Imer Ramë Krasniqi (1957 - 16.6.1998)

Imer Ramë Krasniqi (1957 – 16.6.1998)

Ndër njerëzit e parë të trevës së komunës së Malishevës, të cilët ishin njoftuar për ekzistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i cili angazhohet në radhët e saj, ishte Imer Krasniqi. Pjesëtar i kësaj ushtrie heroike, ai bëhet në fund të vitit 1997, megjithëse, praktikisht, për formimin e njësiteve të armatosura kishte kontribuar qysh nga viti 1993, kur ai dhe shokët e tij do të armatosen me automatikë. Në njësitin e parë të UÇK-së, që do të veprojë në Malishevë, krahas Gani Krasniqit, Hysni Kilajt, Selman Hotit, Skënder Krasniqit e Adem Krasniqit (vëllait), do të marrë pjesë edhe Imeri, i cili pushkën e lirisë nuk do ta lëshojë nga dora deri në rënien e tij në altarin e atdheut, më 16 qershor të vitit 1998.

Imer Krasniqi ka lindur më 1957 në fshatin Carrallukë të komunës së Malishevës. Në fshatin e lindjes kryen shkollën fillore, mirëpo në odat shqiptare dhe në jetën e përditshme kryen shkollën e edukimit atdhetar, në të cilën do të mësojë si duhet t’i shërbehet lirisë së atdheut. Shtëpia ku kishte lindur Imeri kishte qenë shtëpi me traditë, me derë prore të hapur për bijtë e atdheut. Në këtë derë kishin hyrë figura të shquara kombëtare të trevës së Llapushës e të Kosovës. Aty ishin kënduar shumë këngë trimërie, ishin rikujtuar shumë ngjarje historike, por edhe ishin bërë shumë plane strategjike për ta luftuar pushtuesin. Imeri do të jetë njëri prej atyre që do t’i zbatojë në vepër planet e tilla.

Angazhimi i Imerit në veprimtarinë atdhetare është i hershëm. Ai përherë ishte në krah të djalit të axhës, Ganiut, pas burgosjes të të cilit, më 1981, konsolidon lidhjet e shkëputura dhe formon lidhjet e reja të radhëve të ilegales patriotike. Për shkak të aktivitetit të tij të dendur, më vonë, më 1989, arrestohet nga policia jugosllave dhe dënohet për kundërvajtje antishtetërore. Dënimin e vuan në burgun e Dubravës. Që nga kjo kohë, kundër Imerit zbatohet përndjekje e vazhdueshme policore. Gjatë periudhës së viteve ’90, deri në daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtëpia e tij bastiset shumë herë, me qëllim të gjetjes së armëve, ndërsa ai arrestohet. Mirëpo, bastisjet dhe arrestimet e tilla marrin fund me fillimin e luftës së armatosur nga UÇK-ja kundër pushtuesit serb dhe me angazhimin e Imerit me shokë në këtë luftë.

Më 26 prill të vitit 1998, Imeri, në mesin e 27 pjesëtarëve të njësiteve të UÇK-së “Lumi” e “Pëllumbi”, merr pjesë në sulmin e organizuar kundër njësiteve të motorizuara të ushtrisë serbe në rrugën magjistrale Prishtinë-Pejë, në fshatin Balincë. Në këtë rast u sprovua epërsia e forcave çlirimtare, kur paaftësohen disa automjete ushtarake, duke përfshirë edhe ato të blinduara, ndërsa mjetet serbe të informacionit konfirmuan vrasjen e katër pjesëtarëve të ushtrisë serbe. Sulmi në Balincë konsiderohet si aksioni i parë kundër njësiteve të motorizuara të ushtrisë serbe. Në këtë kohë, pjesëtarët e UÇK-së në trevën e Llapushës ende vepronin të maskuar dhe Imeri bënte pjesë në njësitin “Lumi”. Në ditët e para të majit të vitit 1998, ushtarët e njësitit “Lumi” formojnë pikën ushtarake në fshatin Llazicë, edhe si përforcim i njësiteve ushtarake që vepronin në zonën e Drenicës.

Ndërkohë, Imeri pozicionohet në pikën e fshatit Fatos (ish-Negrofc), prej ku do të marrë pjesë në aksionin ushtarak për bllokimin e rrugës në Grykën e Llapushnikut, më 9 maj. Në këtë aksion, ai ishte figurë e dalluar ushtarake, por edhe inspiruese për ushtarët e tjerë. Gjatë kësaj beteje, Imeri i sfidon forcat serbe, duke u dalë atyre ballë për ballë në rrugën e asfaltuar.

Marrja e Grykës së Llapushnikut ishte një fitore e madhe strategjike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila krijoi rrethana të përshtatshme për të krijuar zona të lira edhe në trevën e Llapushës. Një ditë pas marrjes së kësaj gryke, komuna e Malishevës u shpall zonë e lirë, e kontrolluar nga UÇK-ja, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes ushtarake të pushtuesit nga zona e Drenicës, ku ishte e përqendruar ajo. Shpallja e Malishevës si zonë e lirë u pasua me formimin e menjëhershëm të pikave ushtarake në Astrazub, Llapçevë, Mleçan, Bubavec dhe Temeçinë. Në pikën e Temeçinës ishte vendosur edhe Imer Krasniqi. Nga entuziazmi i madh luftarak, gjatë kësaj kohe ai shprehte ndjenjë padurimi për shkak të përmbajtjes së pushtuesit për t’u ballafaquar ushtarakisht me UÇK-në. Për këtë arsye shpesh bënte presion edhe mbi eprorët që të ndërmerreshin aksione të armatosura dhe shkonte në pikat ushtarake kudo ku kriste pushka. Disa herë kishte shkuar si përforcim i njësitit të komandant “Kumanovës” në Luzhnicë, e të atij të komandant “Gurit”, në Greiçec.

Imeri ishte simbol frymëzimi e mobilizimi për UÇK-në. Për ta afirmuar rolin e pazëvendësueshëm të saj dhe për të madhëruar domethënien e territoreve të lira, më 31 maj të vitit 1998, vetëm dy javë para rënies, në Malishevën e lirë organizoi dasmën shumë simbolike të të birit, Musës. Në këtë dasmë morën pjesë vetëm pjesëtarët e UÇK-së.

Më 16 qershor të vitit 1998, komanda e njësiteve të UÇK-së kishte marrë informacionin për arritjen dhe pozicionimin e trupave serbe në vendin e quajtur Gallushë, afër fshatit Bllacë të komunës së Therandës, jo shumë larg pozicioneve të njësitit të UÇK-së. Qëllimi i këtij pozicionimi ishte sigurimi i lëvizjes së një kolone tjetër të trupave serbe, që po vinte nga drejtimi i Prishtinës. Kjo komandë urdhëron sulmin mbi trupat serbe. Në orët e pasdites pjesëtarët e njësitit të Temeçinës, në mesin e të cilëve edhe Imer Krasniqi, pozicionohen për sulm rreth 200 metra afër forcave të pushtuesit.

Ndërkohë, Imeri kishte depërtuar edhe më në afërsi të forcave serbe dhe nga ai pozicion i sulmon ato l1le mitraloz. Këtij sulmi i kundërpërgjigjen forcat serbe, me breshëri të shtënash, nga të gjitha llojet e armëve. Gjatë këtij kundërsulmi, një plumb snajperi e godet rëndë Imerin. Ishte ky dëshmori i parë i UÇK-së në trevën e Llapushës, duke pasur fare pranë edhe bashkëluftëtarë të tjerë, ndër të cilët edhe Avdi Gashin nga Kijeva e Hysni Kilajn. Bashkëluftëtarët, trupin e dëshmorit Imer Krasniqi e tërheqin nga vendi i rënies dhe më 17 qershor e varrosin në varrezat e fshatit Carrallukë. Ceremonia e varrimit u bë me pjesëmarrjen masive të njerëzve të kësaj ane, me nderime të larta ushtarake e me të shtëna armësh. Ajo ishte ceremonia e parë publike mortore, e udhëhequr nga UÇK-ja. Përveç ushtarëve, aty ishin të pranishëm edhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Varrimin e përcollën edhe përfaqësues të shumë mediave botërore.

Ditën e rënies së dëshmorit Imer Krasniqi, vendin e tij në radhët e UÇK-së e plotëson i biri, Mani, i cili pas përfundimit të luftës në Kosovë, amanetin e të atit do ta shpjerë në vend, duke vazhduar rrugën e çlirimit kombëtar edhe përkrah vëllezërve në Maqedoni. Pas rënies, emri i dëshmorit Imer Krasniqi bëhet kushtrim lufte, të cilin me nder do ta mbajë Brigada 122 e UÇK-së. Më 6 mars të vitit 2000, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së atë e shpall dëshmor të kombit.

Rivarrimi i dëshmorit u bë në përvjetorin e dytë të rënies, në Varrezat e Dëshmorëve në Malishevë. Emri i tij, sot, është përjetësuar në emra rrugësh e shkollash, në bust e në pllakë përkujtimore dhe në mirënjohje të shumta të QPK-së e të institucioneve të saj.

Emri i Imer Krasniqit i është vënë një rruge në qytetin e Malishevës; Këtë emër e ka marrë edhe shkolla e re fillore e fshatit Carrallukë, në ndërtimin e së cilës kishte marrë pjesë edhe Imeri, si mjeshtër i ndërtimtarisë, para fillimit të luftës. Në oborrin e kësaj shkolle ndrit figura e dëshmorit Imer Krasniqi, e skalitur në bust; Në pllakën përkujtimore të dëshmorëve në afërsi të fshatit Bllacë gjendet edhe emri i dëshmorit Imer Krasniqi; Atë e kanë nderuar me medaljonet e praruara në ar SHP i UÇK-së dhe Këshilli Organizativ i përkujtimit në Bllacë (në 3-vjetorin e rënies); Kuvendi komunal i Malishevës i ka akorduar “Çmimin për trimëri” (çmim tradicional, i cili çdo vit u jepet tri figurave më të merituara për kontributin në çështjen e luftës kombëtare); Familja e dëshmorit është falënderuar me Nderim nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së.

Imeri ka lënë për jetë krenarë, nënën, Feriden, vëllezërit, Ilazin Dautin e Ademin, motrën, Eminen, dhe gruan, Hanifen, me shtatë djemtë e katër vajzat: Musën, Osmanin (Manin), Beratin, Hasanin, Pajtimin, Shqipërimin, Kujtimin, Havën, Fatimen, Mendehinë dhe Liridonën.

Jeta, lufta dhe rënia e dëshmorit Imer Krasniqi ka mbetur shembull i flijimit të çdo gjëje të shtrenjtë për lirinë e atdheut. Në shërbim të luftës për liri ai kishte vënë tërë familjen, shtëpinë dhe pasurinë.

Gjaku i tij dhe i mijëra trimave të tjerë të UÇK-së u bë bedem ku thyen kokën pushtuesi serb. Ishte koincidencë shumë domethënëse që përvjetori i parë i rënies së dëshmorit Imer Krasniqi të kurorëzojë edhe hyrjen triumfale të bashkëluftëtarëve të tij në Malishevën e çliruar.

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …