Ermira Babamusta Ardian Kadriu Mjeshtri i Skulpturës dhe Skenës

Ermira Babamusta: Ardian Kadriu: Mjeshtri i Skulpturës dhe Skenës

Ardian Kadriu me mjeshtëri krijon art ku derdh shpirtin dhe talentin nëpërmjet imagjinatës së tij. Fantazia vepruese e artistit të suksesshëm nga Maqedonia është influencuar nga guximi për krijimtari dhe dëshira për ngjallur emocione nëpërmjet artit. Ka mbajtur ekspozita të veçanta për skulptura të jetësuara me argjil, dru, gur dhe mermer në Tetovë, Gostivar, Shqipëri etj. Veprat e skulptorit Ardian Kadriu kanë lënë gjurmë të prekshme për artdashësit ku midis të tjerave veçohet “Klithmat e Brendshme”.

Skulptori i talentuar Ardian Kadriu përveç artit figurativ ka pasion pikturën, aktrimin, skenografinë në filma dhe teatër. Njihet si skenograf për shfaqet: Rrënjët e Kullës – Vebi  Qerimi (rekuiziter), Qeni i Baskervileve – Qazmedin Nuredini, I sëmuri për mend – Ahmet Jakupi, Ballyturk – Qazmedin Nuredini, Mesimi –Ilirjan Himaj dhe Një shtrat plot me të huaj – Esat Brajshori. Si skenograf ka bashkëpunuar me regjizorin e mirënjohur Ibër Deari dhe njihet për filmat fitues: Last Confession, Between Paradise and Hell, My city Screams, Toka, A long way home.

Ardian Kadriu ka lindur në Kumanovë në vitin 1989. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në fshatin Sllupçan – “FAIK KONICA”, ndërsa shkollën e mesme në gjimnazin “GOCE DELCEV”. I diplomuar nga Fakulteti i Arteve dega SKULPTOR në Universitetin shtetëror të Tetovës.

Momentalisht Ardian Kadriu është skenograf i shfaqes “Një shtrat plot me të huaj“, nga autori Dave Freeman dhe me regji të Esat Brajshorit. Gjithashtu po përgatitet për ekspozitën personale, të cilën dëshiron ta ekspozojë në 2018.

 

Na trego fillimet e tua për skulpturën. Si fillove?

Ardian Kadriu: Shumë herët, por arsyeja se si ia nisa apo ku lindi kjo dashuri sigurisht që ka ndikim familja ime. Unë isha me fat që linda me një familje ku vetëm se janë marrur me ART. I rrethuar me artistë, babi është piktor kurse xhaxhai im është grafist, kshtu që isha i rrethuar me piktura, grafika dhe skulptura. Si fëmijë ajo që më shumë më tërhiqte ishte argjila ose balta. Gjithmonë luaja me baltë dhe punoja forma të ndryshme të skulpturës, punoja skulpturë dhe ndër  kohë pikturoja. Por prapë se prap isha më i lidhur ose më shumë interesi më ikte kah skulptura.

Me skulpturën  mundesha ta prekja në të gjitha anët, të ndërtoja me duar dhe  më shumë e ndjeja, dhe kështu fillova të punoja vazhdimisht me shumë pasion. Kur erdhi koha për të studijuar tani më e kisha të qartë se çfarë doja. Vazhdova në fakultetin e artëve ku kisha fatin dhe u pranova në fakultet si student i  rregullt i Artit Figurativ, drejtimi Skulpturë.

Ka njerëz të uritur, por shpirti i artistit është gjithnjë i etshëm.

 

Cilët artistë të inspirojnë më shumë?

Ardian Kadriu: Nga klasikët më shumë që më inspirojnë janë Michelangelo, Rodini Donatello, Edvard Munch, Francicko Goya, Rembrandt, Van Gogh. Nga arti modern do ta veçoja skulptorin Javier Marin.

 

Çfarë të inspiron më shumë për të bërë art/skulpturë ose pikturë?

Ardian Kadriu: Mendoj se artistin e ngacmon gjithçka që na rrethon për të na dhënë një inspirim që të krijojmë diçka. Unë inspirimin e gjej gjithkund. Kaloj shumë kohë në natyrë pasi që mendoj se aty qetësohem dhe komunikoj me artin. Pa e pasur një mendje të qetësuar dhe një shpirt të pastër është vështirë që të lidhemi me një inspirim apo krijim të mirë. Gjëra të tjera që më inspirojne janë librat, filmat, muzika e mirë, shëtitje, njerëzit, ejt. Dhe mundohem që ta shikoj brendësinë e njeriut, egon e tij, dëshirat, ambiciet, dhimbjen gjithçka që e bën një njeri të gjallë.

 

Këshilla juaj për dikë që dëshiron të ndjek këtë karrierë?

Ardian Kadriu: Është punë e rëndë, ndoshta nga të gjithë artet e tjera Skulptura përveç lodhjes kreative apo asaj shpirtërore, se si të gjejmë një ide, e pastaj analizat se çfarë mesazhi bartë ajo ide, ka edhe lodhjen e madhe fizike. Ku artisti duhet te jetë fizikisht i përgaditur, të punojë me baltë dhe daltë. Të punojë pa pushuar netë e ditë. Por dëshira e madhe për këtë punë të jep kënaqësi.

Këshilla ime, lexoni dhe punoni me shpirt. Fillimet janë të vështira por në fund e kupton dhe e sheh se ti je krijuesi i një vepre. Kjo është shumë e rëndësishme.  Do ta përfundoj me një thënie shumë të mirë nga Van Gogh ku thotë, “Nëse dëgjon një zë të brendshëm të pëshpërije brenda jush “ti nuk mund të pikturosh”, atëherë në të gjitha kuptimet e mundshme pikturo, dhe ai zë do të jetë i heshtur.”

 

Na trego pak për proçesin se si bëhet një skulpturë?

Ardian Kadriu: Unë do ta mar si shembull skulpturën në argjil por kemi edhe materiale të ndryshme si psh: druri, guri, mermeri, etj.

Sikur piktura dhe grafika që kërkohet të vizatohen skicat, po ashtu edhe në skulpturë punohet skica. Pastaj fillojmë me përgaditjen e argjilës, sikur brumin që e gatuajmë, e gatuajmë edhe argjilën. Përgaditet argjila pastaj fillojmë skeletin ta punojmë me materiale të ndryshme. Gradualisht  fillojmë me mbushjen e skeletit me argjil duke e mbushur dhe duke e bëre vendosjen. Pasi që ta vendosim fillojmë dhe e modelojmë skulpturën. Pas  modelimit e përfundojmë skulpturën dhe e përgadisim për ta hedhur në gips ose materiale të ndryshme. Pak a shumë u mundova me shkrim të sqaroj, por nga punimet e mia të ardhshme kam plan që t’i xhiroj gjithë proçesin me një kamerë dhe aty shumë më mirë do dallohet dhe kuptohet.

 

Cila është pjesa më e rëndë për të bërë një skulpturë?

Ardian Kadriu: Në përgjithësi nuk ka pjesë të lehtë apo të rëndë. Ndonjëherë pjesa më e rëndë është proçesi në kërkimin e idesë se çfarë dua të bëj me një skulpturë. Por në realizimin e saj, pjesa më e vështirë ose me e frikshme për skulptorin është vendosja e skulpturës në skeletin e saj, që ajo të qëndrojë e lirë. Dmth kjo është pjesa më shumë që një skulptor koncentrohet që ta pëfundojë me suksese. Pastaj pjesa e modelimit është më e lehtë e kështu me radhë. Dmth mendoj që pjesat më të rënda në art nuk janë ato fizike ku ti punon me duar, ajo është si pjesë teknike e proçesir të artit. Pjesa më e rëndë është ajo mendore… Më pëlqen një thënie e Michaelangelo ku thotë se, “Një artist pikturon me mendjen e tij jo me duart e tij.”

 

A jeni shumë skulptorë shqiptarë, nëse po na trego disa prej tyre?

Ardian Kadriu: Nuk jemi shumë numër i madh. Në Maqedoni është numri më i vogël se sa i piktorëve dhe artisteve në fushat tjera të artit. Unë disa nga Skulptorët që i njoh dhe kam kontakte janë: Xhelil Rufati, Muamer Sadiku, Xhezair Rexhepi, Bashkim Mexhiti  etj….Shpresoj që në të ardhmën të rritet numri i artistëve që duan të merren me skulpturë.

 

Çfarë jeni duke punuar tani për momentin?

 Ardian Kadriu: Për momentin jam duke u përgaditur  për ekspozitën personale që do ta kem në fund të vitit 2018, dhe shpresoj që të mos ndalem dhe të vazhdoj t’i ekspozoj  dhe nëpër qytete të Maqedonisë por edhe jashtë vendit. Gjithashtu përveç ekspozitës jam duke punuar edhe me një shfaqje profesionale në Teatrin e Kumanovës. Dmth aty jam si skenograf i shfaqes “Një shtrat plot me të huaj“, nga autori DAVE FREEMAN dhe me regji të Esat Brajshorit.

 

Përveç skulpturës me cilat arte tjera e shpreh vetën?

Ardian Kadriu: Më duket se gjithçka që ka të bëjë me artin e gjej një lidhje që mund të shprehem e të komunikoj me publikun. Dmth është Piktura. Pastaj e dua dhe më pëlqen aktrimi, kam qenë pjesmarrës në disa filma si aktorë por në role më të vogla. Merrem me kostumografi dhe skenografi në teatër dhe film. Dhe shumë gjëra të tjera që për momentin mendoj që këto janë të mjaftueshme.

 

Cilat janë disa nga filmat që ke punuar?

Ardian Kadriu: Skenograf kam qenë në gjithë filmat e Ibër Dearit duke filluar nga Last Confession, Between Paradise and Hell, My city Screams, Toka, A long way home … në shumicen e këtyre filmave kam marrë pjese edhe si aktor në disa nga rolet. Kam bërë një përvojë të madhe në filma. Filmat shumë i dua kur i shikoj… por të punosh në filma është një magji komplet tjetër. Eksperiencë e veçantë dhe e këndshme.

Cilat janë disa nga shfaqjet në teatër që ke punuar?

Ardian Kadriu: Do ti shkruaj disa më të rëndësishme për momentin që kam punuar. Për në teatër gati çdo vit punoj nga 1 deri me 2 shfaqe. Dmth në rolin e skenografit.

Rrënjët e Kullës – Vebi  Qerimi – rekuiziter”

Qeni i Baskervileve – Qazmedin Nuredini

I sëmuri për mend – Ahmet Jakupi

Ballyturk – Qazmedin Nuredini

Mesimi – Ilirjan Himaj

Një shtrat plot me të huaj – Esat Brajshori

 

Cilat janë skulptuarat e tua që i pëlqen më së shumti ose do ti kishit veçuar në krijimtarinë tuaj?

 Ardian Kadriu: I kam disa dhe e vështirë për ti veçuar. Por mendoj që deri më sot çfarë kam punuar. Vepra ime që kam punuar me shumë dhimbje dhe në fund kam ndje një kënaqësi të madhe mundem me thënë se është vepra ime e quajtur KLITHMAT  E BRENDSHME – Fytyrat nga disa personazhe të ndryshem që Brenda tyre degjohen klithmat dhe ankthet.

 

Çfarë bëni kur nuk jeni duke u marr me krijimin e skulpturës?

Ardian Kadriu: Gjatë tërë kohës jam skulptori ku mendoj se cila do jetë vepra ime e ardhshme. Por si kohë relaksi dhe meditimi shikoj shumë filma, lexoj libra… ka momente kur dëgjoj vetëm muzikë. Shëtitjeve në natyrë i kam të obligueshme. Është oksigjeni im për të jetuar më mirë. Dal me koleg diskutoj, debatoj për art. Punët të tjera siç tregova më lart skenografia në filma dhe teatër. Pjesmarrja ime ne filma. Shëtitja në festival etj etj.

 

Top 3 skulptorët më të mirë dhe veprat e tyre që do ti kishit veçuar?

Ardian Kadriu:

1.Donatello (1386 – 1466), Davidi i bronztë është një nga skulpturat më të famshme të ditëve të sotme. Dallon si puna e parë e pambështetur në bronz të përpunuar gjatë periudhës së Rilindjes dhe është skulptura e parë mashkull që qëndron nudo në këmbë që nga antikiteti.

  1. Auguste Rodin (1849 – 1917) “Puthja” është një skulpturë e mermertë e vitit 1889. Ka një histori të veçantë. Buzët e dashnorëve nuk preken në skulpturë, duke dhënë idene e diçkaje që u ndërpre dhe ata u vranë me buzë që akoma s’ishin prekur.
  1. Mikelanxhelo (1475 – 1564), Mëshira (La Pieta) Mikelanxhelo krijoi një nga skulpturat më të bukura që është parë ndonjëherë. Mëshira paraqet Virgjëreshën Mari që mban të birin, Jezu Krishtin në krahë.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …