Alma Mehmeti, paraqitet para lexuesit me librin e saj me Poezi “Shpresën mbaj tek ti”. Në të gjitha poezitë e saj, autorja vjen me pikësynime të qarta lidhur me atdhedashurinë, moralin dhe familjen.
Megjithatë, autorja Alma Mehmeti synon të dalë nga kornizat kufizuese dhe t’na sjell ndjesi rinore dhe dashurinë e moshës, që nga bankat e shkollës e më tej. Alma, është e sinqertë me vargun e saj dhe e ndërton atë plot pasion duke derdhur meditimet e shumta të mbledhura nga miq, shok e shoqe, lidhur me aspekte të jetëve individiale dhe shoqërore.
Autorja, e përshkruan jetën thjesht, e jeton dhe e dashuron, por njëkohësisht ëndërron shumë. Alma rinore, ëndërron princin e kaltër siç ëndërrojnë të gjitha moshateret e saj. Ajo është e ndërgjegjshme për pamundësinë e kësaj ëndrre, por dëshiron ta shikoj dhe ta shijoj.
Autorja Mehmeti, edhe pse i drejtohet qiellit, është e vetëdijshme që jeta me të mirat dhe mbrapështitë e saj realizohet në tokë.
Në vjershat e autores Mehmeti, vend të dukshëm zënë poezitë e pafund për nënën, ku ajo hedh dashurinë e sajë pakufi dhe shprehet me një mall të paçmallur. Duke qenë edhe vetë nënë e dy vajzave, ajo dyzohet dhe kombinon një dashuri të dyfishtë. Poezitë e autores Mehmeti, prekin edhe shumë aspekte të jetës shoqërore dhe shtetërore. Ajo me vargun e saj, ironizon pozicionin e privilegjuar të burrit në shoqëri, hapësirat pa pengesa të djemve dhe lirinë e tyre për të dashuruar. Ajo vargëzon e pikëlluar që vajzat shqiptare janë ende të paragjykuara, ndërsa gratë të dënuara të mbyllen në shtëpi e ti shërbejnë burrit. Në kulmin e pikëllimit autorja, kërkon ndihmën e zotit, duke mos e ditur ende misionin që ai i ka ngarkuar klerikëve (barinjve) ndaj besimtarëve (deleve) . Autorja Mehmeti, ngrihet mbi moralin e ulët të disa fqinjëve që e rrethojnë, dhe për të dalë nga kjo baltovinë, mjaftohet me vajzat e sajë, duke u kushtuar vjershën “vajzat,ilaçi i zemrës”.
Mendoj se autorja Mehmeti, ka hedhur një hap të rëndësishëm në jetën e saj artistike, duke guxuar të shkruajë vjersha, një gjini shumë e lakmuar por tepër e vështirë. I uroj autores Mehmeti, suksese në udhën e saj poetike.
Tiranë 27.06.2017