Bardhul Mahmuti

Bardhyl Mamuti: A po përgatiten sulme terroriste në Serbi?

Duke mos përjashtuar dhunën dhe terrorin e vazhdueshëm në territoret që kontrollohen nga i ashtuquajturi Shtet Islamik aksionet terroriste kanë marrë përmasa globale si asnjë herë më parë. Nga Filipinet e deri në Angli terror nga njëra anë dhe solidarizim me vendet viktimë e terrorizmit, nga ana tjetër. Në kontekst të kësaj lufte globale Serbia ka investuar maksimalisht që shqiptarët të stigmatizohen si rrezik i përhapjes së doktrinave radikale islamike në Ballkan dhe më gjerë. Fatkeqësisht përmes strukturave të ndikuara prej saj u dërguan në radhët e “shtetit islamik” një numër individësh nga Kosova, Maqedonia dhe Kosova Lindore. Prezenca e tyre fizike në luftërat që nuk kanë asgjë të përbashkët me interesat e shqiptarëve pati si efekt negativ prezantimin e shqiptarëve në mediet e huaja si “popull që mbështet terrorizmin islamik”.

Serbia nuk mjaftohet me kaq. Ajo dëshiron të paraqitet si viktimë e këtij terrorizmi për të tërhequr simpatitë e botës demokratike. Në funksion të kësaj strategjie nuk duhet të përjashtohen aksionet e kurdisura prej saj ku viktima të “terrorizmit” do të ishin qytetarët e saj. Në të kaluarën e afër ky shtet ka aplikuar disa herë aksione për vrasjen e civilëve të të gjitha përkatësive etnike për të ngjallur urrejtjen kundër shqiptarëve.  Këtë të vërtetë e ka pohuar publikisht edhe Vuk Drašković-i, kryetari i Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe, i cili gjatë periudhës më të vështirë të luftës në Kosovë (18 janar 1999 – 29 prill 1999) ishte Zëvendës-kryeministër i Jugosllavisë dhe i ngarkuar të udhëhiqte marrëdhëniet me jashtë.

Në intervistën për gazetën «Kurir» ish-zëvendës-kryeministri jugosllav Vuk Drashkoviqi deklaroi: “Vendimin për serinë e krimeve kundër serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve që e mbështetnin Serbinë dhe e dënonin UÇK-në, e solli Milosheviqi dhe Shtabi i tij strategjik. Në krye të eskadronit të vdekjes, Njësisë për Operacione Speciale, u caktua Milorad Ulemek-Legija (…) Ky i merrte urdhrat nga Radomir Markoviqi, ish-Shefi i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë.(…)

U vendos që Shërbimi i Sigurisë Shtetërore të kryente një varg sulmesh terroriste të cilat duhej t’i visheshin UÇK-së. Qëllimi i këtyre sulmeve ishte që UÇK-ja të paraqitej në sytë e bashkësisë ndërkombëtare si organizatë terroriste. Në të njëjtën kohë, përmes këtyre aksioneve do t’u jepej zjarr ndjenjave antishqiptare në Kosovë dhe në tërë Serbinë (…) Në funksion të kësaj strategjie, Sigurimi Shtetëror i Serbisë, me në krye Radomir Marković-in, me ndihmën e Milorad Ulemek-Legija-s, ndërmorën një varg sulmesh terroriste ku viktima ishin civilët serbë dhe shqiptarë  .” [Kurir, «Vuk Drashković: Milošević naredio Radetu i Legiji da ubiju srpsku decu!» (Milošević-i urdhëroi Radeta-n dhe Legija-n që t’i vrisnin fëmijët serbë)].

Strategjitë e përpiluara nga Shërbimi Sekret i Serbisë u zbatua edhe nga kuadrot e shkolluara nga ky shërbim në shtetin e Maqedonisë. Në muajin mars të vitit 2002 ish ministri i Brendshëm i Maqedonisë, Lube Boshkovski dhe gjashtë oficerë të forcave të sigurisë vranë gjashtë pakistanezëve dhe të një indiani të cilët ishin në mesin e mijëra emigrantëve që u gjetën në këtë shtet në rrugëtimin e tyre drejt Evropës. Mediet e kontrolluara prej shteti u lëshuan në një propagandë të tmerrshme për ta paraqitur Maqedoninë si viktimë të terrorizmit global. Emigrantët hallexhinj u prezantuan si “luftëtarë të organizatës terroriste Al-Qaeda, përgjegjësen e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA. Krahas viktimave të ekspozuara për mediet e huaja, autoritetet e Shkupit ishin kujdesur që në mesin e “arsenalit të gjetur të këta terroristë” të vendosin edhe uniforma të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare!

Konteksti historik i asaj kohe ishte i tillë që diplomacia ndërkombëtare nuk i gëlltiti këto konstruksione. Për më tepër, shumë shpejtë shteti maqedonas u detyrua të pranojë se prapa këtij krimi qëndronte vetë shteti i Maqedonisë. Madje, edhe zëdhënësja e ministrisë së Brendshme Mirjana Kontevska në një konferencë shtypi deklaroi zyrtarisht se “se vrasja u krye për të tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar për gjoja rrezikimin e Maqedonisë nga terrorizmit , përderisa realisht burime zyrtare konfirmojnë se prokuroria kishte urdhëruar një shef policie të gjente disa emigrantë që mund të dukeshin si terroristë islamikë. Viktimat që do të kalonin në Evropë përmes Maqedonisë ishin rrëmbyer e vrarë e më pas forcat e sigurisë thanë se kjo ishte një goditje kundër terrorizmit global”. (Balkanweb, Shkup, 1 maj 2002)

Konteksti aktual është tejet analogjik me atë periudhë. Mijëra emigrant përpiqen të kalojnë transit nëpër këtë pjesë të Ballkanit. Nuk përjashtohet mundësia e tragjedive Déjà Vu! Me qëllim të nxitjes së sulmeve eventuale terroriste kundër Serbisë autoritetet e këtij shteti sollën vendim për rrënimin e një xhamie në Beograd. Edhe pse njerëzit e besimit islam që jetojnë në Beograd janë të përkatësive të ndryshme etnike të gjitha mediet serbe dhe ato që ranë në grackën e tyre e prezantuan si “Rrëzim të një xhamie shqiptare”!!! Përmes kësaj mënyre të mediatizimit Serbia synon të krijojë një atmosferë të besueshme për opinionin publik ndërkombëtarë në rast se “ bëhet objekt sulmi terrorist”. Propaganda për “Rrëzimin e një xhamie shqiptare” është indikatorë i fuqishëm i strategjisë së përgatitjes së terrenit. Xhamitë nuk janë objekte që lidhen me përkatësinë etnike por besimin religjioz islam.

Për secilin që  e njeh mënyrën e veprimtarisë së strukturave të Shërbimit Sekret serb është e qartë se Serbia është duke përgatitur aksione terroriste kundër popullsisë civile për t’u paraqitur si “viktimë e Terrorizmit Global”!  Aksionet terroriste që mund të sajohen nga Shërbimi Sekret i Serbisë dhe të ekzekutohen nga strukturat e tyre, njëjtë si në të kaluarën e afërt, do të godasin njerëz të pafajshëm me qëllim që t’u lihet faji shqiptarëve dhe “anëtarëve të ISIS-it” që do t’i përzgjidhnin nga mesi i refugjatëve që kalojnë transit nëpër Serbi! Prandaj denoncimi i praktikave të vjetra të këtij shteti terrorist do të parandalonte tragjeditë e reja që kurdisen nga Serbia!

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …