leoni

voto

Lobi Euro-Atlantik Shqiptar, Kosovës i dëshiron zgjedhje të lira, demokratike, fer dhe të ndershme!

Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës, ju drejtohemi nga mërgata, me qëllim që edhe ne, pjesëtarët e mërgatës të kontribuojmë në të mirën e Atdheut!

11 qershori po afrohet. Ju edhe këtë herë, do t’u drejtoheni kutive të votimit dhe do t’ia jepni besimin një partie politike, një koalicioni apo edhe një kandidati për deputet të Parlamentit të Republikës së Kosovës, i cili do të angazhohet për mirëqenien tuaj dhe për ardhmërinë e vendit. Para se t’u drejtoheni kutive të votimit, ju të nderuar qytetarë, ia vini gishtin kokës dhe mendojini disa gjëra.

– Mendojeni atë se para 17 ose 18 vjetësh, ju nuk e keni pasur këtë mundësi, nuk e keni pasur mundësinë, që të vendosni për kë, do të votonit!

– Mendojeni dhe falënderoni ata që duhet falënderuar, ata që kontribuuan më së shumti për ditën e sotme, ku ju dhe ne, jetojmë në liri, votojmë të lirë, punojmë të lirë, fëmijët tanë ndjekin shkollat të lirë, shprehim mendimet tona lirshëm e shumë të tjera që ne na mungonin nën okupimin e hekurt nga Serbia.

Ta falënderojmë Zotin e Madh, në radhë të parë, dhe bijat e bijtë më të mirë të Kombit, që punuan dhe që luftuan për çlirimin e vendit, ku në fund rrokën edhe armët, duke u radhitur në radhët e UÇK –së, e që pushka e tyre bëri jehonë në mbarë botën.

Falënderim i veçantë do të jetë për shtetet perëndimore dhe aleatët e Aleancës Veriatlantike – NATO, në krye me SHBA-në,ku banditit e kryekasapit të Ballkanit Millosheviq, i tha një herë e përgjithmonë se shqiptarët tash e tutje nuk janë vetëm, ata janë zotë të vetvetes dhe jetojnë në trojet e tyre.

– Qytetarë të nderuar para se të votoni, mendojini gjërat e vështira në të kaluarën, mendojini edhe gjërat e mira pas luftës, por mos harroni edhe vështirësitë që kemi ende, mendojini edhe atë, se çfarë duhet bërë dhe si duhet bërë.

Pra i vëni gishtin kokës dhe mos harroni kurrë se armiqtë e shqiptarëve dhe të Kosovës janë ende gjallë dhe veprojnë, tinëz apo haptas. Mos harroni se Serbia, asnjëherë dhe kurrë nuk do të na lërë të qetë dhe se, në çdo aspekt, çdo herë dhe në çdo mënyrë është duke na luftuar.

Kujtojini edhe ngecjet që jemi vetë përgjegjës për to, si ato se:  Korrupsioni është në nivel shumë të lartë, ku si pasojë, ekonomia e Kosovës është shkatërruar edhe pse Kosova njihet për një popullatë të moshës së re, vitale, inteligjente dhe shumë e aftë për punë.

– Shëndetësia në Kosovën tonë të dashur është në gjendje të mjerueshme,

– Arsimi është në nivel shumë të ulët, ku tregojnë edhe rezultatet e testeve të ndryshme ndërkombëtare, si TISA

– Shpresa e humbur e qytetarëve, se ndonjëherë do të bëhet mirë,

– Drejtësia e Kosovës, në varësi të ekzekutivit,

– Izolimi i qytetarëve kosovarë. Mos harroni se jemi një ndër vendet më të izoluara në Evropë,

– Gazetaria në Kosovë, e kapur, e sulmuar, shantazhuar dhe e manipuluar,

– Siguria e qytetarëve është rrezikuar,

– Ikja e popullatës, e herë pas here ikja masive sikur ato të viteve të fundit që Kosovën e lan më shumë se 250. 000 persona, e tashti vazhdon posaçërisht ikja e personave të shkolluar të profesioneve të ndryshme,

– Bujqësia pa perspektivë,

– Qytetarët, pa sigurime shëndetësore,

– Familjet pa shtesa fëmijësh,

– Njerëzit në nevojë dhe invalidët e luftës së fundit,janë në mjerim.

– Të pagjeturit që nga lufta e fundit, që vazhdojnë të jenë në lista të të pagjeturve,

– Industria e lënë pas dore, kur dihet se Kosova është vendi më

industrial në rejon.

– Rreziku nga humbja e territoreve, pikërisht, sepse ato territore kanë rëndësi strategjike, dhe kanë resurse natyrore,

– Turizmi jo funksional,

– Hekurudhat e Kosovës jo funksionale,

– Infrastruktura rrugore, ku Kosovës i ka kushtuar dhjetëfish më shtrenjtë seç kushton në vendet evropiane, e që nuk përmbushë ende nevojat e qytetarëve, posaçërisht nëpër qytete të mëdha të Kosovës.

– Energjetika jofunksionale, me rrjete të shkatërruara dhe me reduktime të energjisë elektrike,

– Ambientet e shkatërruara ekologjike, si pasojë e kësaj përhapen sëmundje të rënda,

– Lumenj të ndotur,

– Pyje të prera, të djegura, të degraduara

Por, ajo që ju duhet menduar shumë t’ia vini gishtin kokës, të mendoni dhe të shqetësoheni shumë, është mërgata apo diaspora.

Asaj ju kanë mbyllur dyert dhe gati se edhe janë shumë të anashkaluar edhe pse e dini se kjo mërgatë siguron të hyrat kryesore në Kosovë.

Pse:

-Pjesëtarë të mërgatës mendohet të jenë më se gjysma e popullatës që jetojnë brenda edhe po aq janë jashtë, si në kontinentet e Evropës, Amerikës, Azisë dhe Australisë. Ata mundohen që ta ruajnë gjuhën, kulturën dhe traditën, por ndihmë nga atdheu nuk ka. Përveç që nuk ka ndihmë, i mbyllen edhe dyert investimeve dhe interesimit për investime në atdhe, me kërkim mitoje apo provizione të ligjshme siç i quajnë ata, po ashtu duke dhe bërë injorime të ndryshme.

Injorohemi edhe atëherë kur ne pjesëtarët e mërgatës kërkojmë vendet e rezervuara në Parlamentin e Kosovës, ndërsa shumë parti kanë hapur edhe degët e tyre në mërgim ku pa fije turpi, bëjnë edhe fushata elektorale, duke kërkuar votën nga mërgata. E si ta japin mërgimtarët votën, pasi që janë të përjashtuar nga zgjedhjet, të zgjedhin dhe të zgjidhen?

Prandaj qytetarë të nderuar të Kosovës, këtë herë ua jepni votën atyre që:

Tregojnë rezultate në ngritjen e ekonomisë dhe në mirëqenien e qytetarit,

Atyre që i japin shpresë dhe perspektivë qytetarit,

Atyre që luftojnë krimin e organizuar apo edhe krimin individual, që dëmton

shtetin, që luftojnë korrupcionin, që ruajnë sovranitetin territorial të

Kosovës,

 

Por në radhë të parë i mbrojnë interesat e qytetarëve, pa dallim a janë

rezidentë apo jo.

Votojini ata që kanë projekte kombëtare dhe angazhohen për bashkëpunim të

ndërsjellë me shqiptarët e të gjitha trevave.

Votoni ata që hapin rrugë investimeve, pjesëtarëve të diasporës, apo edhe

të tjerëve.

Voto ata që angazhohen dhe mundësojnë vendet e rezervuara në Parlamentin e

Kosovës pjesëtarëve të mërgatës dhe të diasporës.

Votojini ata që angazhohen për heqjen e vizave, qytetarëve të Kosovës.

Votojini pra ata që janë më të mirët, sepse kështu fiton vetëm Kosova dhe shqiptarët.

Votoni ata që me zemër, ju japin, shpresë për një fillim të ri!

 

Skenderbeg Klaiqi,

Kryetar i Lobit Euro-Atlantik Shqiptar

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …