Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Një urim për mrekullinë zgjedhore shqiptare dhe kryeministrin, Edi Rama

Zgjedhjet e 25 qershorit 2017 në Shqipëri pa dyshim që janë zgjedhjet më të mira të të gjithë periudhës së tranzicionit. Mbase kjo mrekulli është reflektim zhvillimesh pozitive dhe jo e rastit, por edhe po të jetë “e rastit” është një rastësi e shumëpritur dhe në kohën e duhur.

Përse është “rastësi” e mrekullueshme?

​Është rastësi e mrekullueshme se në momentin më të duhur për kombin e shtetin, zgjedhësit shqiptarë e adresuan në mënyrën më të duhur, mbase dhe të mrekullueshme përgjegjësinë për qeverisjen e vendit. Ky rezultat i jep fuqinë e duhur PS-së dhe kryetarit të saj, Edi Ramës për të marrë vendime të rëndësishme për kombin e shtetin, për rrugën e zhvillimit e të sundimit të ligjit pa pazare politike, duke i hapur kështu rrugën e shumëpritur të integrimeve evropiane.

 ​Kësaj radhe votuesi shqiptar i Shqipërisë votoi me mendje e jo me zemër (instinkt) kur e adresoi përgjegjësinë te PS-ja dhe kryetari i saj Edi Rama. Kryeministri dhe partia e tij, pa dyshim se besoj shumë që e dinë se problemet e grumbulluara nuk zgjidhen me mikrofon në duar, por me vendime të drejta që i sjellin suksese kombit e shtetit. Kësisoj, populli shqiptar (lexo: Shqipëria!) ia dha më se bindshëm mundësinë Partisë Socialiste dhe Edi Ramës, por tani radha që gjithë përgjegjsinë e tij dhe të partisë se tij, ta funksionalizojnë edhe më tutje shtetin e së drejtës, shtetin që mëton dhe shpalos edhe perspektiva zhvillimore, shtetin që ndërton shoqërinë e drejtësisë sociale e të solidaritetit. Këtë e presin shqiptarët nga Edi Rama dhe Partia Socialiste.

​Të shpresojmë e të besojmë se, po ashtu, sikurse shqiptarët bënë zgjedhje me mend në zgjedhjet e 25 qershorit, po aq me mend e përkushtim të qeverisin katër vitet e ardhshme edhe Edi Rama, edhe Partia Socialiste! Sepse, pas katër viteve, edhe faji, po edhe mossuksesi (urojmë të mos ndodhë kjo!) nuk do të jenë pa adresë, siç i gjeti qershori i 2017-tës. Por, ne, le të shpresojmë dhe të besojmë në suksese! Se sukseset i duhen Shqipërisë dhe shqiptarëve!

​Unë, si përfundim, përfitoj nga ky moment suksesi që t’jua uroj nga zemra si popullit që e adresoi përgjegjësinë, ashtu edhe atyre që ju dha përgjegjësia për qeverisje pa pazare politike! Se sa të dëmshme janë pazaret politike askush nuk e di më mirë sesa shqiptarët e Kosovës! E them këtë jo vetëm duke marrë si shkas “rezultatet” (që po vonojnë të çertifikohen!) e zgjedhjeve të fundit, të cilat nuk e adresuan qartë përgjegjësinë, as të zgjedhësve (votuesve) as të klasës politike! Por për këto të fundit, do të merrem më shkoqur në një rast tjetër, duke i lënë vend kënaqësisë së rastit dhe mrekullisë shqiptare, siç e emërtova dhe më lart!

Ju priftë e mbara Shqipërisë e shqiptarëve!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …