Me një kulturë të ushqyer nga pasioni për artin, letërsinë dhe filozofinë pragmatike, me nderimin për mendjet e ndritura të historisë kombëtare e botërore dhe me shpirtin humanist, bir i një skulptori dhe i një mjekeje të pasionuar, nip i dy familjeve nga më të shquarat e kohës së tyre, Edi Rama komunikoi dje në një mënyrë të re me shqiptarët. Duke thënë se në zgjedhjet e 25 qershorit « Fitorja është e Shqipërisë » dhe se « shqiptarët kanë vendosur me një votë qartësisht kuq e zi », ai e shndërroi edhe sheshin e Skënderbej, i cili shquhet për një perspektivë të re moderne, në një simbol të bashkimit kombëtar.
Për herë të parë në Shqipëri pas 30 vjetësh në një ligjërim politik, të çliruar nga retorika rutinë, u ndien elemente të një fryme shprese e bashkëpunimi midis njerëzve të një kombi për të ecur përpara. Ato çaste njeriu shqiptar ka menduar me seriozitet për të ardhmen kombëtare, duke i lënë pas si një ëndërr të keqe, ndarjet disa herë të papajtueshme partiake e me pasoja të rënda në jetën e vendit. Kjo lëvizje e re e mendimit si një praktikë që do të karakterizojë një qeverisje, në qendër të së cilës do të jenë interesat kombëtare të shqiptarëve është gjëja më me vlerë që sollën këto zgjedhje.
Mendimi i ri që vë në lëvizje energjitë njerëzore, është një kapital i çmuar për çdo shoqëri. Rama e ka ndier se duhet të bashkohet ajo që është ndarë, copëtuar e thërmuar, me perceptimin e një politike qytetëruese që momenti historik e kërkon të ngrihet mbi bindjet partiake e mbi interesat meskine. Atij i pëlqen të përballet, të hyjë në garë, por mbi të gjitha të bashkëpunojë. Qëndrimi i tij i hapur për të vlerësuar të gjitha kontributet, e ka burimin te filozofitë antike, të cilat thonë se oqeani përbëhet prej detesh e këto të fundit prej lumenjve. Ky është një vizion i ri kombëtar.
Ligjërimi i tij vërtetoi sesa rëndësi ka për shoqërinë bashkëpunimi i forcave, ndërveprimi i energjive të tyre krijuese për të ndërtuar një realitet të ri. I vetëdijshëm për një shpërbërje kombëtare në këto vite krizash të njëpasnjëshme, ai e ka kuptuar se rruga e vetme që do ta çojë përpara këtë vend, është bashkimi i forcave në shërbim të shoqërisë e të qytetarëve të saj. Domosdoshmëria për të pasur një këndvështrim të ri që do të jetë në dobi të të gjithëve është edhe një nga idetë themeltare të politikës së re, të shpallur prej tij. Thirrja e tij se « Eshtë koha për ta vënë flamurin përbashkues kuqezi, flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit përpara flamurit të feudëve tonë politikë », është dëshmi e një solidariteti humanist, mbipartiak, strategjik, të atij solidariteti të detyrueshëm për të mirën e përbashkët.
Ne jemi dëshmitarë të përçarjes që ka përjetuar ky popull, këto tridhjetë vjetët e fundit. Kjo ka bërë që forca ekstremiste të kenë vlerësuar ata që bashkëpunuan me armikun dhe janë përpjekur për të zhvlerësuar veprën e dëshmorëve, çfarë nuk ka ndodhur në ndonjë vend tjetër të botës. Por duke u vlerësuar vepra e tradhtarëve, herë-herë është lënë mënjanë vepra e disidentëve të vërtetë për demokraci e të drejta qytetare, vepra e atyre që mbrojtën të drejtën e shprehjes së lirë, në kushte kur çdo qëndrim në mbrojtje të lirisë së shprehjes paguhej rëndë.
Realiteti i hidhur i dobësimit të forcave shpirtërore të këtij populli, i shoqëruar me mospërfilljen, nëpërkëmbjen apo zhdukjen e elementeve të identitetit shqiptar, sidomos në mosruajtjen e traditës kulturore, i jep ligjërimit të tij një kuptim të madh historik. « Nëse i bën një proces së kaluarës, ti pengon veten për të jetuar », thotë Romain Rolland. Duke u ngritur mbi problematikat e ngushta partiake, ligjërimi i Edi Ramës, na bind sesa urgjente është të rithemelohet një qëndrim i ri kombëtar që do të ripërtërjë dhe forcojë ndjenjën e përgjegjësisë së të gjithëve ndaj atdheut. Kjo detyrë duhet të jetë parësore jo vetëm për arsimin kombëtar.
Parimet, ato që lidhin, që plotësojnë njëri-tjetrin, që ndarvaren nga njëri-tjetri, shprehin një akt të madh dialogjik dhe i zgjerojnë marrëdhëniet e solidaritetit ndërnjerëzor që shtrihen edhe në marrëdhëniet e njeriut me natyrën, me botën mbarë. Refleksionet e Edi Ramës në fillimet e demokracisë kanë qenë të lidhura pikërisht me këto marrëdhënie solidariteti në ndryshueshmëri që i kanë munguar shoqërisë shqiptare. Në ato refleksione është nënvizuar me forcë pluralizmi i mendimit.
Edhe pse qeverisja e tij është bërë objekt i disa vlerësimeve ndërkombëtare dhe i një kundërshtimi të përditshëm e të përhershëm nga opozita, ai është dalluar për forcën dhe guximin për të përballuar goditjet në emër të punës dhe përgjegjësive që ka ndier. Gjatë fushatës zgjedhore ata që do të votonin dhe ata që nuk e dhanë votën e tyre për arsye mosbesimi, shpeshherë kanë pyetur veten nëse Shqipëria do të rrijë e mbërthyer si në shtratin e Prokrustit në të kaluarën e vet, apo do të dalë e t’i bashkohet botës së qytetëruar me fytyrë të vërtetë demokratike ? Duke lënë mënjanë verbërinë partiake nga e cila kemi vuajtur jo pak, individët e kësaj shoqërie treguan se e kuptuan qartë këtë moment historik. Ata e dinë mirë se fryma e përçarjes që ka karakterizuar dhe karakterizon ende disa forca politike, nuk mund ta shohë dritën e mendimit të përparuar që vjen qoftë prej epokave historike të Shqipërisë, qoftë prej shembujve të përparuar në botë.
Besimi i zgjedhësve, i cili triumfoi mbi dyshimet e majta apo të djathta, e vë Edi Ramën para një përgjegjësie të madhe e të rëndësishme, sepse nga kuptimi i saj varet zbatimi i politikës që do t’i shërbejë përditë e më shumë zhvillimit dhe fuqizimit ekonomik të Shqipërisë, krijimit të kushteve që rinia të mund të jetojë e ta realizohet në këtë vend, emancipimit të përgjithshëm të shoqërisë në fusha të veçanta siç janë ato të të drejtave të njeriut, të barazisë së burrit me gruan, të të drejtave të fëmijëve, të leximit si akt kulturor i domosdoshëm në procesin e zhvillimit. Të mos harrojmë se në shumë qytete të Shqipërisë janë zhdukur bibliotekat, burimi i dijes dhe i kulturës.
Në këto tridhjetë vjetët e fundit, Shqipëria e ka ndier kërcënimin që i ka ardhur nga mungesa e një ideologjie kombëtare. Prandaj « Sfidat e Shqipërisë sot s’janë sfida socialiste apo demokrate, por sfida shqiptare, të vjetra e të reja, të të njëjtit atdhe, të të gjithëve pa dallim, në të njëjtin flamur kombëtar ». Në një moshë relativisht të re Edi Rama bëhet shprehës i një ideali që rri zgjuar te shqiptarët edhe si rezultat i fatit historik të mbushur me padrejtësi. Ky program është me të vërtetë një befasi e këtyre zgjedhjeve. Kryetari i partisë socialiste tha :« Fitorja është e Shqipërisë dhe merita është e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi ».
Ligjërimin e tij të datës 26 qershor 2017e përshkoi tej e ndanë fryma e re kombëtare për ta ngritur këtë vend në lartësitë e ëndrrave të të parëve tanë dhe veçanërisht të rilindasve, sepse : « Shqiptarët nuk zgjodhën për Shqipërinë që kemi, por për Shqipërinë që duam”. Shqiptarët me votimin e tyre treguan se dinë të bashkohen kur është fjala për atdheun, ata do të kenë zërin e tyre dhe do t’u dëgjohet ai zë, sepse në të mishërohen “Përpjekje shqiptare për çfarë duhet të bëjmë për ta bërë Shqipërinë më të mirë ». Kjo largpamësi dëshmon se përgjegjësia për t’i bërë institucionet të dobishme për shqiptarët është edhe një privilegj historik.
« Mjafton të mos harrojmë se fytyrat tona janë të përhershme, por atdheu është i përjetshëm », jehon në zemrat e shqiptarëve kudo që të ndodhen. Ato janë fjalë të një idealisti. Ky është një revolucion botëkuptimor në krahasim me pikëpamjet me të cilat jemi mësuar gjermë tani. Në këtë dialog me shqiptarët, idetë themelore të programit qeveritar, parashikojnë një pohim të vlerave më të mira të bashëkpunimit për një Shqipëri të zhvilluar. Me projekte kombëtare ai e ka kundërshtuar njëherë e përgjitmonë « pushtetin e partive » që përdoret për interesa jashtëkombatare : « Opozita dhe qeveria të jenë të bashkuara për interesat e Shqipërisë, në rrugën për në Europë ». Europa nuk është më një parullë, por një mundësi për të qenë një nga anëtarët e saj . Ajo kërkon që të hyjmë në hapësirën e saj me vlerat tona kombëtare.
Çdo shqiptar që e ka dëgjuar dje fjalën e Edi Ramës, ka menduar me seriozitet se idetë e emancipuara të politikës shqiptare kanë arritur një lartësi të re. Lartësi të tjera e presin atë : zhvillime ekonomike, sociale, politike, morale, kulturore. Vetëm atëherë besimi i shqiptarëve do të forcohet në mënyrë të tillë që në të ardhmen cilado forcë që ta marrë pushtetin, do të vërë interesat e Shqipërisë përpara partive.
Ideja se « Ditet më të mira të Shqipërisë janë përpara nesh » përshkohet nga një optimizëm realist, nga njëlloj qëndrimi që vështron anën pozitive të gjërave dhe fenomeneve. Ai është gjithashtu një lloj besimi se gjërat do të venë mbarë. Por ky optimizëm nga ana tjetër hedh idenë e fuqishme se Shqipëria do të jetë një vend i sigurt dhe i mundshëm për të jetuar në paqe e mbrothësi, me rregull dhe punë, me kulturë dhe kënaqësi, ashtu siç e ëndërronin të parët e këtij vendi, ashtu si shkruan edhe Naim Frashëri : « Lum kush të rronjë / ta shohë zonjë ».
Nëse mbahet gjallë fryma jonë kombëtare, ëndrra shqiptare do t’i afrohet ëndrrës europiane dhe do të ecë e sigurt përpara përmes sfidave të mëdha të kohëve të reja.
Me ligjërimin e djeshëm, Edi Rama u shprehu mirënjohjen shqiptarëve për besimin që patën ata kur i dhanë votën. Besimi i tyre në vazhdimësinë e reformave të nisura dhe në vështrimin e ri të momentit historik me të cilin do të përballet Shqipëria, është një përgjegjësi e dyfishtë e tij dhe e qeverisë që do të drejtojë. Vullneti i tij për të bashkuar shqiptarët rreth një ideali kombëtar për zhvillim dhe emancipim është shpresëdhënës. (Dita)