Krasniqi

Jakup Krasniqi: Prioritetet e institucioneve të reja të Kosovës

Në pritje të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve dhe certifikimit të tyre nga Këshilli Qendror i Kosovës që do të na jepte përbërjen e re të Kuvendit, krijimi i qeverisë së Kosovës është tema kryesore mediatike pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 qershorit. Domosdoshmëria e krijimit sa më të shpejtë të saj ka relativizuar çështjen se kush do ta krijojë institucionin që duhet të zbatojë programet politike.

Pa minimizuar rëndësinë e angazhimeve për të gjetur partnerët e mundshëm për krijimin e shumicës së nevojshme parlamentarë për krijimin e qeverisë se re, situata në të cilën kalon Kosova kërkon që në të njëjtën kohë të mendohet shumë më shumë se si do t’u jepet përgjigje e duhur problemeve me të cilat ballafaqohet vendi. Kjo çështje del si prioritet mbi të gjitha çështjet tjera për shkak të rezultatit të zgjedhjeve. Kur them këtë nuk mendoj për çështjen se cili koalicion apo parti sa deputet ka marrë. Por, për shkallën e ulët të legjitimitetit që ka kjo legjislaturë. Mospjesëmarrja e madhe në zgjedhje dhe numri i votave të pavlefshme (pa marrë parasysh se pavlefshmëria e tyre është për shkaqe të ndryshme) tregon se rreth 60% e elektoratit të Kosovës kanë humbur besimin në mundësinë e ndryshimeve përmes votës së lirë. Sipas mendimit tim kjo gjendje është alarmante. Prandaj, analiza e gjithanshme për të konstatuar gjendjen politike, ekonomike e të sigurisë dhe hapat që duhet bërë për të ecur tutje, me qëllimin që qytetarëve t’ua kthejmë perspektivën për punë e jetë të dinjitetshme në Kosovë del si domosdoshmëri urgjente e institucioneve të reja të Kosovës.

Në planin e jashtëm është tejet urgjente t’i jepet fund mënyrës së deritashme të bisedimeve me Serbinë sepse këto bisedime kanë devijuar tërësisht nga Plani i Ahtisarit, që ishte rezultat i bisedimeve disavjeçare në Vjenë në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim ndërkombëtar. Bisedimeve me Serbinë nuk mund të vazhdohen për çështje të brendshme të Kosovës, sepse këto çështje janë çështje që i përkasin ekskluzivisht sovranitetit të shtetit tonë.

Në kontekst të rishikimit të çështjeve të biseduara në Bruksel, institucionet e reja të Kosovës duhet të përshpejtojnë krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimeve që solli Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me marrëveshjen për krijimin e saj. Shkurt, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe le të krijohet mbi bazën e Statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare. Çdo devijim nga Statusi aktual i Asociacionit ekzistues, krijon probleme të pa parashikueshme në të ardhmen.

Edhe çështjes së Marrëveshjes për demarkacion të kufirit me Malin e Zi duhet t’i jepet një përgjigje urgjente. Në përputhje me vërejtjet e shumta të bëra nga ekspert të kësaj fushe Kuvendi i ri i Kosovës duhet të hedh poshtë marrëveshjen e nënshkruar me 26 gusht 2015, të krijojë një komision tërësisht të ri shtetëror dhe të fillojë bisedimet e reja me Malin e Zi. Në rast se Mali i Zi nuk do të pranonte bisedime të reja për këtë çështje atëherë institucioneve të reja të Kosovës u del si obligim madhor që të bëjnë të gjitha angazhimet e nevojshme që në Gjykatën e Arbitrazhit integritetit territorial i Kosovës të mbrohet me këmbëngulësi.

Çështja e nivelit të arsimit kërkon ndërhyrje urgjente, sidomos pas alarmit që na erdhi nga PISA. Analiza e gjithanshme e arsimit duhet të rezultojë me identifikimin e pengesave për të pasur një arsim cilësor dhe kjo do të na mundësonte që të aplikonim masa të nevojshme për tejkalimin e tyre. Pa një analizë të tillë paraprake të gjitha masat që mund të ndërmerren do të ngelin në nivel të eksperimenteve pa qenë të sigurt se mund të sjellin rezultatet e dëshirueshme.

Çështja e shëndetësisë përbën një nga prioritet më të mëdha për popullin e Kosovës. Edhe këtu identifikimi paraprak i shkaktarëve të kësaj gjendje dhe marrja e masave adekuate për “shërimin e shëndetësisë” janë kusht i domosdoshëm që shëndetësia në Kosovë të ofrojë shërbimet e nevojshme dhe trajtim dinjitoz për pacientët e sëmurë.

Sa i përket krijimit të një sistemi të drejtësisë dhe prokurorisë të pavarur nga ndërhyrjet politike është çështja më e lehtë: mos ndërhyni! Lëreni të veprojnë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe do të shihni institucione të drejtësisë të  depolitizuara.

Çështjet e lartpërmendura janë prioritete të cilat mund të zgjidhen me një angazhim të gjithanshëm dhe varen kryesisht nga vullneti politik. Por, vullneti për t’i zgjidhur këto prioritetet jetike për popullin e Kosovës do të kenë ndikim të madh pozitiv që të fillojë të kthehet shpresa e qytetarëve në institucionet e vendit tonë.

Krahas prioriteteve të lartpërmendura, institucionet e reja të Kosovës duhet të mendojnë urgjentisht të organizojnë një samit ekonomik për zhvillimin e Kosovës. Varfëria e skajshme që ka kapluar vendin është bazë e destabilizimit permanent dhe humbjes së shpresës për një jetë më të mirë në Kosovë. Kjo gjendje krijon premisa të favorshme për të ra në gracka të ekstremizmit. Për këtë arsye dalja nga kjo gjendje duhet të shihet si strategji e koordinuar edhe me partnerët ndërkombëtarë që janë të interesuar për stabilizimin e kësaj pjese të Evropës.

Kam bindjen e plotë se veprimet urgjente për t’u dhënë përgjigje adekuate çështjeve jetike me të cilat ballafaqohet popullsia e Kosovës do të kthente besimin e njerëzve. Kjo klasë politike e ka shansin e fundit politik!

 

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …