Kandidati për deputet, Fidan Mustafa publikisht i bashkohet thirrjes së prof. Muhamet Mustafës, për hetim dhe rinumërim të çdo kutie të votimit për zgjedhjet e 11 qershorit.
Shkeljet janë të mëdha, faktet janë evidente për prishje të votës qëllimisht si dhe lexim jo i drejtë i fletëvotimit gjatë procesit të numërimit dhe regjistrimit.
Më poshtë po sjell katër mënyrat e manipulimit të votës që përcollën këtë proces zgjedhor:
- Duke i prishur fletëvotimet nëpërmjet stilolapsave apo ndrydhjes së fletëvotimit me unazë dore apo mjete të forta;
- Duke i shtuar fletëvotimit edhe një numër shtesë kështu duke e bërë fletëvotimin të pavlefshëm për kandidatët;
- Gjatë leximit të fletëvotimit, numrat e votuar (me mbishkrim) nuk lexohen, por lexohen numrat e porositur, pa qenë fare të votuar në fletëvotim;
- Duke futur rezultatet në regjistrat zyrtar të KQZ-së, mbi vendvotimin, aty ndryshohen të dhënat dhe i barten votat e një kandidatit kundrejt një tjetri, pavarësisht se në kutitë e votimit, fletëvotimet e dëshmojnë të kundërtën.
Nëpërmjet kësaj shkrese, kërkoj publikisht nga KQZ dhe organet tjera kompetente, si dhe organet e drejtësisë, që në mënyrë profesionale të hetojnë këtë proces zgjedhor i cili në rend të parë dëmton rëndë vullnetin e qytetarëve të vendit dhe vet kredibilitetin e shtetit të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, nëpërmjet kësaj shkrese, i bëjë thirrje çdo kandidati për deputet në këto zgjedhje që konsideron se i është dëmtuar vota ndaj tij në çfarëdo forme, që publikisht të kërkohet nga KQZ rinumërim të çdo kutie të votimit për zgjedhjet e 11 Qershorit.