Frank Shkreli

F. Shkreli: Kryetari D. Trump do vizitojë Evropën dhe do të marrë pjesë në Samitin G-20 që mbahet në Gjermani

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump do vizitojë këtë javë Evropën ku do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të vendeve të Grupit të Njëzetshes (G-20) që do mbahet në Gjermani më 7 korrik.  Por, para se të arrijë në Hamburg të Gjermanisë për këtë takim, udhëheqsi amerikan do të vizitojë së pari Poloninë, dhe javën që vjen do të shkojë në Francë i ftuar nga Presidenti i ri atij vendi, Z. Emmanuel Macron, për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Bastijës.  Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë, që njofton vizitën e Z. Trump në Paris, thuhet se Presidenti Trump pret që gjatë qëndrimit të tij atje, “Të riafirmojë lidhjet e forta të Amerikës me Francën”.

 Normalisht, se çdo takim dhe vizitë që bën Presidenti i Amerikës, cilido qoftë ai, në cilindo qoftë vend dhe mbledhje ndërkombëtare, merr rëndësinë që bartë me vete prania zyrtare e udhëheqsit të vendit më të fuqishëm në botë.  Prandaj, vizita e planifikuar e Presidentit Trump në Poloni ka tërhequr vëmendjen e shumë ekspertëve evropianë dhe të medias në përgjithësi, se pse Z. Trump zgjodhi pikërisht për të vizituar Poloninë në këtë moment të historisë.

Në një deklaratë nga zëdhënsi i Shtëpisë së Bardhë muajin e kaluar, ndërsa u njoftua vizita e ardhëshme e Z. Trump në Poloni, thuhet se ai e, “Pranoi ftesën që i bëri Presidenti i Republikës së Polonisë, Z. Andrzej Duda për të vizituar Poloninë para takimit të nivelit të lartë të vendeve anëtare, G-20 në Hamburg të Gjermanisë.”   Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë për shtyp thuhet se, “Vizita do të riafirmojë angazhimin e patundur të Amerikës ndaj njërit prej vendeve aleate më të ngushta evropiane të Amerikës  dhe  vizita njëkohsisht do të nënvijojë përparësinë që Administrata Trump i kushton përforcimit të mbrojtjes kolektive të vendeve të NATO-s”.  Mëtej thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, mbi vizitën e shefit të saj në Poloni se, “Të dy udhëheqsit do të diskutojnë mbi një numër çështjesh dypalëshe dhe rajonale, duke thelluar në këtë mënyrë, marrëdhëniet   midis dy vendeve aleatëve, bazuar në vlerat dhe në interesat e përbashkëta.”

Pritet që gjatë qëndrimit të tij në Poloni, Presidenti Trump të mbajë një fjalim të rëndësishëm dhe njëkohsisht të marrë pjesë edhe në takimin e nivelit të lartë të vendeve që bëjnë pjesë në të ashtuqjuaturën, “Nismën e Tre Deteve” – një nismë kjo polako-kroate, që zhvillon punimet me 6-7 korrik në Varshavë — me qëllim që, sipas zëdhënsit të Shtëpisë së Bardhë, të “Demonstrohen lidhjet tona të ngushta me vendet e Evropës Qëndrore.”  Njoftohet gjithashtu se objektivi i këtij takimi dy ditorë në kryeqytetin polak, është promovimi i lidhjeve më të ngushta në fushën e energjisë midis vendeve të Evropës Qëndrore, nga Deti Baltik në veri e deri tek Deti Adritaik dhe Deti i Zi në jug.  Sipas Shefit të Sigurisë Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë, Z. H. R. McMaster, fjalimi i Presidentit Trump para këtij grupi, “Do të përqëndrohet mbi sigurinë e infrastrukturës energjetike”.  Sipas Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Z. McMaster, pritet që gjatë qëndrimit të tij në Varshavë, Presidenti Trump të takohet gjithashtu me Presidenten e Kroacisë, Z.njën Kolinda Grabar-Kitaroviq dhe të mbajë një fjalim tek përmendorja e Kryengritjes së vitit 1944 në Varshavë, pikërisht në Sheshin Krasinki, ku do të “lavdëroi kurajon e Polakëve gjatë periudhave më të zymta të hsitorisë”.  Dihet se historia e shënon Kryengritjen e Varshavës si aktin më të madh të qendresës në Evropën e pushtuar nga nazistët në Luftën e dytë Botërore, kryengritje e cila u shtyp brutalisht ndërkohë që mbetën të vrarë më shumë se 200,000 polakë ndërsa  përfundoi edhe në shkatërrimin e qytetit.

Gjatë takimit të nivelit të lartë të vendeve anëtare të G-20 në Hamburg të Gjermanisë, sipas Shtëpisë së Bardhë, pritet që Presidenti Trump të takohet me disa prej udhëheqësve kryesorë të vendeve anëtare, përfshirë Kancelaren e Gjermanisë,  Z.njën Angela Merkel dhe Presidentin e Kinës, Z. Xi Jingping, ndër të tjerë – por takimi që ka nxitur interesim të madh, në të dy anët e Atlantikut – është takimi i planifikuar i Z. Trump me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin gjatë mbledhjes së G-20 në Hamburg.

Ndërsa, i ftuar në Francë nga Presdienti Emmanuel Macron, Z. Trump do të marrë pjesë në festimet e Ditës së Bastijës por sipas Shtëpisë së Bardhë ky rast do të përdoret gjithashtu për të përkujtuar 100-vjetorin e pjesëmarrjes së Shteteve të Bashkuara në Luftën e parë Botërore, ndërkohë që ushtarët amerikanë do të parakalojnë së bashku me ushtarët francezë në paradën ushtarake që do mbahet në rrugën e njohur Champs-Elysees të Parisit.

Sipas mediave evropiane dhe amerikane, në Hamburg të Gjermanisë kanë filluar demonstratat kundër takimit të nivelit të lartë dhe ndaj udhëheqësve pjesëmarrës në atë mbledhje.  Ndërkohë që vizita e Presidentit Trump në Paris pritet që të kalojë pa ndonjë demonstratë ose protestë, Presidentit Trump, sipas medias polake dhe evropiane, po i rezervohet një pritje madhështore të premtën në Varshavë. Polonia, historikisht, ka pritur mirë gjithmonë vizitat e presidentëve amerikanë, por vizita e Presidentit Trump kësaj radhe, sipas ligjvenësit polak Dominik Tarczynski, “do të jetë absolutisht e madhërishme”, njofton gazeta amerikane Wall Street Journal.

Është kjo një vizitë që është kërkuar dhe po promovohet me entuziazëm nga qeveria konservatore e Varshavës, e cila e ndjenë veten pak si të izoluar nga disa vende të Bashkimit Evropian, për arsye të qëndrimit të saj ndaj emigracionit, ndër të tjera. Polonia është shprehur qartë se është më afër qëndrimit të Presidentit Trump, përsa i përket imigracionit, sidomos imigracionit ilegal.   Por zyrtarët amerikanë tregohen më të përmbajtur në lidhje me këtë vizitë – me qëllim që ndoshta të mos zemërojnë aleatët e tjerë në Bashkimin Evropian – duke thënë se vizita e Presidentit Trump në Poloni, do të shërbejë mbi të gjitha, për të fuqizuar lidhjet transatlantike, përfshirë NATO-n dhe sipas tyre, për të mbështetur njërin prej aleatëve më të fortë të Amerikës.

Kjo është vizita e dytë e Presidentit Trump në Evropë. Sipas disa analistëve, vizita e tij e parë në kontinentin e vjetër nuk shkoi aq mirë dhe siç mund të pritej – ku ai mori pjesë në takimin e NATO-s dhe në mbledhjen e G7.  Si përfundim, pas asaj vizite, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrveshja (klimaterike) e Parisit mbi Mjedisin, gjë që shkaktoi kritika të ashpra nga udhëheqsit evropianë dhe të tjerë.  Gjatë takimit me udhëheqsit e vendeve të NATO-s gjatë asaj vizite, Presidenti Trump kritikoi ashpër vendet anëtare të aleancës së Atlantikut për mos përmbushjen e angazhimeve të tyre financiare ndaj aleancës, ose të dy përqindshit.  Gjatë vizitës së tij të dytë në Evropë këtë javë, Presidenti Trump do të takohet përsëri me shumicën e udhëheqsve evropianë, me të cilët është takuar gjatë vizitës së parë atje, plus do të zhvillojë takimin e parë me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.  Mbetet për t’u parë nëse vizita e dytë e Presidentit amerikan, Donald Trump në Evropë këtë javë, do të jetë më e suksesshme ose jo, në krahasim me vizitën e tij të parë në kontinentin evropian, të cilën ai vet e pat cilësuar si shumë të sukseshme megjithë kritikat që u bënë nga qarqe të ndryshme.

Frank Shkreli: Kryeministri Edi Rama dhe At Gjergj Fishta

Me këtë poezi më poshtë të At Gjergj Fishtës — postuar në fejsbukun e tij — Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama falënderoi votuesit shqiptarë duke ju thënë atyre, “u rritë ndera”, për mbështetjen që i dhanë atij dhe Partisë që ai drejton, në fitoren e zgjedhjeve të së dielës që kaloi.  Janë këto vargje të përshtatshme të Poetit të madh kombëtar, që Kryeministri Rama ka zgjedhur për të falënderuar Shqipërinë dhe elektoratin e saj me këtë rast, duke shprehur mirënjohjen e tij Shqipërisë me fjalët e Fishtës, “Për jetë të jetës të rrnoftë ty ndera.”

                                         Nga Edi Rama Fejsbuk

                                                AMARCORD

                                   Dy fjale Shqipes due me ja rreshtue…

                                  “Perëndija t’ fali i Amshueshëm,…

                                  Sá ‘dhe deka âsht për tý e shieshme:

                                  N’ gjí  tand vorri âsht i lakmueshëm.

                                  Po, edhè hâna do t’ a dijë,

                                  Edhè dielli do t’ két pá,

                                  Se për qark ksaj rrokullije,

                                  Si Shqypnija ‘i vend nuk ká!

                                  Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,

                                  Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,

                                  E me dije e me Lirí

                                  Për jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera.”

Përzgjedhja e këtyre vargjeve të At Gjergj Fishtës nga Z. Rama, në falënderim Shqipërisë dhe shqiptarëve për fitoren që i akorduan atij dhe partisë së tij në zgjedhjet e fundit, përkon me një përvjetor tepër të rëndësishëm fishtjan, ndonëse të harruar me qëllim, të historisë së kombit shqiptar – e që është përvjetori i fjalimit të famshëm të At Gjergj Fishtës, në Konferencën e Paqës në Paris me 28 qershor, 1919 mbi “Shqyptarët dhe të drejtat e tyne”.  Është ky një fjalim klasik i mbrojtësit më të madh të interesave kombëtare, Homerit të Kombit e të racës arbërore dhe Françeskanit të madh, At Gjergj Fishtës, që deri sot besoj se mbetet një fjalim i pashoq dhe i pa shembull për temën që trajton, të drejtat e shqiptarëve në trojet e veta.

Ishte fati i kombit që At Gjergj Fishta jetoi dhe veproi në një periudhë jashtëzakonisht kritike për ekzistencën e shtetit shqiptar. Ai iu përgjigj thirrjeve të atdheut, kudo e kurdo i kërkohej, me pendë e me gojë, t’i shërbente të mirës dhe dobisë së Shqipërisë.   At Gjergj Fishta është një përmbledhës i visarit shpirtëror të vuajtjeve, luftërave, mundimeve e përpjekjeve për liri, pavarësi e dinjitet njerëzor të kombit shqiptar, ndër shekuj. Në veprat e Fishtës çdo shqiptar mund të gjejë të pasqyruar fatin e vet dhe të Kombit në luftërat titanike për të mbijetuar.  Aty gjenë luftërat e mëdha të drangojve ose të luftëtarëve shqiptarë, në përpjekjet e tyre për t’i zbardhur faqën kombit në luftërat kundër kulshedrës ose armiqëve të Shqiptarëve. Albanologu italian Fulvio Cordignano ka shkruar (në ‘Epopeja Komtare’, Shkodër, 1925) se “Mënyra me të cilën Fishta u del zot ideve të veta, që janë ide lirie, mbrojtjeje për tagre të veta, mësimit kombtar mbi mbështetjen e gjuhës kombtare, bashkimit të zemrave për qëllime e në veprim për të përtëri popullin shqyptar – ashtë nji mënyrë luftarake, nga nji herë e përcjellme prej nji fuqie të pafrigueshme. Ai këndon në mes të poterës së stuhisë ballkanike, në mes të ngatrresave të fuqive të mëdha, që me një politikë plot dredhi ja mohojnë tagret popujve të vegjël; këndon sa i kërcnohet Shqypnisë përmbrenda ndasia e partive, interesat e veçanta, pabesia, korrupsioni e tradhti politike gjithfarësh”, ka vlerësuar Fishtën, albanologu Cordignano, fillim shekullin e kaluar.

