Fushata parazgjedhore vlerësohet e qetë në Komunën e Kaçanikut

Fushata parazgjedhore në Komunën e Kaçanikut është duke u zhvilluar e qetë dhe pa tensione, u tha në takimin mobilizues të mekanizmave relevant zgjedhor. Prokuroria e shtetit, Komisioni Komunal Zgjedhor, Institucionet Komunale, Partitë Politike, Përfaqësues të Stacionit të Policisë në Kaçanik, kryesues e vëzhgues zgjedhor, janë mbledhur të enjten për të diskutuar formën dhe procedurat që duhet ndjekur, për të zhvilluar proces të drejtë zgjedhor në Kaçanik. Artan Mezraja-Kryesues i Komisionit Komunal të zgjedhjeve në Kaçanik, tha se KKZ-ja ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për zhvillimin e procesit zgjedhor pa probleme dhe pa tensione. Mezraja tha se Kaçaniku mbetet një model dhe një pikë reference e mirë, për organizim dhe mbarëvajtje të procesit zgjedhor. Ndërkohë, prokurori i shtetit pranë Prokurorisë Themelore në Ferizaj Ismet Rrahmani, tha se në prokurorinë e shtetit është krijuar një praktikë e mirë, për të krijuar ambient të sigurt në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të lira e demokratike. Prokurori Rrahmani dha informacione lidhur me Kodin Penal të Republikës së Kosovës- Veprat penale kundër të drejtave të votimit, duke shtuar se janë 11 vepra penale të cilat sanksionohen, ndërsa shtoi se procesi zgjedhor duhet të jetë i drejtë, i lirë dhe pa ndërhyrje nga akterë të ndryshëm. Prokurori bëri thirrje tek qytetarët që veprat e rënda penale dhe parregullsitë gjatë zgjedhjeve të raportohen, ndërsa kërkoi nga kryesuesit dhe stafi punonjës zgjedhorë që në ditën e zgjedhjeve të jenë vigjilent dhe në nivel të detyrës. Nga ana tjetër Kapiten Afrim Halili- Komandant i Stacionit të Policisë në Kaçanik, tha se deri më tani në Kaçanik është mbajtur fushatë e qetë dhe pa asnjë incident të shënuar, ndërsa uroi një proces të drejtë zgjedhorë. Edhe përfaqësuesit e Partive Politike në Kaçanik, u zotuan se do të kontribuojnë në proces të drejtë zgjedhorë, ndërsa uruan që edhe të dielën me 11 qershor, të vazhdoj tradita e organizimit të mirë të zgjedhjeve dhe mbarëvajtja e qetësisë publike, ndërsa shtuan se fushata ka kaluar pa asnjë incident.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …