Investime të rëndësishme në ujësjellës në fshatrat e Skenderajt

Kanë filluar së realizuari dy projekte të rrjetit të ujësjellësit në fshatrat Morinë dhe Kuçicë të Skenderajt. Projekti i shtrirjes së gypit kryesor furnizues për fshatin Morinë  i nisur të mërkurën, financohet nga organizata Islamic Relief Kosova dhe ka për qëllim shtrirjen e gypit kryesor të furnizimit të fshatit Morinë deri në rezervuarin kryesor të fshatit. Ky projekt do të zgjidh problemin e furnizimit me ujë të këtij fshati pasi lidh rezervuarin kryesor të fshatit me rrjetin kryesor në të cilin shumë shpejt do të lidhet edhe fshati Kryshc. Më rastin e fillimit të punimeve në këtë projekt, në Morinë ka qëndruar Nënkryetari i komunës së Skenderajt Fadi Nura i cili ka falënderuar përfaqësuesit e organizatës Islamic Relief Kosova dhe ka uruar banorët e Morinës për fillimin e projektit me kërkesën që të bashkëpunohet në realizimin e tij pa pengesa. Nënkryetari Nura ka qëndruar edhe në fshatin Kuçicë ku ka filluar realizimi i projektit të ujësjellësit për këtë fshat. Nura me këtë rast i ka takuar banorët e Kuçicës dhe udhëheqësit e fshatit. Ai i ka siguruar banorët se në Kuçicë brenda një kohe të shkurtër do të zgjidhet përfundimisht problemi i ujit të pijshëm, pasi projekti ka dinamikë të shpejtë të realizimit. Nura ka kërkuar bashkëpunim dhe mbikëqyrje të përbashkët të projektit nga banorët dhe institucionet kompetente komunale. Ujësjellësi i Kuçicës ka gjatësi 8 kilometra ku përfshihet gypi kryesor furnizues nga Tërnaci dhe rrjeti brenda fshatit. Në kuadër të investimeve në sigurimin e ujit të pijshëm Komuna e Skenderajt ditën e shtunë do të lëshoj në përdorim të qytetarëve ujësjellësin e fshatit Polac, ndërsa ujësjellësi i fshatit Kryshec i financuar nga LUX Dev dhe Komuna e Skenderajt është në fazën e tenderimit. Investime në ujësjellës do të ketë edhe në fshatra të tjerë të Skenderajt të cilat janë përfshirë në projektin e shtrirjes së rrjetit në 12 fshatra, ndërsa projekti i rritjes së kapacitetit furnizues me ujë të pijshëm të Skenderajt nga Mitrovica është në fazën e tenderimit. Përfundimi i këtij projekti do të mundësojë furnizim me ujë të pijshëm për të gjitha fshatrat e Skenderajt në të cilat është duke u investuar në shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …