Qershori i lirisë dhe i ditëlindjes së komandant Mujë Krasniqit, për të shtatëmbëdhjetën herë me radhë ka bashkuar në një vend të gjitha trojet shqiptare. Të martën, në Çabiq të Klinës, në oborrin e Kullës monumentale të komandantit Mujë Krasniqi është hapur festivali Folklorik “I këndojmë lirisë”. Në hapjen e këtij festivali ishin të pranishëm përfaqësues institucionesh nga niveli qendror dhe lokal, bashkëluftëtarë të Mujë Krasniqit, si dhe deputetë dhe artdashës të shumtë. Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, tha se në këto tri net sa do të zgjasë festivali do të kenë rastin të shoqërohen me grupe e ansamble të ndryshme, të cilat e begatojnë festivalin që i kushtohet njërit prej kolosëve të lirisë, komandant Mujë Krasniqit. Ai po ashtu, u shpreh se Mujë Krasniqi kishte virtyte të rralla të luftëtarit të lirisë, por ishte edhe rapsod i shquar i folklorit tonë burimor. “Muja e deshi këngën, e deshi vendin dhe u flijua për lirinë e Kosovës. Prandaj, ne për tri net do t’i këndojmë lirisë, do t’i këndojmë atdheut, me qëllimin më të mirë që të mbajmë gjallë folklorin tonë dhe kujtimin për dëshmorët”, ka thënë Bashota. Në emër të fshatit Çabiq të pranishmit i përshëndeti përfaqësuesi i fshatit, Zekë Gashi, i cili tha se në saje të luftës të komandant Mujë Krasniqit, Çabiqi u bë vatër lirie dhe fole për strehimin e shumë bashkëluftëtarëve. “Çabiqi gjithmonë shquhet për sofrën e vlerave të mirëfillta kombëtare, andaj ne sot kemi për çka të festojmë, sepse këtu lindi, më 6 qershor një personazh i madh i lirisë së Kosovës, i cili preku majat e flijimit, sakrificës dhe trimërisë, komandant Mujë Krasniqi”, tha Gashi. Në hapjen tradicionale të Festivalit Folklorik, ansambli i këngëve dhe valleve “Ardhmëria “ nga Gjakova dhe SHKA “Bashkimi” nga Drenasi, të cilët me prezantimin e tyre e bënë edhe më madhështore këtë eveniment. Për të pranishmit u shtrua edhe sofra tradicionale e Çabiqit, me ç’rast mysafirët shijuan përgatitjet tradicionale të këtij fshati, në nderim të hapjes zyrtare dhe në 50- vjetorin e lindjes së komandantit Mujë Krasniqi.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …