Në fjalën e tij para zyrtarëve të Partisë Socialiste, kryetari i kësaj partie, Edi Rama ka theksuar se marrja e mandatit përbën një përgjegjësi për Partinë, e cila do të mund të qeverisë e vetme. “Kemi marrë më shumë vota se 4 vite më parë, shumë e rrallë për një parti që udhëheq vendin. Kanë votuar 73 për qind e shqiptarëve të pranishëm në atdhe. Ta mbajmë të gjithë vath në vesh se një mbështetje e këtyre përmasave nuk është më shumë vlerësim për atë që bëmë, sesa besim për atë që mund të bëjmë. Mosjustifikimi i këtij besimi do të ishte fatal për PS-në”, ka thënë Rama. Pasi ka falënderuar eksponentët kryesorë të partisë së tij, Rama i ka dërguar një mesazh edhe ish-aleatit të tij, Ilir Metës si dhe Partisë Demokratike.
“Falënderoj Ilir Metën, jo për gjërat që i çoi për dreq, por për çdo kontribut pozitiv e të pamohueshëm që dha në punën e përbashkët. I lutem Metës të reflektojë si presidenti që i mori votat tona për të qenë konsensual e jo konfliktual e të përqendrohet tek ndreqja e gabimeve që i bëri figurës së presidentit në 40 ditët e fundit. Falënderoj edhe ministrat e LSI-së për kontributin pozitiv që dhanë në arritjet e qeverisë”, ka thënë Rama. Sa i takon PD-së, Rama ka rikonfirmuar se marrëveshja e 18 majit do të mbetet një “busull orientuese” në marrëdhëniet pozitë-opozitë. Më tej Rama ka theksuar se prioriteti i PS-së për këtë fazë tranzicioni deri në formimin e qeverisë së re do të jetë reflektimi mbi gabimet e mandatit të kaluar.