 Kjo mënyrë “luftarake e një fuqie të pafrigueshme” të ideve të At Gjergj Fishtës vihet re më së miri — sidomos në kritikat që Fishta i bën politikës së Fuqive të Mëdha karshi shqiptarëve dhe në mbrojtje të të drejtave dhe interesave të kombit shqiptar — në fjalimin që ai kishte përgatitur për t’u lexuar në Konferencën e Paqës në Paris, më 28 qershor të vitit 1919. Në atë fjalim, që është një mbrojtje e fortë dhe bindëse në mbështetje të të drejtave të kombit të “pa-përkulun” shqiptar, At Gjergj Fishta, përveçse u “Difton se kush janë e shka janë Shqyptarët” përfaqsuesve të Fuqive të Mëdha në atë konferencë dhe cilat janë të drejtat e tyre, ai njëkohsisht i kritikon ato, përfshirë edhe Francën ku u mbajt fjalimi, për qëndrimin e tyre kundër lirisë, pavarësisë dhe të përcaktimit të kufijve natyrorë, gjeografikë dhe etnikë të kombit shqiptar në Ballkan. “Prej brigjeve gjimuese t’ Euksinit e me borë t’ amshueme t’Alpeve Julje, prej bigave bumulluese t’Akrokeraunvet e më karma të thepisuna të Karpateve, ene’ rijme me gjak njerit, në ato kavaljetet e kalueme të vjetra — banonte si zotnija e juej mirë e din — ajo familja e madhe trako-ilire, në nam e në za, në histori të fisevet e të kombeve.”

Fishta vazhdon duke thënë se nga kjo familje e madhe trako-ilire, “Atje ndërmjet Thesalijet e Malit të Zi, prej brigjevet lindore t’Adriatikut e më stom të Vardarit, pshtoi gjallë nji grusht njerzish, që xanë vend a mbas murojet të do maleve titanike, a se nen hije të kandshme të disa fushave gratshore e të kërthnesta – banë e përmallueshme e hyjvet të moshës prrallzore – u ban ball me fuqi kurr të përkulme të shpirtit të vet bujar e thellimeve të kavaljeteve e padrejtsive t’hipokrizisë njerzore.”  At Gjergj Fishta, “me fuqi të pafrigueshme u sjellë ndër mend fuqive të mëdha se shqiptarët, “Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qindrese, ene kta flasin atë gjuhën e të Parvet të vet ma të hershëm; ene e ruejnë të pandryshuem karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshavet të vet, e sot edhe punojnë shi njat tokë që punuan të parët e tyne prehistorikë.”

At Gjergj Fishta, në fjalimin e tij, shprehet për vuajtjet e mëdha të shqiptarëve nën okupues të huaj gjatë shekujve, duke thënë: “Mbi ta, po, randoi pesha e fuqisë rromake; mbi ta po, u lëshue e irun mnijet e gjithmonë e pabesë sfinksa sllave; rresht për katër kavaljete të gjata i ra sypri boena e barbarsisë azjatike; por me gjith kta, ata nuk ndërruan njininë e vet kombtare, e as s’lshuan doket e idealet e veta” Ai u kujtoi atyre se, “Po, ky popull i papërkulun kurrë, ene gjindet atje mbi ato maje të thepisuna, mbi ato zalli të plleshme, ku të parët e tij prefshin rrasat për me ça me to rrashtat e anmqivet, a u epshin ujë pallavet të hekurta, për me shtrue me to mbarë botën nën kambë të nji Lekës së Madh…” Dhe vazhdon. “E mirë, pra, zotni të mij, ky popull asht njaj populli i vogël shqyptar, aq pak i njoftun e qa zi i gjykuem në Evropë. I vjetër sa fosilat, sa stalagtitat e shpellave jehuese të malevetë te veta vigane, e le të thuesh, prej vet bucet të Shqypnis, ai asht sot zot autokton e i pakundërshtim i tokve të veta. Ene Sllavi s’kishte dalë prej breshtet t’Uralit, e ene s’kje njeshë e sodmja frotë laramane neo-elenike, kur Shqyptari korrte më zagna të Ballkanit edhe mbyllë e kishte nji periudhë të historisë së vet në moshë të rruzullimit. Kush para Shqyptarit ngau qetë sinjorevet të Ballkanit? Historinë e kemi aty, zotni të mij, që na flet kjartë, e asht kot që hipokrizia diplomatike të mundohet me ia shue zanin me shtupa notash zyrtare a se gjysëm-zyrtare…”.

Fjalimi është tepër i gjatë për qëllimet e këtij shkrimi, por nevojitë të kujtohet si një fjalim që duhej të ishte lexim i detyruar në shkollat anë e mbanë trojeve shqiptare.  Është për tu lavdëruar fakti që Kryeminsitri Rama përmend Fishtën dhe që përdori vargjet e At Gjergj Fishtës për të falënderuar shqiptarët për votën e tyre, por kjo nuk mohon faktin e tmershëm se për më shumë se 75 vjetë, përfshirë çerek shekullin e post-komunizmit, emri dhe veprat e Fishtës, zyrtarisht, mbeten ende tabu për brezat e shqiptarëve, ndërsa emri i tij përdhoset ende nga pseudo- historianët dhe nostalgjikët komunistë shqiptarë.

Ish- Profesor Namik Resuli i universitetit të Napolit, në një fjalim në Romë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Fishtës ka thënë se, “Kontributi i çmueshëm që dha Fishta në laminë e letrave dhe në edukimin e kombit, në ruajtjen e kulturës dhe në naltësimin e gjuhës, vërtetojnë njëherë e përgjithmonë se Shqipnija pa Fishtën kishte për të qenë e mangët, ashtu si letrat tona pa penden fishtjane kishin për të paraqitë nji golle (boshllëk) të paplotsueshme. Këndej del e qartë se vetëm mënija e vëneri ndaj zhgunit e ndaj meshtarit katolik, terratisin mendjet dhe ia mohojnë Fishtës vlerën e vendin që ai xen në panteonin e Kombit’’, ka shkruar Profesor Namik Resuli.

Ky përjashtim e mohim nga vet kombi i vet, të cilit gjithë jetën u përpoq t’ia mbronte të drejtat dhe interesat e tija, në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare, është i papranueshëm dhe një përdhunim i historisë së shqiptarëve, nga një grup siç duket gjithnjë me influencë i Ministrisë së Kulturës në vendimarrje të tilla dhe nga historianë politikë të idoktrinuar, të cilët gjithnjë i referohen Homerit të Shqiptarëve me epitet më fyese të periudhës komuniste si  “fashist” e “tradhëtar”.  Është e pafalshme heshtja arrogante e autoriteteve shqiptare në lidhje me këtë çështje.  Kjo heshtje zyrtare nuk është e denjë për një shtet si Shqipëria, anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për antarësim në Bashkimin Europian.

 Gjatë viteve, unë kam i bashkangjitur zërin tim të vogël e modest, një kori zërash “ushtarësh të lodhur” të cilët gjatë viteve kanë bërë thirrje për restaurimin e shtëpisë së At Gjergj Fishtës, si monument kulture.  Ministria e Kulturës e qeverisë së juaj, Z. Kryeministër, gjatë 4 viteve të fundit, nën drejtimin e Ministres Kumbaro ka bërë veshët e shurdhët ndaj këtyre apeleve, duke treguar — me heshtjen e saj — arrogancën dhe njëanëshmërinë e preferencave të saja ideologjike, se cilat figura të kombit duhet të kujtohen e të nderohen, e cilat jo.

 I nderuar Z. Kryeministër Rama ka ardhur koha që kombi shqiptar të shkëputet njëherë e mirë, me vepra dhe me mendime, nga trashëgimia ideologjike dhe nga periudha e errët komuniste, duke i dhënë At Gjergj Fishtës vendin që i takon dhe që meriton në historinë e Kombit Shqiptar.  Shqipëria me At Gjergj Fishtën është Shqipëria që dëshiron Kombi shqiptar. Pa ‘të Shqipëria është e mangët, siç shtë shprehur Namik Resuli dhe shqiptarët, pa ‘të janë më të varfër shpirtërisht dhe kombëtarisht. Mbrojtës më të madh të Shqipërisë dhe të drejtave të shqiptarëve nuk ka pasur kombi! Ka ardhur koha që si të të tillë ta njohë edhe historia.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …