U mbushën 139 vite nga themelimi i Lidhjes së Prizrenit, ku burrat e kombit shqiptar u mblodhën në këtë Lidhje për të marrë vendime të rëndësishme në mbrojtje të trojeve shqiptare. Shkak për krijimin e Lidhjes së Prizrenit u bënë vendimet e Konferencës së Berlinit ku fuqitë e mëdha të atyre kohëve vendosën që trojet shqiptare të ndaheshim midis Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi.
Në të vërtetë arkitekti i Lidhjes së Prizrenit është Abedin Dino nga Preveza një njohës i mirë i politikave të perandorisë Osmane. Ai e këshillojë Abdyl Frashërit për themelimin e Lidhjes. Abdyl Frashëri zbatoj vetëm direktivat e Abedin Dinos.
I këtij mendimi është edhe historiani i njohur Paulin Z. Zefi i cili shkruan:
“Historiografia shqiptare e përmend rëndom emrin e arkitektit të vërtetë të këtij ”Kuvendi Kombëtar”por ende më keq, duke mos i njohur atributet që i takojnë më shumë të drejtë këtij shqiptari të madh nga treva e bukur e Çamërisë tonë martire. Arkitekti i vërtetë dhe iniciatori i ”Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” nuk ishte patrioti i nderua Abdyl Frasheri, (Deputet i Mizhlisit) por ai u zgjodh si i tillë pasi ishte thjeshtë zbatuesi më i denjë i direktivave që mori pikërisht nga; Ministri i jashtëm i Perandorisë Osmane, shqiptari nga Preveza e Çamërisë, patrioti dhe intelektuali i shquar me përmasa Europiane, Abedin Pashë Dino(1843-1906) i cili u lind në Prevezë. Abedin Pashë Dino, si njohës shumë i mirë i politikës së jashtme Europiane të kohës e cila bazohej mbi parimin e ”Vetvendosjes së Popujve”, ju përvesh punës ku nëpërmjet krijimit të kësaj Lidhje Kombëtare e cila do te sillte edhe njohjen e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare duke luftuar me armë në dorë për mbrojtjen e tërësisë territoriale të 4-Vilajeteve Shqiptare, që në rrethanat e krijuara po shërbenin si plaçkë tregu në pazarin e pisët ndërmjet fuqive të mëdha, popujve shoviniste sllavo-greke dhe Perandorisë Osmane e cila duke qenë në grahmat e saj të fundit po dhuronte tokat shqiptare gjatë kësaj tentative të dëshpëruar për të shpëtuar zemrën e këtij shteti despotik të kalbur që nga themelet. Lavdi patriotit Abedin Pashë Dino”.
Duke patur parasysh faktin e Konferenca e Berlinit i fillojë punimet më 13 qershor 1878 ndërsa Lidhja më 10 qershor, atëhere logjika e thjeshtë na shpie se përfaqësuesit shqiptar në Lidhje kishin informacione për vendimet e Konferencës së Berlinit. Por kush mund të kishte informacione më të sakta për këtë Konferencë? Kuptohet që ai ishte Abedin Dino i cili ishte njeri i afërt dhe i besueshëm në administratën e ngushtë të Sulltanit.
Kur u themelua dega e Lidhjes së Prizreni për të mbrojtur trojet shqiptare të Jugut dhe u quajt Lidhja e Jugut, Çamëria u zotua se do ofrojë 10 mijë burra me armë nëse ka nevojë. Një shifër e madhe kjo nëse bëjmë krahasimet me trevat e tjera shqiptare.
Baza e fundit e Lidhjes së Prizrenit që ra ishte ajo e Prevezës, ku Valiu i Janinës Asim Pasha thirri për bisedime disa krerë të Lidhjes midis tyre Sulejman Bej Dinon nga Margëlliçi, Mustafa Beun nga Janina e Qazim Bej Preveza, etj., në Maj 1881 dhe i arrestojë me pabesi duke i internuar në Çanak-Kala në Dardanele deri në vitin 1883.
Pra, përse mbahen të fshehura këto fakte dhe shumë fakte të tjera për krenarinë e bijve të Çamërisë, kontributi i tyre kombëtar? Vallë rastësi? Jo, s’ka rastësi, dua të na zhdukin çdo kujtesë krenarie të Çamërisë dhe bijve të saj që nga koha e lashtë e deri më sot sepse ne jemi trashëgimtarët e vërtetë të Pirros, Aleksandrit, sepse nëna e tij ishte Epiriotase-rrjedhimisht çame.
Është më e pëlqyeshme kështu se sa të mbahen në heshtje këto fakte të vërteta për Çamërinë dhe çamët. Historia e vërtetë, pavarësisht shtrembërimeve që mund t’i bëhet gjatë viteve, ajo nuk mund të zhbëhet, por do dali në sipërfaqe në vendin dhe kohën e duhur për t’na rikujtuar gëzimet apo dhimbjet që na ka shkaktuar.