Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës për çështje organizative, Bajrush Xhemajli, është i bindur se koalicioni PDK-AAK-Nisma më 11 qershor do të dalë fitues i zgjedhjeve. Ai thotë se ky koalicion drejtohet nga tre liderë që vendimet e mëdha për këtë vend janë marrë pikërisht prej tyre. “Nuk e di që të tjerët kanë marrë ndonjë vendim meritor për çështjen e Kosovës dhe të ardhmen e saj. Ne do të jemi koalicioni fitues dhe kjo nuk do të vihet në dilemë”, ka thënë Xhemajli në një intervistë për gazetën “Epoka e re”. Ai ka theksuar se kundërshtarët e tyre politik, koalicioni LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja Vetëvendosje!, janë duke vepruar si opozitë. “Më 11 qershor fitorja jonë do të jetë e kthjellët, sepse ne nuk jemi LAN-a e VLAN-a të kaluar”, është shprehur Xhemajli.