gjitha problemet dhe hallet ekonomike  të një jete pa telashe dhe superlluksoze të tyre, të fëmijve dhe të trashëgimtarëve dhe pse jo edhe të farefisit të tyre.

Këtë profesion “të artë” të parazitizmit politik që u siguron atyre pasuri, privilegje dhe para e poste të larta politike, shtetërore dhe administrative po ua lënë si trashëgimi grave, fëmijëve, nipave dhe mbesave, farefisit, krushqive dhe dhëndurrve të tyre matrapazët e politikës të cilët e dominojnë politikën shqiptare aktuale sikur të ishim në kohët paramoderne të feudalizmit europian, bizantin dhe të bejlerbejve lindorë.

Partitë kryesore politike shqiptare, elita e tyre, janë hijena grabitqare të pamëshirshme ndërsa partitë e vogla numri i të cilave është mbi 100 , kryetarët e tyre, janë rriqna që edhe ata pijnë gjakun e trupës publike të shoqërisë shqiptare;  parazitizma politike këto të cilat prej 25 vitesh vetëm sa zhvasin paranë publike dhe grabisin pasuri e mashtrojnë qytetarët; parazitizma politike të cilat  përhapin panik e pasiguri dhe që e mbajnë shoqërinë gjithnjë të aktivizuar me ankthin e pasigurisë së asaj se çfarë mund të ndodhë kohë pas kohe.

Përvoja në Shqipëri por edhe në Kosovë po tregojnë se kur pushtetin e kishte një parti politike ai pushtet degradoi në Diktaturë ose si një regjim politik një partik, Diktatura komuniste e E.Hoxhës e viteve 1945-1990, ashtu si edhe regjimi politik partiak i Sali Berishës në vitet 1992-1997.

Po kështu kanë dështuar edhe të gjitha qeverisjet teknike si dhe kualicionet qeverisësë të cilat montuan sistemin  e korrupsionit, të politikës së kriminalizuar dhe të sistemit të padrejtësisë  si në qeverisjen me kualicion të PS-së në vitet 1997-2005; pastaj  qeverisjet e kualicioneve të drejtuara nga PD “Shqipëria po ndryshon” në vitet 2005-2013; si dhe tani 2013-2017  me qeverisjen e “Rilindjes” së E. Ramës.

Këto dështime të politikës vertetohen prej fakteve se Shqipëria prej 25 vitesh akoma nuk ka ndërtuar një shtet ligjor me vlera dhe me standarte moderne shtetformuese, Shqipëria gërryhet nga korrupsioni, droga dhe trafikimi i qënieve njerëzore; shqiptarët e kanë humbur shpresën dhe largohen nga atdheu prej varfërisëm, papunësisë, pasigurisë dhe prej jolumturisë që ka në Shqipëri etj.

Dhe prandaj edhe realiteti i sotëm jo vetëm në Shqipëri, por edhe ai i politikës dështake në Kosovë  tregon se shqiptarëve të këqijat më të mëdha po u vijnë nga politikanët e tyre, pasi ata edhe ndjehen të kërcënuar e të tradhëtuar nga papërgjegjshmëria, nga matrapazllëku i fëlliqur, nga krimi, korrupsioni dhe tradhëtia që atyre u vijnë nga elita politike e partive politike.

A nuk po ndodhin  gjithnjë çudira me politikanët shqiptarë të cilët për interes të ulët, për pushtet, për para dhe për pasuri  menjëherë dhe papritmas tradhëtojnë, shpërfytyrohen, degradojnë, çburrërohen, çfisnikërohen dhe amoralizohen deri në degradim të dinjitetit dhe të virtytit njerëzor dhe në  depersonalizim të shumëfishtë.

Sundimi i shoqërisë nga individë të tillë nuk është edhe rastësi, pasi kjo i ndodh jo vetëm politikës por edhe një shoqërie jo të zhvilluar e jo të emacipuar  sa duhet fetarisht, civilizisht, demokratikisht, ekonomikisht dhe një shoqërie të përçarë edhe nga egoizmi negativ, hipokrizia, servilizmi, nga smira, xhelozia  dhe fanatizmi që pengojnë lirinë e të vërtetës dhe të përparimit të më të mirës.

Dhe prandaj shoqëria e tillë vuan  prej këtyre farë “burrave” të shtetit që ajo mban dhe i zgjedh në krye, dhe a prej këtyre  e pret ajo ndryshimin dhe zhvillimin e demokracisë, ndërtimin e shtetit ligjor,  luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqënies e progresit; prej këtyre farë burrave të politikës e të pushtetit pritet mbrojtja dhe konsolidimi i shtetit, i interesave kombëtare, i pavarësisë dhe i integrimit?

 Nëse pretendojmë që shoqëria jonë nuk është e tillë dhe nuk i meriton të tillët që ta sundojnë dhe ta qeverisin atë, atëhere si ka mundësi që ajo i zgjedh, i mban, i duron dhe i toleron  ajo kaq shumë këta mosmirënjohës, zullumqarë dhe keqbërës të pashpirt?

Dhe a mos i vijnë  shoqërisë dhe shtetit shqiptar të tillët në krye të punëve vazhdimisht ndoshta si meritë por edhe si një “mallkim” edhe të asaj se shoqëria apatike, tolerante ndaj të këqijave  dhe e pajtimit me to nuk meriton për më të mirë?

Elita politike shqiptare, sidomos ajo e diskredituar nga pushteti i saj, nga konsumimi i të qënurit në pushtet në këto vite të tranzicionit, kjo “elitë” është spekulatorja më e madhe me demokracinë, me patriotizmin, me korrupsionin, me varfërinë, me papunësinë dhe sidomos me hipokrizinë; politikë e cila bën çdo lloj amoraliteti dhe pafytyrësie vetëm  për të përfituar pushtet, autoritet dhe pasuri, e cila duhet ndëshkuar ashpër me votë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …