leoni

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Vazhdojnë kërcënimet e vidovdanëve të Gazimestanit

Kërcënimet  që e paska përsëritur Gjuriqi, e të cilat u botuan në mediet tona më 25 qershor 2017, nuk janë ndonjë gjë e re. Ai e paska përsëritur atë që e kanë thënë sa e sa herë shefat e tij, se paku që nga viti 1989 në Gazimestan dhe e kanë përsëritur për çdo Vidovdan deri të ky i sivjetmi që po afron.

Nuk ka dyshim, ketë duhet ta dëgjojnë me vëmendje të gjithë shqiptarët e sidomos duhet ta përcjellin ata që po vrapojnë pas posteve të kryeministrit, kryeministrave dhe të pozitave të tjera drejtuese të shtetit të shteteve shqiptare. Si po duket që sa vite këta të fundit nuk po i shohin e as dëgjojnë kërcënimet që ju vinë nga Beogradi zyrtar, pasi gjithë mllefin e kërcënimet i kanë kundër njëri – tjetrit?! Shembujt më të shëmtuar u shfaqen e rishfaqen në zgjedhjet e fundit në Kosovë e Shqipëri.

Këto kambana kërcënimi duhet t’i dëgjojnë, e t’i dëgjojnë fortë ata që i udhëhoqën bisedimet me Serbinë me ndërmjetësimin e Brukselit, si dhe ata që dëshirojnë të marrin përgjegjësinë për t’i vazhduar ato bisedime të dështuara. Duhet t’i dëgjojnë fortë edhe udhëheqësit e Shqipërisë, ata që vinin në Prishtinë që edhe nga foltorja e Kuvendit i mbronin e i nxitnin miqtë e tyre personal dhe i inkurajonin fortë për vazhdimin e bisedimeve nënshtruese me Beogradin. Kushdo që merret me politikë e nuk i sheh ato bisedime të dështuara, ai apo ata janë më shumë se miop politik. Bile do të thosha, miopia nuk do të ishte ndonjë problem serioz?! Këtu nuk kemi e nuk kishim të bënim vetëm me miopi?!

Secili shqiptarë duhet ta dinë, se si sot ashtu edhe para 28 viteve, shqiptarëve nga Vidovdani i Gazamestanit ju patën ardhur kërcënime lufte, të cilat më vonë rezultuan në një luftë të egër. Shumë kush e dinë se çka ndodhi pas dhjetë viteve, ndodhi krimi dhe gjenocidi serb mbi shqiptarët. Përmasat e të cilit krim e gjenocid në Kosovë janë shumë të thella e të freskëta.

Nuk kërkoj që kërcënimeve t’ju përgjigjemi me të njëjtën masë, si për shembull, duke u thënë: Molla e Kuqe e Shqipëria në Toplicë janë “zemra e Shqipërisë”! Por, ne u themi, të gjithë atyre që po kërkojnë të marrin përgjegjësi nga qytetarët për të qeverisur, të marrin obligimin edhe për t’ua siguruar atyre, qytetarëve të Kosovës, jetën në liri, me siguri, dinjitet e mirëqenie.

Kështu si është qeverisur deri më sot Kosova, jo vetëm që qytetarëve nuk u është  garantuar jeta në liri, e siguria për jetë, por as mirëqenie e drejtësia sociale! Kjo praktikë qeverisëse duhet që të ndërpritet me urgjencë apo siç thotë populli: “sahat e më parë”.

Dëgjoni e lexoni se çka paska thënë Gjuriqi:

 “Në Vidovdan gjithmonë tregohet çdo gjë, tregohet edhe besimi e pabesimi, tregohet kush është i gatshëm të luftojë për popullin e vet dhe për Kosovën, është rast t’i porosisim të gjithë ata që frikohen, por edhe ata që shpresojnë e i gëzohen mendimit se ne mund të heqim dorë, por ne kurrë nuk do të heqim dorë nga lufta jonë për Kosovën”. Për të vazhduar më pas: “Serbët janë të gatshëm të presin dhe të luftojnë për Kosovën. Kështu sot nga Beogradi, nesër nga Graçanica, e një ditë nga Prizreni e Prishtina mund të porosisim se kurrë nuk do të heqim dorë dhe se lirinë si popull do ta presim”.

Kësaj politike gjenocidiste, Qeveria e Kosovës duhet t’ia mbyllë të gjitha dyert. Kësaj politike duhet t’u mbyllën të gjitha rrugët e komunikimit dhe jo vetëm ato politike e ekonomike! Nëse politika e sotme në Beograd nuk e ka asnjë gatishmëri për t’u distancuar nga politikat e krimit e të gjenocidit të përsëritura disa herë në shekullin XX, cilat janë arsyeje që ne të këmbëngulim për ta bërë Serbinë hisedare në sovranitetin e shtetit tonë?

Institucionet e shtetit, obligim parësor kanë: qytetarëve të Kosovës t’ua garantojnë jetën në liri, duhet t’ua ofrojnë sigurinë për jetën, t’ua sigurojnë zhvillimin ekonomik, mirëqenien e drejtësinë sociale! Qeverisjet që i kishim deri tani, sidomos këto të pas pavarësisë, nuk ua afruan qytetarëve deri më tani, asnjërën nga nevojat jetësore të përmendurat.

Shkurt, kërcënimet që kanë ardhur në mënyrë të veçantë që nga fillimi i këtij viti, janë dëshmia më e fuqishme se politika serbe nuk e njeh gjuhën e komunikimit për normalizimin e marrëdhënieve, koha sa e sa herë ka dëshmuar se ata e njehin vetëm “gjuhën ushtarake të forcës!”!

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …